Ekskluzivisht për The Geopost: Janusz Bugajski
Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare në qershor do të vendosin se në cilin drejtim do të zhvillohet vendi. Pas dy dekadash përparimi të mahnitshëm në rifitimin e pavarësisë, anëtarësimit në NATO dhe kualifikimit për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, Mali i Zi tani ndodhet në një udhëkryq strategjik. Mali i Zi është në ballë të lëvizjes pro-perëndimore në Ballkanin Perëndimor, ndërsa përballet me kërcënime serioze për identitetin, shtetësinë dhe pavarësinë e tij.
Kërcënimi për Malin e Zi vjen kryesisht nga dy burime të ndërthurura – nacionalizmi pan-serb i qeverisë në Beograd dhe imperializmi shtetëror rus, i cili synon të depërtojë në Ballkan dhe të krijojë probleme të reja sigurie për Perëndimin. Si Beogradi ashtu edhe Moska duken të bindur se presidenti i sapozgjedhur Jakov Milatoviq është një akter politik i papërvojë që mund të manovrohet në një orbitë më të ngushtë serbe dhe të përshpejtojë depërtimin rajonal rus.
Në intervistat e tij paszgjedhore, Milatoviq është shprehur me kujdes dhe e ka mbajtur qëndrimin e tij për çështje të rëndësishme rajonale dhe globale shumë të përgjithshme. Mbetet e paqartë nëse kjo tregon dobësi dhe pavendosmëri apo thjesht përllogaritje elektorale përpara zgjedhjeve të përgjithshme në qershor. Ai as nuk ka shprehur qëndrime antiperëndimore dhe as pro-serbe apo proruse.
Përkundrazi, ai është i përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE dhe qëndrimit në aleancën e NATO-s. Megjithatë, Presidenti i një vendi të NATO-s duhet të jetë më afirmativ dhe pozitiv për rëndësinë e anëtarësimit për pavarësinë kombëtare dhe stabilitetin rajonal dhe si një burim mbrojtjeje kundër përmbysjes së Kremlinit. Milatoviq do të duhet të mbajë një qëndrim të qartë kundër ofensivave dezinformuese të Moskës që minojnë sovranitetin e Malit të Zi dhe angazhimet evropiane.
Në dritën e konfliktit më të rëndësishëm në botë, dënimi i Milatoviqit për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, edhe pse i nevojshëm, është i pamjaftueshëm pa mbështetje të qartë për fitoren ushtarake të Ukrainës dhe çlirimin e territoreve të okupuara. Thjesht përfundimi i luftës do të konsolidonte përfitimet territoriale të Rusisë, do të rriste kapacitetin e saj dhe do të krijonte terrenin për luftërat e ardhshme pushtuese. Presidenti i ri malazez ka kohë të njihet me qëndrimin e NATO-s ndaj Rusisë dhe duhet të krijojë marrëdhënie të mira me udhëheqësit e të gjitha shteteve të vijës së parë në krahun lindor të aleancës.
Pas zgjedhjeve, marrëdhëniet e Podgoricës me Beogradin do të duhet të monitorohen me kujdes, veçanërisht pasi blloku pro-serb ka mbështetur kandidaturën e Milatoviqit dhe mund të përballet me disa ndryshime të mëdha politike në favor të tij. Në intervistat pas zgjedhjeve, Milatoviq theksoi rëndësinë e “lidhjeve historike” midis Malit të Zi dhe Serbisë dhe se këto duhet të ngrihen në “nivelin më të lartë të mundshëm”.
Nëse ky është thjesht një angazhim për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë apo një program i fshehtë i serbizimit kulturor dhe fetar dhe nënshtrimi i institucioneve të Malit të Zi ndaj ndikimit të Beogradit, do të shikohet nga afër brenda dhe jashtë vendit.
Milatoviq ka qenë kryesisht evaziv kur ka komentuar për Kosovën. Mbetet e paqartë se çfarë nënkupton ai me “respektimin e të gjitha detyrimeve ndërkombëtare” në lidhje me të ardhmen e shtetit. A do të thotë kjo se ai e pranon statusin përfundimtar të Kosovës dhe konfirmon pavarësinë e saj të përhershme, apo e mbështet projektin e presidentit Aleksandër Vuçiq për uljen e sovranitetit të Kosovës dhe madje rikthimin e territorit për Serbinë? Është thelbësore që kreu i ri i shtetit malazez të vizitojë të gjitha kryeqytetet rajonale, përfshirë Prishtinën, dhe të shprehë mbështetjen për marrëdhëniet dypalëshe bashkëpunuese dhe produktive me secilin fqinj.
Edhe pse kompetencat presidenciale në Mal të Zi janë të kufizuara me kushtetutë, Milatoviç sigurisht që do të ketë një zë të rëndësishëm brenda dhe në skenën botërore. Lëvizjet e tij do të shikohen veçanërisht nga afër në Ballkanin Perëndimor për të parë nëse ka ndonjë ndryshim të madh nga politikat e vazhdueshme pro-perëndimore të presidentit në largim Milo Gjukanoviq. Sukseset ose dështimet e tij në javët e ardhshme mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit.
Në prononcimet e tij publike, Milatoviq do të duhet të specifikojë interesat kryesore të popullit dhe shtetit malazez, diçka për të cilën presidenti i mëparshëm ishte shumë i qartë. Ai gjithashtu do të duhet të jetë i ekuilibruar dhe objektiv në kritikimin e çdo dështimi të qeverive të mëparshme dhe të sinjalizojë se korrupsioni nga çdo politikan apo parti do të hetohet, përfshirë ata që janë aktualisht në detyrë.
Më e rëndësishmja, atij do t’i duhet të ndërtojë një konsensus të gjerë politik për të çuar përpara reformat kaq jetike për Malin e Zi që të rifitojë pozicionin e tij si kualifikuesi kryesor i rajonit për anëtarësimin në BE. Si president, Milatoviq ka mundësinë të japë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e vendit dhe në fund të fundit duhet të gjykohet vetëm nga rezultatet e tij. /The Geopost/
—
Janusz Bugajski – është bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Jamestown në Washington DC, libri i tij i ri është “Failed State: A Guide to Russia’s Rupture“