Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të premten sanksione ndaj industrisë së naftës të Rusisë, të cilat përfshijnë edhe sanksionimin ndaj industrisë së naftës së Serbisë (NIS).
Departamenti i Thesarit i SHBA-së tha se ndërmori veprime gjithëpërfshirëse për të përmbushur angazhimin e G7-ës për të reduktuar të ardhurat ruse nga energjia, duke përfshirë bllokimin e dy prodhuesve kryesorë rusë të naftës.
Kompania NIS u sanksionua për shkak të të ashtuquajturit “rrezik sekondar” e që do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.
“Veprimet e sotme vendosin gjithashtu sanksione ndaj një numri të paprecedentë të anijeve transportuese të naftës, shumë prej të cilave janë pjesë e ‘flotës hije’, tregtarëve të errët të naftës ruse, ofruesve të shërbimeve të fushës së naftës me bazë në Rusi dhe zyrtarëve rusë të energjisë”, ka thënë Thesari.
“Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime gjithëpërfshirëse kundër burimit kryesor të të ardhurave të Rusisë për financimin e luftës së saj brutale dhe të paligjshme kundër Ukrainës”, tha sekretarja e Thesarit Janet L. Yellen.
“Ky veprim ndërton dhe forcon fokusin tonë që nga fillimi i luftës në ndërprerjen e të ardhurave të Kremlinit nga energjia, duke përfshirë kufirin e çmimit të G7+ të nisur në vitin 2022. Me veprimet e sotme, ne po rrisim rrezikun e sanksioneve që lidhen me tregtinë e naftës së Rusisë, duke përfshirë transportin dhe lehtësimin financiar në mbështetje të eksporteve të naftës së Rusisë”, tha ajo.
Mbretëria e Bashkuar gjithashtu po ndërmerr veprime sot, duke iu bashkuar Thesarit në sanksionimin e dy prodhuesve kryesorë rusë të naftës.
“NIS AD Novi Sad është një filial i Gazprom Neft me bazë në Serbi”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Thesarit.
Kjo ndërmarrje e Serbisë tani detyrohet të ndryshojë pronar meqë nuk mund të veprojë në tregje botërore.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas këtij njoftimi të Thesarit tha se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.
“Ata nuk lejojnë mundësinë e 49 për qind ose më pak kapital rus”, tha presidenti Vuçiq.
Ai shtoi se Serbisë i janë vendosur afate për të kryer transformimin e pronësisë së NIS-it.
Presidenti serb theksoi se NIS-i do të mund të vazhdojë të funksionojë vetëm “në mënyrë të rregullt”, ndërsa transformimi i pronësisë duhet të fillojë menjëherë.
Gazprom Neft ka aksione në NIS që nga viti 2022. Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.
Gazprom Neft është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në Rusi. Është një filial i Gazprom, i cili zotëron rreth 96% të aksioneve të saj. Kompania është e regjistruar dhe e ka selinë në Shën Petersburg pasi zyrat qendrore u zhvendosën nga Moska në vitin 2011./The Geopost/