
Më 26 tetor, gjeorgjianët do të përballen me një vendim kyç ndërsa votojnë në zgjedhjet e tyre parlamentare, të cilat mund të kenë pasoja ekzistenciale për të ardhmen e vendit. Votuesit do të zgjedhin midis një opozite pro-perëndimore dhe partisë anti-perëndimore në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, miqësore ndaj Kremlinit.
Është një vendim që mund të përcaktojë të ardhmen e Gjeorgjisë. Ose Gjeorgjia çimenton veten në orbitën e Rusisë – aty ku është tashmë – ose i shpëton asaj dhe kthehet në një rrugë perëndimore. Dy faktorë kryesorë po shtyjnë kundër një kthimi në rrugën perëndimore: Rusia po ndikon në politikën gjeorgjiane me mbështetjen e saj për Ëndrrën Gjeorgjiane dhe po ndërhyn në zgjedhjet e ardhshme në mënyra më të drejtpërdrejta.
Ndërhyrja e Rusisë në Gjeorgji nuk është e re; ajo është e gjatë dhe e shumanshme, përfshirë operacione hibride, ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake në gusht të vitit 2008 dhe pushtimin e vazhdueshëm të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë. Por për shumë vite, Moska u mbështet në aktorë politikë haptazi pro-rusë në Gjeorgji për të minuar aspiratat euro-atlantike të vendit.
Megjithatë, që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, ka dalë në dritë një rreshtim më i thellë, më tinëzar: Ëndrra Gjeorgjiane është shfaqur gjithnjë e më shumë si një përfaqësues i Kremlinit, duke penguar integrimin e Gjeorgjisë në institucionet euroatlantike.
Sidoqoftë, shumica e gjeorgjianëve, sipas sondazheve, e duan integrimin e vendit të tyre në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Duke iu përshtatur kësaj klime, partia Ëndrra Gjeorgjiane është paraqitur si një parti që është pro Perëndimit dhe vlerave të tij, pro-demkracisë, por e kundërta ka ndodhur në praktikë.
Që nga viti 2012, fushatat zgjedhore të Ëndrrës Gjeorgjiane janë ndërtuar mbi premtimet për ta sjellë Gjeorgjinë më afër BE-së. Edhe sot, pavarësisht sulmeve të paprecedentë ndaj Perëndimit, pankartat zgjedhore të Ëndrrës Gjeorgjiane shfaqin flamujt e BE-së dhe premtojnë integrimin në BE, duke përvetësuar një fasadë për të ruajtur mbështetjen e publikut. Në praktikë, megjithatë, partia është distancuar nga një agjendë pro-BE.
Një tjetër detaj për t’u marrë parasysh është portretizimi i Hungarisë së Viktor Orban nga Ëndrra Gjeorgjiane si një model për të ardhmen evropiane të Gjeorgjisë. Orbán është një lider gjithnjë e më autoritar që ka minuar sistematikisht demokracinë në vend, ndërsa sfidon vlerat demokratike në të gjithë BE-në.
Partia qeverisëse e Gjeorgjisë e ka cilësuar atë si fytyrën e Evropës që Gjeorgjia duhet të aspirojë, duke e paraqitur luftën e Orbanit për “vlerat tradicionale, të krishtera, konservatore, familjare” si një luftë të rëndësishme kundër “propagandës LGBTQ+” të BE-së.
Gjatë dekadës së fundit, nën premtimin e rremë për t’iu afruar BE-së, Gjeorgjia ka marrë një kthesë nga të qenit një “fener i demokracisë” në rrëshqitje drejt autoritarizmit. Vendi tani vuan nga një gjyqësor dhe institucione të kapura, me ligje që synojnë gjithnjë e më shumë median dhe shoqërinë civile dhe shkeljet e përhapura të të drejtave të njeriut. Kur vendet perëndimore filluan të zbatojnë masa për të izoluar Rusinë në përgjigje të pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës, Ëndrra Gjeorgjiane forcoi marrëdhëniet e saj me Rusinë.
Partia Ëndrra Gjeorgjiane dhe disa zyrtarë aktualë dhe ish-qeveritare janë përballur me sanksione nga Perëndimi për minimin e demokracisë dhe veprimin si agjentë të shërbimit inteligjent rus “për të ndikuar në shoqërinë dhe politikën gjeorgjiane për të mirën e Rusisë”.
Në këtë kontekst, ndryshe nga Moldavia, ku Rusia ka nisur një fushatë masive ndikimi të fshehtë për të ndikuar në zgjedhje, në Gjeorgji Kremlini mbështetet shumë te qeveria e udhëhequr nga Ëndrra Gjeorgjiane për të minuar aspiratat pro-perëndimore të vendit. Ëndrra Gjeorgjiane ka marrë në mënyrë efektive pjesën më të madhe të punës së Rusisë, duke e larguar vendin nga integrimi euro-atlantik. Tema qendrore në fushatën elektorale të Ëndrrës Gjeorgjiane këtë vit ka qenë akuzimi i Perëndimit për shkaktimin e telasheve të Gjeorgjisë dhe rajonit më të gjerë, ndërkohë që portretizon Rusinë si garantuese të paqes – një tregim i shtyrë gjithashtu shumë nga Kremlini.
Retorika e fajësimit të Perëndimit u intensifikua në fillim të vitit 2024 kur Ëndrra Gjeorgjiane miratoi një ligj të stilit rus për agjentët e huaj, që BE e dënoi dhe tha se nuk ishte në pajtim me vlerat dhe standardet e saj.
Ligji u miratua për t’i shënjestruar organizatat joqeveritare dhe mediatike të financuara nga perëndimi, duke i etiketuar ato si agjentë të huaj. Kjo lëvizje shtyp shoqërinë civile dhe hedh themelet për një narrativë më të fortë anti-perëndimore në vend.
Narrativa anti-perëndimore e vendosur nga Ëndrra Gjeorgjiane përfshin tri narrativa kryesore të dizajnuara për të manipuluar dhe influencuar votuesit:
Narrativa 1: Perëndimi po e tërheq zvarrë Gjeorgjinë në luftë, por Ëndrra Gjeorgjiane shtyn prapa për të ruajtur paqen.
Narrativa 2: Shtetet e Bashkuara po organizojnë protesta në ditën e zgjedhjeve për të përmbysur Ëndrrën Gjeorgjiane.
Narrativa 3: Ëndrra Gjeorgjiane mund të bëjë një marrëveshje me Rusinë për të rimarrë rajonet gjeorgjiane të pushtuara nga Rusia.
Megjithatë, Rusia nuk mbështetet vetëm tek Ëndrra Gjeorgjiane për të përcjellë mesazhin e saj në vend. Ajo është angazhuar gjithashtu në përpjekje të ndryshme të drejtpërdrejta për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme. Për shembull, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) ka lëshuar disa deklarata duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për orkestrimin e një grushti shteti për të përmbysur Ëndrrën Gjeorgjiane.
Në muajt e fundit, të paktën katër deklarata nga SVR kanë pohuar se Shtetet e Bashkuara po organizojnë një komplot “të stilit të Hollivudit” për të nxitur trazira civile dhe për të hequr partinë në pushtet nga pushteti përmes një “Maidani në Tbilisi”, një referencë për ngjarjet që ndodhën në Ukrainë. SVR gjithashtu shtoi se Rusia dëshiron të pengojë përpjekjet e një “revolucioni me ngjyra” në Gjeorgji duke zbuluar informacionin e disponueshëm për këtë çështje.
Në gusht, Meta hoqi një rrjet me origjinë nga Rusia që kishte në shënjestër Gjeorgjinë që po postonte në mënyrë aktive në lidhje me protestat kundër ligjit të stilit rus për agjentët e huaj. Ky rrjet kritikoi protestuesit duke shprehur mbështetjen për Ëndrrën Gjeorgjiane. Operacioni, i cili u përqendrua në faqet e internetit fiktive të lajmeve, u shtri gjithashtu në platforma të ndryshme. Aktorët rusë u përpoqën të mjegullojnë kufirin midis diskursit autentik politik dhe narrativave të manipuluara, duke shtrembëruar perceptimin publik dhe duke e bërë sfiduese për gjeorgjianët të bëjnë dallimin midis ndjenjës së vërtetë publike dhe narrativave të injektuara në diskursin online nga aktorë të huaj.
Inteligjenca ruse ka operuar gjithashtu asete në Telegramin Gjeorgjian, duke përfshirë një kanal të dedikuar për të promovuar narrativën e një “grushti shteti” të ardhshëm të organizuar nga perëndimi gjatë zgjedhjeve. Ky kanal drejtohet nga NewsFront, një platformë dezinformuese ruse e lidhur me shërbimet e inteligjencës ruse që operon në shumë gjuhë./The Geopost/