
Shkruan: Xhelal Neziri
Vrasja e dyfishtë në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), e cila dyshohet se është kryer nga Lubço Palevski – Palço, tejkalon madje edhe misteret më të mëdha në skenarët e filmave triler. Vanja Gjorçevska (14) nga Shkupi dhe Panço Zhezhovski (74) Velesi nuk kishin asgjë të përbashkët, përveç ekzekutorit të tyre. Ty dy thuhet se janë goditur nga një plumb në kokë pikërisht nga Palevski, një figurë jo e panjohur në opinionin publik maqedonas. Ai u arrestua të mërkurën mbrëma në Turqi dhe pritet të ekstradohet në RMV .
Më 22 nëntor Zhezhovski ishte rrëmbyer nga tre njerëz të afërt të Palevskit. Pasi është dërguar në periferi të qytetit, ai është vrarë pamëshirshëm nga Palevski. Motivet e vrasjes, sipas tre të dyshuarve që janë në paraburgim, janë të natyrës së përfitimit dhe lakmisë. Por, shumë dilema hapen për faktin se Zhezhovski nuk ka qenë i pasur. Ai tërë jetën ka punuar si floktar në dyqanin e tij të vogël në qendër të Velesit. Nga familja e tij as që është kërkuar ndonjë shumë parashë që ta lirojnë të gjallë. Thjeshtë është ekzekutuar.
Pesë ditë më vonë, më 27 nëntor, i njëjti grup në krye me Palevskin e organizojnë rrëmbimin e të miturës Vanja Gjorçevska. Në orën 7:30 të asaj dite, në kohën kur zakonisht është nisur për në shkollë, grupi e ka pritur vajzën para shtëpisë së saj. Pasi e kanë neutralizuar, ata e kanë futur në një thes kampingu për fjetje dhe e kanë hedhur në bagazhin e makinës “Citroen”, të cilën e kishin marrë nga viktima e parë – Panço Zhezhovski.
Një makinë e tipit “Reno Kangoo” ka “pastruar” rrugën, ndërsa pas saj ka lëvizur makina “Citroen”, ku ka qenë e fshehur Vanja. Edhe në këtë rast, tre të dyshuarit kanë deklaruar se motivi ka qenë përfitimi financiar. U tha se e ëma e Vanjës ka shitur një banesë dhe se qëllimi ka qenë t’i nxjerrin ato të holla. Nën hetime është edhe babai i Vanjës, për të cilin thonë se i ka lajmëruar rrëmbyesit kur e bija e tij e ka lëshuar shtëpinë. Megjithatë, edhe në rastin e Vanjës rrëmbyesit as që kanë kërkuar para për lirimin e saj. E kanë vrarë diku në ora 10:30, pra vetëm dy orë pas rrëmbimit. Kur janë pyetur se pse e kanë vrarë, të dyshuarit kanë thënë se “u ka dalë puna nga kontrolli” në momentin kur e ëma e Vanjës e ka postuar vajzën e zhdukur në Facebook dhe se rasti është bërë i njohur në tërë vendin. Por, kjo nuk mban nga shkaku se postimi i parë i nënës së Vanjës është bërë në mesditë, pasi Palevski e ka kryer krimin.
Palevski dhe grupi i tij nuk janë njerëz tipik të nëntokës. Ata janë themelues të partisë së ekstremit të djathtë “Desna”, një subjekt jashtëparlamentar që ka promovuar dhe mbrojtur interesat e Rusisë në Maqedoninë e Veriut. Palevski, si kryetar i kësaj partie, më herët ka qenë kryetar i LSDM-së në Shkup, ose njeriu më i fuqishëm menjëherë pas ish-kryetarit të atëhershëm të kësaj partie, Branko Cërvenkovski. Njëkohësisht ka qenë i përfshirë në biznesin e ndërtimtarisë dhe të medias, por duke mbështetur rrugën euroatlantike të vendit. Gjatë kësaj periudhe ai ka krijuar shumë miq ndër politikanë, duke përfshirë edhe ato shqiptarë. Nga viti 2017 ai rrëshqet drejt ekstremit politik, duke u shndërruar një nga promovuesit më të mëdhenj të Rusisë në opinionin publik maqedonas. Përveç partisë “Desna”, Palevski ka qenë mysafir i shpeshtë në studiot televizive ndërsa në vitin e fundit ka mbajtur podcast-in e tij në rrjetet sociale, të emëruar si “Kërsh muhabeti” Potcast-i i fundit i tij mban numrin 113 dhe është emetuar më 29 nëntor, dy dite pasi ka ekzekutuar Vanjën dhe një javë pas ekzekutimit të Panços. Termini i rregullt i emisioneve të tij ka qenë e diela e 26 nëntorit, por në një lajmërim të postuar në profilin e tij në Facebook thotë se e anulon për të martën, që në fund ta mbajë të mërkurën.

Qëndrimet e tij pro-ruse dhe kundër forcave politike që janë angazhuar për integrim të vendit në NATO dhe BE kanë qenë të pranishme gjatë tërë kohës në sferën publike. Ai ishte kundërshtar i Ligjit për gjuhën shqipe në vitin 2017, i Marrëveshjes së Prespës me të cilën u zgjodh problemi tridhjetëvjeçar i emrit me Greqinë dhe i orientimit euroatlantik të vendit.
Në vitin 2019 Palevski arrestohet në aeroportin e Beogradit, duke pritur të udhëtojë për në Moskë. Ai arrestohet nga policia serbe në bazë të një fletë arresti të lëshuar më parë nga Kroacia.
Edhe Pançe Zhezhovski, njëri nga viktimat e Palevskit, duket të ketë lundruar në të njëjtat ujëra politik. Ai madje ka shpërndarë përmbajtje të videove të ekspertëve të afërt me Rusinë, përfshirë këtu edhe të xhelatit të tij. Në vitin 2017 Zhezhovski i bashkëngjitet partisë “Edinstvena Rusia”, e drejtuar nga Janko Baçev, një politikan që promovon interesat e Rusisë në vend. Në themelimin e kësaj partie të pranishëm ishin dy këshilltarët e parë të Putinit, Aleksandar Dugin dhe Leonid Savin.
Në tërë këtë ndërthurje ngjarjesh, në sipërfaqe del mungesa e shpjegimit logjik të motivit të vrasjeve nga ana e Palevskit dhe grupit të tij. Nëse nuk ka qenë qëllimi nxjerrja e parave nga viktimat, atëherë pse janë rrëmbyer dhe vrarë?
Ka dy pista të mundshme që mund të çojnë deri të motivi i vërtetë: e para është që të vriten dy maqedonas dhe faji t’u hidhet shqiptarëve dhe e dyta – lidhet me samitin e OSBE-së, që u mbajt në Shkup nga 29 nëntori e deri më 1 dhjetor, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të SHBA-ve, BE-së, Rusisë dhe vendeve tjera. Pista e parë mund të çojë deri te interesi i Palevskit që, nëpërmjet nxitjes së konflikteve ndëretnike, të shkaktojë një klimë të atillë politike ku partia e tij e ekstremit të djathtë do të rriste gjasat të arrijë rezultat të mirë zgjedhor në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen më 8 maj të vitit 2024. Gjatë kohës sa nuk dihej për fatin e Vanjës, portale të afërta me strukturat pro-ruse në vend publikuan dezinformata se 14-vjeçarja mbahet peng në Kosovë dhe se autorë të rrëmbimit janë shqiptarë etnik. Pista e ditë, ndërkaq, lidhet me tentimin për të minuar samitin e OSBE-së me qëllim të krijimit të trazirave që do të pamundësonin ardhjen e figurave të larta të politikës botërore, si sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken.
Sidoqoftë, këto pista ngelin në rrafshin e konspiracionit përderisa hetimet e Prokurorisë në Shkup nuk kanë përfunduar. Këto ditë bëhen ekzaminime të telefonave celularë të të dyshuarve dhe viktimave, kontaktet e tyre, dy pistoletat e gjetur gjatë bastisjes së zyrave të partisë së Palevskit si dhe të materialit tjetër të grumbulluar. Një pjesë të dilemave mund të qartësojë edhe vetë i dyshuari kryesor për dy vrasjet, Lupço Palevski, i cili po mbahet në arrest në qytetin Balikesir të Turqisë, ku u arrestua gjatë tentimit për të ikur në drejtim të vendeve të treta, aleate të Rusisë.
Autori është bashkëpunëtor i The Geopost nga Shkupi