Çështja e cila, tanimë prej kohësh diskutohet është vizita e kreut të Vatikanit në Kosovë. Ftesën për të vizituar Kosovën, Papa prej vitesh e ka në Selinë e Shenjtë! Ftesa është deponuar nga gjithë krerët shtetëror, prej ish-presidentëve Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Atifete Jahjaga, e në fund edhe nga presidentja Vjosa Osmani e kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Për dallim nga herët e kaluara, që veç lutjeve për paqe e prosperitet të Kosovës, Papa Françesku derisa po fliste për vizitat në vendet e ndryshme përmes revistës spanjolle “Vida Nueva” nga goja e tij tha se “Ne jemi duke punuar në Kosovë, por nuk është definuar”. Kjo shprehje mjaftueshëm e matur e diplomatike u konsiderua si paralajmërim e premtim i vet kreu të Selisë së Shenjt, se ai do t’i plotësoj dëshirën ftuesve duke i vizituar e përmbushur vullnetin historik të kreut shtetëror të Kosovës për vizitën e Papës.
Nga fakti që Vatikani ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe raportet nuk interpretohen si ndërshtetërore, vizita e mundshme e Papa Françeskut në Prishtinë, Prizren a tjetërkund do të mund të paraqitej nga ana e Vatikanit si vizitë pastorale. Gjithsesi, Prishtina zyrtare do të mund ta prezantonte edhe si shtetërore me shpresën që Vatikani do të ndryshonte raportin e saj ndaj Republikës së Kosovës, duke e njohur pavarësinë e saj. Edhe pesëmbëdhjetë vite pas pavarësisë së Kosovës, Selia e Shenjt nuk ka treguar ende asnjë shenjë drejt ndryshimit të kursorit të saj politikë në drejtim të pranimit të Kosovës si shtet i pavarur. Në anën tjetër, Prishtina zyrtare nuk ka ndaluar asnjëherë së kërkuari pëlqimin e pajtimin e Vatikanit për këtë fakt. Padyshim, penguese vazhdon të jetë Republika e Serbisë!
Kur për herë të parë, Papa Françesku lëshojë deklaratën rreth çështjes së vizitës që ka në plan tu bëjë “vendeve të vogla” e u përmend edhe Kosova, kjo nuk kalojë pa u vërejtur nga Beogradi. Qëndrimi gjithsesi është refuzues! Shpjegimet janë të njëjta, “Kosova është toka e shenjt serbe”. Raportet mes Serbisë e Selisë së Shenjt janë zyrtare e ndërshtetërore. Vizitat e krerëve shtetëror serb në Vatikan nuk janë përcjell asnjëherë me ftesa për Papën për të vizituar Serbinë.
Aty nga fundit i vitit 2022, kur në Serbi kishte qëndruar në vizitë tre ditore Kryetari i Këshillit Papnor për promovimin e unitetit të krishterë, kardinali Kurt Koch, i pyetur rreth një vizite të Papa Françeskut në Serbi ai kishte deklaruar se, Papa jo veç do të donte por do të ishte i lumtur të vizitonte “këtë vend të bukur”. Mirëpo, mysafiri kishte sqaruar se nuk është fjala vetëm te vullneti i Papës, por që kësaj duhet t’i paraprij një ftesë, parasë gjithash nga Qeveria e Serbisë, por duke para që Serbia është vend me shumicë ortodokse, ftesa duhet të vije edhe nga Kisha Ortodokse Serbe.
“Është takimi im i parë me Shenjtërinë e Tij (Patriarkun Profirije të KOS) dhe ky është qëllimi kryesor i vizitës sime, të takohem me të në emër të Kishës Katolike, ta përgëzoj për fronëzimin e tij dhe t’i uroj të gjitha të mirat”, kishte deklaruar, kardinali Koch në Beograd për agjencinë e lajmeve Tanjug në atë kohë. Ai po ashtu kishte folur edhe për marrëdhëniet mes Kishës Ortodokse Serbe dhe Selisë së Shenjtë duke i cilësuar ato si“shumë të mira dhe miqësore” me vullnetin e tij personal që marrëdhëniet t’i thellojë edhe më shumë.
Këto marrëdhënie të cilësuara si “shumë të mira dhe miqësore” nëse përcillet trajektorja e tyre dalin të jenë jo pak problematike. Në dekadat e fundit raportet mes Serbisë dhe Vatikanit janë ndërlidhur me shumë situata që kanë prodhuar armiqësi të skajshme. Portretizimi i Vatikanit dhe Papës në Serbi ka qenë fortë i keq. Politika serbe ka akuzuar Vatikanit për përfshirje në luftërat në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Janë shkruar libra të tërë nga politikan e akademik serb që e kanë stanizuar Papën e Vatikanin. KOS e ka mbajtur përgjegjës Selinë e Shenjtë se ajo paska kanonizuar kardinalin kroat Alojzi Stepinac, i cili kishte shërbyer si Kryepeshkop i Zagrebit prej viti 1937 e deri në vdekje. Ndërsa tek në vitin 1953 Stepinac ishte kurorëzuar Kardinal. Kardinali Stepinac gjatë Jugosllavisë së Titosë është akuzuar dhe ka mbajtur burg si bashkëpunëtor i Ustashëve kroat gjatë ekzistencës së Shtetit të Pavarur Kroat. Veç kësaj politika dhe Kisha Ortodokse Serbe, Vatikanin e akuzojnë edhe për krimet në Jasneovac. Janë këto e momente tjera që i tangojnë këto mekanizma fetar e shtetëror të cilët nuk e bënë realitet ardhjen e Papës në Nish, në vitin 2013 për të shënuar 1700 vjetorin e “Ediktit të Milanos”.
Kosova është tema e cila po ashtu përbën pikë kthesën e raporteve të KOS-it, e paralelisht kësaj të Serbisë me Selinë e Shenjtë. Për “punën e pa definuar” të Papës rreth vizitës në Kosovë, ish-ambasadori i Serbisë në Selinë e Shenjët, Darko Tanaskoviq, thotë për mediet serbe se vizita e Papa Françeskut në Kosovë, “do të ndikonte pa asnjë dyshim. Do të kishte efekt jashtëzakonisht negativ dhe do të çonte pas marrëdhëniet e qëndrueshme dhe konstruktive ndërshtetërore, dypalëshe mes Serbisë dhe Selisë së Shenjtë. Të ndjeshme, por edhe të balancuara ndër kishtare mes KOS dhe Kishës Katolike, si dhe dialogu i përgjithshëm ekumenik ortodokso-katolik, deri në gjendjen e të cilit Papa Françesku kujdeset shumë”. Ambasadori Tnaskoviq shpjegon skepticizmin e tij për vizitën e Papës duke i përmendur edhe rrethanat gjeopolitike në të cilat ndodhën ato sot. “Vështirë të shihen arsye mjaft të forta, veçanërisht në mes të krizës së madhe ukrainase, për të cilën Papa do të vinte në dyshim gjithçka që thuhej për hir të vizitës së Albin Kurtit dhe grupit të tij. Por vitet e fundit, kur bëhet fjalë për politikën, ne kemi qenë empirikisht të bindur për korrektësinë e urtësisë që përmbajnë fjalët: kurrë mos thuaj kurrë…”. Ambasadori fton që“Serbia dhe KOS duhet, aq sa varet prej tyre, të veprojnë në mënyrë proaktive kundër surprizave të pakëndshme”.
Vizita e Papa Françeskut në Prishtinë, por edhe njohja e Republikës së Kosovës nga Vatikani do të ishte e duhura në këto rrethana gjeopolitike, ku lutjet për paqe e prosperitet do të merrnin formën e vetë më të mirë./The Geopost/