Pas kësaj ideje, në fakt qëndron synimi i presidentit të Serbisë, por mbi të gjitha i kryetarit të Partisë Progresive Serbe, për të ribrenduar një parti jo aq popullore.
Jo shumë kohë më parë, Aleksandar Vulin, një nga njerëzit më të afërt dhe më të rëndësishëm të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, shqiptoi një slogan për nevojën e krijimit të një bote të bashkuar serbe. Ideja unike e ministrit aktual të policisë synonte ta vendoste Vuçiqin në qendër të historisë si liderin e padiskutueshëm të botës së bashkuar politike serbe.
Kudo që kishte mundësi të tregohej e të shfaqej publikisht, Vulin trumbetonte për atë botë serbe. Ai këmbënguli aq shumë në këtë temë, saqë edhe Vuçiqit iu desh ta korrigjonte dhe t’i referohej faktit se ai është vetëm president i Serbisë, ndërsa Vulin rregullisht e injoronte dhe pretendonte se Vuçiq është president i të gjithë serbëve. Dhe më pas, si një rrufe në qiell, Vuçiq hodhi idenë e nevojës për të krijuar një lëvizje të re politike, qëllimi i së cilës do të ishte shpëtimi i Serbisë dhe që do të përbëhej nga të gjithë njerëzit e denjë. Sipas Vuçiqit, kundër Serbisë po zhvillohet një luftë hibride si nga perëndimi ashtu edhe nga lindja dhe për këtë duhet blloku serb për ta parandaluar atë.
Siç shpjegoi Vuçiq, kjo do të ishte një kundërpeshë ndaj ekstremeve në Serbi, si në të djathtën ashtu edhe në të majtën. Ideja e tij u pranua me padurim nga Vulin, si dhe miku i Vuçiqit dhe mega-mbledhësi i fondeve, deputeti Vladimir Gjukanoviq, i cili çdo deklaratë të Vuçiqit e përshëndet me duartrokitje dhe sqarime shtesë. Vulin harroi se deri dje fliste për botën serbe dhe kaloi në bllokun serb për një Serbi të denjë dhe fatkeqit Gjukanoviq nuk i kujtohet më se si mburrej se në shtëpinë e tij, pranë ikonës së lavdisë së pagëzimit, është një foto e presidentit rus Vladimir Putin, e cila duhet ta ketë klasifikuar atë si ekstremist pro-rus.
Ribrendimi i një partie jopopullore
Pas kësaj ideje qëndron në fakt synimi i presidentit të Serbisë, por mbi të gjitha i kryetarit të Partisë Progresive Serbe, për të ribrenduar një parti jo aq popullore që ka arritur shifrën e 700 mijë anëtarëve. Edhe Partia Komuniste e Serbisë nuk ka aq anëtarë. Vuçiq, sipas të gjitha gjasave, u bë i vetëdijshëm se partia e tij në Serbi është shumë më e dobët se e tij dhe se ka ardhur momenti për të ndryshuar diçka.
Në zgjedhjet e gjashtë muajve më parë, Vuçiq mori 17 për qind më shumë vota se partia e tij. Falë ligjit zgjedhor në Serbi edhe vetëqeverisjet lokale zgjidhen sipas sistemit proporcional pa obligim që në fushatë të deklarojnë se kush është kandidat për kryetar komune. Bartësi i të gjitha listave është Vuçiq dhe në bazë të emrit të tij, progresistët sundojnë në të gjitha komunat dhe qytetet, përveç tre apo katër.
Edhe Vuçiq, kushedi sa herë radhazi, deklaroi se pas zgjedhjeve të prillit nuk do të jetë më kryetar i SNS-së, por këtë nuk e kuptoi kurrë. Anëtarë më të shquar të SNS-së kanë regjistruar disa video në të cilat, në një lëvizje të dëshpëruar, ata përpiqen të bindin shefin e tyre që të mos largohet nga kryesimi i partisë. Shkalla e poshtërimit me të cilën ranë dakord këta anëtarë duke marrë pjesë në këtë lloj propagande është e vështirë të matet me botën normale.
Në fund do të ndodhë që presidenti i Serbisë të japë dorëheqje nga pozita e kreut të SNS-së dhe pastaj në të njëjtën mbledhje të zgjidhet si udhëheqës i asaj lëvizjeje të re, e cila tani për tani ka ka një titull zyrtar- Blloku serb për një Serbi të denjë. Vuçiq tha nga Nju Jorku se lëvizja do të formohet në gjashtë muajt e ardhshëm. Përgatitjet për formimin e një lëvizjeje të re, siç e dimë, po zgjasin shumë. Në fund të fundit, këtë e ka bërë të ditur Gjukanoviq në rrjetet sociale, duke mos e konsideruar ende veten ekstremist që mban fotografinë e Putinit në shtëpinë e tij.
Dhe, pikërisht ekstreme të tilla po “sulmohen” nga shokët kryesorë të Vuçiqit. Tani gjoja po i bezdisin djathtistët që e kanë Rusinë pak më shumë për zemër se sa do të donin. E kemi pak të vështirë ta gëlltisim diçka të tillë, sepse në tubimet për shpëtimin e Rusisë, pra për shpëtimin e Serbisë ka qenë edhe babai i presidentit të Serbisë. Nëse Vuçiq nuk ka atë lloj autoriteti për t’i shpjeguar babait të tij se nuk është e përshtatshme që ai të paraqitet në një ngjarje të tillë, pasi djali i tij është president i Serbisë, i cili mund të ketë probleme për këtë, si do t’ia dalë të njëjtën gjë t’u shpjegojnë qytetarëve të Serbisë.
Sigurisht, ky është një tjetër manipulim i nivelit të lartë nga presidenti i Serbisë. Është ai që organizoi mitingjet, gjoja, për shpëtimin e Serbisë dhe rrëzimin e komunitetit LGBTQ+. Në atë kortezh kishte më shumë simbole ruse se serbe, por nuk përjashtohet mundësia që aty të ishin shfaqur vullnetarisht dhe jo nën drejtimin e Vuçiqit dhe ky është shqetësimi në kokën e tij. Ende babai i tij në rreshtin e parë.
Për Serbinë lufton vetëm Vuçiq
Gjëja më e rrezikshme është se edhe Vuçiq e quajti atë pjesë të vogël të mendjes së shëndoshë të Serbisë ekstremiste, por nga poli tjetër politik. Për të, këta janë liberal të majtë dhe e përbashkëta me ata të djathtë është se të gjithë punojnë kundër Serbisë. Vetëm ai, i gjori, lufton për Serbinë 24 orë në ditë, mendon për Serbinë dhe punon në favor të Serbisë. Po ashtu, edhe Vulin e Gjukanoviq.
Vuçiq i dha vetes të drejtën të thërriste njerëzit që mbrojnë Bashkimin Evropian, sistemin e vlerave që i përket botës moderne evropiane, ata që luftojnë për ekologjinë dhe që janë në favor të respektimin e kushtetutës që garanton lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për një shprehje të hapur të pozicionit të tyre, ai e barazoi atë me ekstremistët e krahut të djathtë që mbështesin Rusinë që pushton të gjithë Ukrainën, që fotografia e Putinit të jetë në çdo shtëpi serbe, jo vetëm të Gjukanoviqit, të cilët kanë frikë nga parada e homoseksualëve dhe që sulmojnë policinë me lopata.
Ndoshta Vuçiq e ka tepruar me lojën e tij dhe gjithçka nuk po i shkon ashtu siç e ka imagjinuar. Ai pret të ribrendojë SNS-në duke bërë thirrje për një Serbi të denjë me të gjithë, me Vulin dhe Gjukanoviq. Nuk ka nevojë të zgjerohet lista e “të denjëve”, këta të dy janë shembuj të mjaftueshëm të “Serbisë së denjë” të Vuçiqit. Nëse Vuçiqit i ecë kjo ide, do të jetë fillimi i realizimit të mbijetesës së tij të përjetshme në pushtet, sipas modelit të Putinit. Nëse kjo nuk shqetëson Serbinë e denjë, disa të tjerë “të denjë” do t’i marrin gjërat në duart e tyre dhe do ta vendosin Serbinë në prag të rrënimit./AL JAZEERA/