Milorad Dodik hedh poshtë frikën se separatistët serbë po planifikojnë shpërbërjen e Bosnje-Hercegovinës.
Udhëheqësi serb i Bosnjës i akuzuar për vënje në rrezik dhe nxitje të luftës duke kërcënuar shpërbërjen e Bosnje-Hercegovinës ka hedhur poshtë kërcënimin e sanksioneve perëndimore dhe ka lënë të kuptohet për një samit të afërt me Vlladimir Putinin, duke thënë: “Unë nuk u zgjodha për të qenë frikacak”.
Në një intervistë me Guardian, Dodik, anëtari serb i udhëheqjes trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, tha se nuk do të pengohej nga thirrjet e Londrës, Uashingtonit, Berlinit dhe Brukselit.
Dodik, 62 vjeç, një figurë kyçe në politikën boshnjake për 30 vjet, i cili dikur ishte i preferuari i perëndimit, këmbënguli se planet e tij nuk duhet të çojnë në fundin e Bosnje-Hercegovinës. Sanksionet dhe shkurtimet e fondeve të BE-së vetëm do ta detyronin atë të pranonte ofertat e investimeve nga Kina, tha Dodik, dhe ai pret ta takoj udhëheqësin e Rusisë “shumë shpejt”.
“Dhe madje mendoj se kjo më pëlqen”, tha Dodik. “Kur shkoj te Putini nuk ka kërkesa. Ai thjesht thotë, ‘për çfarë mund të ndihmoj?’ Çfarëdo që kam diskutuar me të, nuk jam mashtruar kurrë për këtë. Nuk e di se mbi çfarë tjetër të bazoj besimin, nëse jo kaq. Me (udhëheqësin e Kinës) Xi Jinping, ai gjithashtu thotë, “nëse ka diçka që mund të ndihmoj, këtu jam”.
Dodik është dënuar gjerësisht në javët e fundit për qëllimin e tij të deklaruar për të tërhequr pjesën serbe të Bosnjë-Hercegovinës nga institucionet e nivelit shtetëror, si administrata e taksave, gjyqësori, agjencia e inteligjencës dhe madje edhe ushtria kombëtare, me qëllim krijimin e një force serbe.
Propozimi është përshkruar në një raport për OKB-në si i barabartë me “ndarje” dhe një rrezik për marrëveshjen e paqes të Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës civile që kushtoi rreth 100,000 jetë pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Ajo marrëveshje paqeje krijoi një shtet, Bosnjën dhe Hercegovinën, të përbërë nga dy entitete: Federata e Bosnjë-Hercegovinës, e përbërë kryesisht nga boshnjakët dhe kroatët, dhe serbët e Republikës Serbe. Presidenca tre anëtarëshe e Bosnjës mbahet nga përfaqësues të këtyre tre grupeve kryesore etnike.
Sipas të ashtuquajturave kompetenca të Bonit të vitit 1997, kompetenca të konsiderueshme për ligjbërje iu dhanë edhe Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes. Këto kompetenca u përdorën gjerësisht nga ish-udhëheqësi i Liberal Demokratëve Paddy Ashdown, gjatë kohës së tij si përfaqësues i lartë, për të centralizuar administratën e vendit.
Së fundmi, Valentin Inzko, i cili u largua nga posti këtë verë, përdori zyrën për të shpallur të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit, në përgjigje të përpjekjeve të disa njerëzve për të minimizuar qëllimin e masakrës së Srebrenicës në 1995. Kjo bëri që Dodik në korrik të tërhiqte përfaqësuesit e Republikës Serbe nga institucionet qendrore.
Dodik, i cili ka prej kohësh kishte ngritur zërin kundër ndryshimeve të supozuara në balancën e pushtetit në Bosnje, tha se ai vazhdonte të besonte në Dejton, por se ai ishte uzurpuar nga “një i huaj i pazgjedhur” duke imponuar rreth 140 ligje përmes pozicionit të Përfaqësuesit të Lartë, pa një mandat demokratik. “Të gjitha pisllëqet këtu janë bërë nga katër të huaj të pazgjedhur,” tha ai. “Përfaqësuesit e lartë dhe tre gjyqtarë (të emëruar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut), të huaj, në Gjykatën Kushtetuese. Ata veprojnë si një ndërmarrje e koordinuar kriminale kundër marrëveshjes kushtetuese.”
Që nga viti 2017, Dodikut i është ndaluar të udhëtojë në SHBA, ose të ketë qasje në asetet nën juridiksionin e tij, pasi ai sfidoi gjykatën kushtetuese të Bosnjës duke organizuar një referendum për festimin e Ditës së Republikës Serbe, duke shënuar datën e vitit 1992, kur serbët e Bosnjës shpallën shtetin e tyre në Bosnje.
Ditëve te fundmit, ai i tha Gabriel Eskobarit, zëvendës-ndihmës sekretarit të SHBA-së, se “nuk i intereson fare” për kërcënimin e tij për veprime të mëtejshme. As sugjerimet nga Gjermania për sanksione financiare nuk do ta pengonin atë, tha Dodik. “Sigurisht, nuk jam indiferent, por nuk u zgjodha për të qenë frikacak,” tha ai, duke folur në zyrat e tij në qendrën administrative të Republikës Serben në Banja Llukë.
Planet për rimarrjen e pushteteve do të jenë në rendin e ditës në një seancë të parlamentit të Republikës Serbe më 10 dhjetor, gjersa Dodik thekson vendosmërinë e tij për t’i kaluar ato pas një periudhe tjetër gjashtëmujore bisedimesh. Ai e përshkroi vizionin e tij për marrëveshjen e re si jo më të vështirë sesa shteti federal i Belgjikës.
Megjithatë, ai e përmirësoi pozicionin e tij publik mbi sugjerimin më të diskutueshëm – të një ushtrie të re serbe – duke propozuar opsione të tjera. E para, tha ai, do të ishte përgjysmimi i ushtrisë aktuale kombëtare. “Nëse nuk e dëshironi këtë, atëherë ne nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të miratojmë, në përputhje me kushtetutën e Bosnjes dhe Hercegovinës, formimin e ushtrisë së Republikës Serbe, ose ta shpallim Republikën Serbe një republikë të çmilitarizuar”, tha ai. “Pra, janë tri opcione.”
Dodik e hodhi poshtë si një shaka të gabuar sugjerimin e tij të fundit se ai do të rrethonte kazermat e ushtrisë kombëtare me forcat serbe për t’i larguar ato dhe se “miqtë” e paemëruar do të mblidheshin në ndihmë të tij nëse forcat e NATO-s do të ndërhynin.
Dikur i përshkruar nga sekretarja e atëhershme amerikane e shtetit, Madeleine Albright, si një “ndryshim i mirë” për mbështetjen e tij të Dejtonit, Dodik tha se ai ishte portretizuar gabimisht si një që dëshironte konflikt.
Ai nuk donte që Bosnja dhe Hercegovina të dështonte, por “ekuilibri delikat” i marrëveshjes ishte prishur, tha ai, duke e përshkruar Ashdown si shkelësin “më të keq”. “Jo, nuk dua që të shembet. Unë vetëm dua që ajo të ekzistojë në bazë të kushtetutës së saj. Nëse nuk mund të funksionojë në atë mënyrë, atëherë pse duhet të funksionojë fare?”
Dodik tentoi të racionalizojë nëse ishte kryer gjenocidi në Srebrenicë, ku 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u vranë në korrik 1995. Ai tha se nuk do të kundërshtonte vendimet e gjykatës për individë. “Askush nuk e mohon se ka pasur krim atje,” tha ai. “Por është gjithashtu e vërtetë që historia që u tregua nuk është e gjithë e vërteta. Një numër pothuajse i njëjtë i myslimanëve dhe serbëve boshnjakë u vranë. Nuk ka asnjë vendim që thotë se gjenocidi është kryer nga populli serb”.
Dodik thotë se ai ende dëshiron të bashkohet me BE, pavarësisht refuzimit të vazhdueshëm nga vende si Franca dhe Holanda. Ai takoi Oliver Varhelyi, Komisionerin e BE-së për zgjerim, tre herë këtë javë dhe u paralajmërua për një humbje të mundshme fondesh. “Ne duhet të veprojmë sikur mendojmë se do të ketë zgjerim edhe pse e dimë se nuk do të ketë”, tha Dodik. “Ndërkohë, ata ofrojnë disa programe dhe ne e vlerësojmë atë – jemi mirënjohës. Por nëse doni të na afroni, atëherë ata duhet të heqin dorë nga këto kushte për mua.”
“Unë nuk mendoj se jam një njeri i keq,” tha Dodik për zemërimin e fundit të shkaktuar nga Përfaqësuesi i Lartë aktual, Christian Schmidt, duke paralajmëruar për një kërcënim ekzistencial për Bosnjen dhe Hercegovinën. “Unë mendoj se jam shumë realist”.
Burimi: The Guardian