Autoritetet ruse po pengojnë anëtarësimin e Malit të Zi në marrëveshjen ndërkombëtare për kontrollin e eksportit të armatimit dhe mallrave me përdorim të dyfishtë – Marrëveshja e Vasenarit (Wassenaar).
“Rusia ka kohë që po pengon procesin e pranimit të anëtarëve të rinj” edhe pse janë përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim, thuhet në dokumentin e Qeverisë së Malit të Zi për përmbushjen e rekomandimeve nga raporti i Komisionit Evropian.
Marrëveshja e Vasenarit ka 42 anëtarë, përfshirë Rusinë, dhe të gjitha vendimet merren me konsensus.
Anëtarët, ndër të tjera, shkëmbejnë informacione mbi armatimet konvencionale dhe teknologjitë e ndjeshme me qëllim të forcimit të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Ambasada e Rusisë nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë (RFE) nëse dhe pse Moska po pengon pranimin e Malit të Zi.
Marrëdhëniet mes Podgoricës dhe Moskës janë përkeqësuar për më shumë se një dekadë, kryesisht për shkak të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe pushtimit rus të Ukrainës.
Çfarë është Marrëveshja e Vasenarit?
Krijimi i Marrëveshjes së Vasenarit erdhi pas Luftës së Ftohtë, si rezultat i nevojës së vendeve për bashkëpunim me qëllim të zvogëlimit të rrezikut të përhapjes së armatimit konvencional dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë.
Marrëveshja përgatit dy lista kontrolli, në të cilat mbështeten në legjislacionin e tyre si Bashkimi Evropian ashtu edhe Mali i Zi – njëra ka të bëjë me eksportin e armëve, dhe tjetra me mallrat dhe teknologjitë me përdorim të dyfishtë.
Në të parën përfshihen, për shembull, tanke, aeroplanë luftarakë, helikopterë…
Në të dytën përfshihen kompjuterët, telekomunikacionet, sensorët, lazerët, sistemet e shtytjes… pra, mallra dhe teknologji që përdoren për përdorim civil, por që mund të përdoren edhe për zhvillimin, prodhimin ose forcimin e aftësive ushtarake.
“Marrëveshja nuk është e drejtuar kundër ndonjë shteti apo grupi shtetesh dhe nuk pengon të drejtën e shteteve për të fituar mjete legjitime për vetëmbrojtje,” tha një burim diplomatik i RFE-së i njohur me situatën.
Megjithatë, ai shton se qëllimi i marrëveshjes është që eksporti të kontribuojë në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, dhe të parandalojë që armët të përfundojnë në duart e terroristëve.
Problemi i Malit të Zi
Iniciativa për t’u bashkuar u paraqit dhjetë vjet më parë edhe nga Mali i Zi, anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE.
Qeveria thekson se ka përmbushur të gjitha kushtet formale për anëtarësim.
Përveç harmonizimit të legjislacionit, nga Ministria e Punëve të Jashtme – nën juridiksionin e së cilës është çështja e anëtarësimit – theksuan për RFE se procesi i anëtarësimit ka edhe një dimension më të gjerë politik sepse për pranim është i domosdoshëm konsensusi i 42 anëtarëve të marrëveshjes.
“Megjithatë, vendimi përfundimtar, konsensual për pranim do të varet nga rrethanat gjeopolitike dhe klima brenda Marrëveshjes së Vasenarit, kryesisht nga pozicioni i Federatës Ruse,” shkruhet në dokumentin e Qeverisë.
Komisioni Evropian, në raportin e këtij muaji për Malin e Zi, konstatoi se nuk ka pasur përparim në çështjen e anëtarësimit në marrëveshje.
“Për Malin e Zi ky është një nga detyrat në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por BE-ja duhet të tregojë tolerancë këtu për faktin se ekziston një palë e tretë. Në këtë rast, Federata Ruse e merr këtë vendim, jo institucionet e BE-së,” tha për RFE analisti ushtarak Aleksandar Radiq.
Radiq shton se një veprim i tillë i vendeve të treta nuk është korrekt, por se si anëtare kanë të drejtë për këtë.
Megjithatë, thekson se Mali i Zi tashmë vepron siç përcaktohet nga Marrëveshja e Vasenarit, duke theksuar veçanërisht cilësinë e raporteve malazeze për eksport në krahasim me ato të vendeve të tjera.
Veprimi rus në marrëveshje problem për SHBA-në dhe BE-në
Problemin e veprimit të Rusisë në punën e Marrëveshjes së Vasenarit e kanë vënë re edhe Brukseli edhe Uashingtoni.
Në fakt, në dokumentin e Parlamentit Evropian të nëntorit 2023 thuhet se efikasiteti i Marrëveshjes së Vasenarit përballet me sfida “duke pasur parasysh anëtarësimin e Rusisë dhe situatën e ndryshueshme gjeopolitike”.
“Struktura e anëtarësimit e bazuar në konsensus ka ngritur shqetësime në lidhje me efikasitetin e saj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur rezerva në lidhje me respektimin e paktit nga Rusia, duke përmendur përfshirjen e saj në sulme kibernetike dhe përpjekjet për të fituar teknologji të ndjeshme,” shkruhet në dokument.
Serbia dhe Shqipëria ‘në pritje’?
Mali i Zi nuk është i vetmi që pret anëtarësimin.
Analisti ushtarak Aleksandar Radiq i tha RFE-së se edhe Serbia është në listën e pritjes për anëtarësim.
Komisioni Evropian në raportin për Shqipërinë ka deklaruar se “përfundimi i procesit të anëtarësimit është bllokuar nga një prej shteteve pjesëmarrëse”.
Në raportin e Komisionit nuk specifikohet se për cilin shtet bëhet fjalë.
Ambasada e Shqipërisë nuk iu përgjigj kërkesës së RFE-së nëse bëhet fjalë për Rusinë.
Kroacia, e cila është anëtare e BE-së dhe NATO-s, këtë vit shënon 20 vjet anëtarësim në Marrëveshjen e Vasenarit.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane e Kroacisë i thanë RFE-së se anëtarësimi në këtë marrëveshje tregon se shteti ka një sistem të zhvilluar dhe të besueshëm të kontrollit të eksportit.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e sotëm gjeopolitik, në të cilin teknologjitë e avancuara – si inteligjenca artificiale, gjysmëpërçuesit e avancuar dhe teknologjitë kuantike – mund të përdoren për qëllime represive ose ushtarake,” thanë nga Ministria.
Ndër anëtarët e marrëveshjes janë shumica e vendeve të BE-së dhe NATO-s./RSE/

Demokracia triumfoi në Hungari, Vuçiqi në frikë nga ndryshimet që po vijnë
Portal Novosti shpërndan propagandë: Marrëveshja mediatike shpallet “pakt kundër serbëve”
Zgjedhjet lokale në Serbi: Vuçiq i dobësuar, alternativa ende nuk ekziston
Analizë: Beteja për Hormuzin dhe “Prosperity Guardian”
Mediumi serb manipulon për ushtarët amerikanë të KFOR-it: Nga interesi për ortodoksinë në pranim të fesë
Nga propaganda te ndikimi: Rrjeti global i separatizmit i mbështetur nga Rusia