
Regjisori amerikan i filmit Oliver Stone dhe historiani amerikan Peter Kuznick, i cili është edhe drejtor i Institutit për Studime Bërthamore, kanë përdorur Kosovën dhe intervenimin e NATO-s në vitin 1999 për të shtyrë përpara agjendën kinezo-ruse kundër SHBA-ve dhe NATO-s.
“Kosova është një shtet gangster”, tha Oliver Stone, në një podcast në rrjetin X me gazetarin Tucker Carlson, ku ishte i pranishëm edhe Peter Kaznik, duke u munduar të paraqesë Kosovën si shtet të dështuar që strehon gangsterë, një agjendë që Serbia e Rusia mundohen ta shtyjnë përpara vazhdimisht.
Stone tha se Kosova është “një shkelje në nivelin më të thellë të gjithçkaje për të cilën po flasim”.
“Mbajtën një referendum pak të dyshimtë… Por ne thamë se janë të lirë, se nuk janë më pjesë e Serbisë. Kosova si e tillë është shtet gangster me një qëllim madhor. Unë isha atje, mund t’ju them se ajo që ndodhi ishte e tmerrshme”, tha Stone, duke mohuar faktet që NATO intervenoi për të ndalë spastrimin etnik.
Ndërkaq, Kaznik theksoi se në Rusi ka një pikëpamje krejtësisht më tjetër të asaj që ndodhi në Serbi, në krahasim me Perëndimin.
Kur u pyet nga Carlson se cili ishte qëllimi i bombardimit të Serbisë në vitin 1999, Stone tha se, pavarësisht justifikimeve të Perëndimit se bëhej fjalë për “kapjen e një diktatori, qëllimi i vërtetë ishte destabilizimi dhe shpërbërja e Jugosllavisë”.
”Ne bombarduam një qytet në Evropë, Beogradin, në vitin 1999. Mendoni për këtë,” tha Stone, duke vënë në dukje se ishte “një shembull i politikës amerikane të bazuar në parimin e përça dhe sundo, përça dhe sundo”.
Ai shtoi se “rreth 96 për qind e rusëve besojnë se ajo që ndodhi ishte një krim lufte. Shtetet e Bashkuara po vendosin një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla, që nënkuptonte kalimin përmes OKB-së. Por kur ata nuk mund ta merrnin këtë, ata e bënë atë vetëm ushtarakisht”.
NATO intervenoi vetëm atëherë kur Sllobodan Millosheviq, president i atëhershëm i Serbisë, refuzoi të nënshkruante një marrëveshje në Rambuje të Francës.
Por, kush janë Oliver Stone dhe Peter Kaznik?
Profesori i Universitetit Amerikan, Peter Kaznik, foli për mediumin propagandistik ‘Russia Today’ përpara se të shfaqej në podkastin e Carlson, ku edhe aty përhapi agjendat ruse.
Aty ai tha se “strategjia që po ndiqet nga SHBA në konfliktin në Ukrainë rrezikon të provokojë reagime serioze nga Rusia”.
Në një intervistë për një media ruse, ai paralajmëroi kundër supozimit se vijat e kuqe të Rusisë mund të kalohen pa pasoja.
“Rusia vazhdon të tërheqë vija të kuqe dhe SHBA vazhdon t’i kalojë ato” me supozimin se Rusia po bën “bllof” dhe se presidenti Vladimir Putin “nuk do t’i zbatojë kërcënimet e tij”, tha Kuznick.
Ai e përshkroi këtë qasje si një “lojë të budallenjve”, duke paralajmëruar se mund të çojë në pasoja të rënda.
Kuznick, duke tentuar të krijojë ndjenja të frikës mbi një “reagim të mundshëm të Rusisë”, krijoi përshtypjen se Rusia do të mbetej pasive, duke e quajtur atë “çmenduri” dhe duke theksuar se supozime të tilla “luajnë bixhoz me sigurinë globale”.
Putin, në përputhje me pikëpamjet e Kaznikut, në dhjetor akuzoi SHBA-në për nxitjen e përshkallëzimit duke armatosur Kievin dhe duke e shtyrë Rusinë në një “vijë të kuqe”. Ai pretendoi se Perëndimi po i përdorte këto provokime për të ngjallur frikë në popullatën e tij.
Duke reflektuar mbi politikat e Donald Trump, Kaznik vuri në dukje se Trump “nuk e sheh Rusinë si një armik të paepur”, edhe pse administrata e tij ofroi ndihmë për Ukrainën në vitin 2019 dhe rriti sanksionet ndaj Rusisë.
“Unë nuk e shoh Trumpin si mik të Rusisë. Nuk e shoh si të qenit në xhepin e Putinit siç bëjnë shumë njerëz në Perëndim. Por unë shoh se ai është gati të bëjë marrëveshje”, tha ai.
“Trump nuk ka vlera të forta apo besime të forta”, që “do të thotë se ai mund të jetë ose më i keq, në mënyrë dramatike më i keq, ose ai mund të jetë në mënyrë dramatike më i mirë”. shtoi Kuznick.
Kuznick paralajmëroi se krizat në Ukrainë, Gaza, Tajvan ose Detin e Kinës Jugore mund të përshkallëzohen shpejt në konflikte më të gjera, duke përfshirë luftën bërthamore. Edhe kjo është një pikëpamje e regjimit në Rusi që vazhdimisht kërcënon për luftë bërthamore.
Kaznik u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të përshtaten me “një botë shumëpolare”, duke theksuar diplomacinë mbi veprimin e njëanshëm.
Këtë term “botë shumëpolare” e përdor si Kina ashtu edhe Rusia në përpjekjet e tyre për të luftuar dominimin e SHBA-së.
Ai kritikoi gjithashtu administratën e presidentit në largim Joe Biden për politikën e tij të jashtme “agresive dhe mbështetjen e palëkundur për veprimet e Izraelit në Gaza, të cilat ai pretendoi se minuan pozitën globale të Uashingtonit”.
Disa muaj pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Kaznik propozoi në një nga analizat e tij që Kina të ishte një ndërmjetëse e paqes në luftë.
Një nga arsyet që ai përmendi ishte se Kina respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke hedhur poshtë në mënyrë efektive pretendimet e Putinit për të kundërtën.
Ai iu referua gjithashtu deklaratës së Putinit se Xi është miku i tij më i dashur në botë dhe se Kina është partneri tregtar numër një i Rusisë dhe “një aleat i madh në luftën kundër hegjemonisë dhe unipolaritetit global amerikan”.
Ai gjithashtu deklaroi se është në interesin e Kinës të ruajë paqen dhe stabilitetin relativ (pavarësisht nga luftërat e shumta në SHBA) që e kanë lejuar atë të “rritet ekonomikisht me një ritëm krejtësisht të paprecedentë në historinë njerëzore”.
Ai shtyri përpara edhe agjendën që Kina synon të ndjekë në ndërmjetësimin në luftën në Ukrainë, duke tentuar që Xi të bëjë një imazh si paqebërës e që do të ishte shumë më i dobishëm për Xi-në si diktator.
Oliver Stone, siç tha në korrik 2023 për podkastin “Stay Free” të prezantuesit britanik Russell Brand, beson se Amerika e ka humbur mundësinë për të qenë një partner me Rusinë dhe Kinën, “të cilët tani janë armiqtë tanë kryesorë”.
Regjisori amerikan beson se “propaganda amerikane” është fajtori kryesor për shtrembërimin e përshtypjes së presidentit rus Vladimir Putin.
“Ai (Vladimir Putin) nuk është përbindëshi që makineria e propagandës amerikane e portretizon atë dhe kjo është një tragjedi fatkeqe”, tha regjisori, duke mohuar realitetin e vrasjeve që ndodhin thuajse çdo ditë nga sulmet ruse në Ukrainë.
Stone vuri në dukje se gjatë xhirimit të një dokumentari për Vladimir Putin në vitin 2017, ai i bëri presidentit rus pyetje të drejtpërdrejta dhe të sinqerta. Megjithatë, sipas Stone, ai nuk ka vërejtur ndonjë “luftëtar” te lideri rus.
Regjisori i kushtoi vëmendje të veçantë faktit se Putini i quajti politikanët amerikanë “partnerët amerikanë” dhe se ai ishte gjithmonë pro bashkëpunimit konstruktiv.
Stone ka realizuar më parë një dokumentar për presidentin rus bazuar në një bisedë të gjatë me të. Në vitin 2016, së bashku me regjisorin ukrainas Igor Lopatenko, ai prodhoi një film për ngjarjet në Ukrainë në vitin 2014 të quajtur “Ukraina në flakë”.
Disa vite më vonë, të dy regjisorët realizuan dokumentarin “Zbulimi i Ukrainës”, i cili shfaqte një intervistë me presidentin rus. Të dy filmat u shfaqën në televizionin rus.
Në fund të vitit 2023, Stone, në një intervistë me portalin MuviËeb, akuzoi Shtetet e Bashkuara se duan t’i heqin Rusisë sovranitetin e saj në mënyrë që të kapin burimet e saj.
Sipas tij, Rusia u bë më e fortë pasi Vladimir Putin erdhi në pushtet në fillim të vitit 2000, gjë që në asnjë mënyrë nuk korrespondon me qëllimet e SHBA-së.
Regjisori amerikan theksoi se SHBA-të nuk duan një Rusi të pavarur, por përkundrazi duan t’i heqin sovranitetin e saj për të hyrë në kontinentin euroaziatik, i cili është shumë i pasur, siç është Rusia, e cila ka një sasi të madhe burimesh natyrore.
Në maj të vitit 2024, në Festivalin e Filmit në Kanë, në një intervistë për Politikën e Beogradit, ai deklaroi se e do Serbinë dhe se Serbia po ndjek “politika të mençura”.
“Unë e dua Serbinë, ju po ndiqni politika të zgjuara. E di që nuk keni vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe e respektoj parimin tuaj. Ju po ndiqni politika të mençura dhe keni miq”, tha Stone. /The Geopost/