Shkupi nuk preket shumë nga taksat shtesë që Sofja ka vendosur ndaj gazit rus që tranziton nëpër territorin bullgar, por nga kontrata afatgjate që operatori bullgar ka me Gazpromin për menaxhim me linjën e ndërlidhjes që bart gazin drejt Maqedonisë së Veriut.
“Problemi për ne nuk është kjo taksë, por kontrata afatgjate me të cilën operatori bullgar i ka shitur Gazprom-it rus transmision e gazit në linjën e interkonekcionit me Maqedoninë e Veriut. Kjo do të thotë se në njërën ta vendos këtë taksë, kurse në anën tjetër të detyron të shfrytëzosh gazin rus”, thotë për The Geopost Bajram Rexhepi, drejtori i kompanisë shtetërore energjetike për përçim dhe operim me sistemin e transmetimit të gazit natyror “NOMAGAS”.
“Nuk është aq problem taksa, sa monopoli i Gazpromit”
Javë më parë Bullgaria vendosi taksë për gazin rus që kalon nëpërmjet territorit të saj drejt Bashkimin Evropian (BE) dhe vendeve të rajonit të Ballkanit. Ky vendim hyri në fuqi menjëherë dhe vendosi një tarifë prej 10.76 dollarë për megavat orë.
Rexhepi thotë se ky është një vendim politik dhe si i tillë kërkon një zgjidhje politike.
“Ne nuk mund të ndikojmë në vendimin e Parlamentit të Bullgarisë, por kemi bërë gjithçka që kemi në dorë që të minimizojmë pasojat e këtij vendimi”, shtoi ai
Maqedonia e Veriut ka një kontekst të hapur me Bullgarinë për shkak të pikëpamjeve të ndryshme të të dyja shteteve lidhur me historinë e para Luftës së Dytë Botërore. Bullgaria pretendon se ngjarjet dhe figurat historike të para vitit 1945 që kanë ndodhur ose vepruar në Maqedoninë e sotme janë bullgare, gjë për të cilën nuk pajtohet Shkupi. Kjo prodhoi veton e Bullgarisë për Maqedoninë në Vitin 2020, e cila pamundësoi Shkupin të hapë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Vitin e kaluar parlamentet e dy shteteve miratuan Propozimin Francez, me të cilin parashihet përfshirja e bullgarëve etnik në Kushtetutën e vendit si parakusht për vazhdimin e bisedimeve me Brukselin.
Së këndejmi, Rexhepi është i kujdesshëm që të mos përkeqësojë raportet me Sofjen edhe kur bëhet fjalë për problemin e furnizimit pa alternativë me gazin rus.
“Vitin e kaluar nënshkruam një marrëveshje, e cila mundëson lirimin e kapacitetit vjetor prej 180 milionë metër kub jashtë gazit rus. Por kjo nuk është e mjaftueshme pasi ne harxhojmë rreth 400 milionë metër kub në vit. Kjo do të thotë se si shtet detyrohemi të shfrytëzojmë më shumë se 220 milionë metër kub gaz rus për shkak të problemit në Bullgari”, thotë Rexhepi.
Ai njofton se këto ditë ka pasur një komunikim intensiv për të alarmuar të gjithë institucionet relevante evropiane që të lirohen edhe kapacitetet tjera të nevojshme që të mund të shfrytëzohen burime tjera jashtë gazit rus.
“Besoj se do kemi një zgjidhje”, shprehet optimist Rexhepi.
Varshmëria nga gazi i Rusisë
Bullgaria vetë nuk shfrytëzon gazin rus për nevojat e brendshme. Pas agresionit së Rusisë ndaj Ukrainës Moska ndali shitjen e gazit për Bullgarinë për shkak se refuzoi ta paguante me monedhën ruse. Deri vitin 2022 Gazprom-i ishte një nga furnizuesit kryesorë të gazit në Bullgari. Megjithatë, Bullgaria mbeti një nga rrugët e pakta për dërgimin e gazit të Gasprom-it në BE dhe rajon, pas sanksioneve që BE i vendosi Rusisë. Gati gjysma e gazit rus nga gazsjellësi i destinuar për në BE aktualisht kalon përmes Bullgarisë, duke hyrë përmes tubacionit TurkStream.
A mund BE-ja dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor të pavarësohen nga gazi i Rusisë?
“Koncepti i pavarësisë është shumëdimensional”, përgjigjet Rexhepi. Sipas tij, një shtet është plotësisht i pavarur nëse krijon pavarësi politike, ushtarake, ekonomike apo energjetike.
“Varshmëria energjetike po bëhet gjithnjë e më sfiduese për shkak të rëndësisë së saj për ekonominë e një vendi. Rritja ekonomike e një shteti është në proporcion të zhdrejtë më kostot e energjisë. Pra sa më energji të lirë të kesh, aq më konkurrues je në treg dhe rrjedhimisht ke bruto prodhim më të lartë. Kjo është si pasojë e prodhimit, i cili gjithnjë e më shumë bazohet në teknologji dhe makina të cilat punojnë me energji”, thotë Rexhepi.
Ai vlerëson se Evropa në përgjithësi dhe rajoni në veçanti, njëjtë edhe Maqedonia e Veriut, kanë ecur me hapa shumë të ngadaltë drejtë pavarësisë energjetike dhe diversifikimit të burimeve të energjisë. “Fatkeqësisht Rusia e ka shfrytëzuar këtë boshllëk edhe për përfitime maramendëse ekonomike, po edhe për të shtrirë ndikimin e saj gjeopolitik. Kjo ka shkaktuar shumë probleme. Dhe fatkeqësisht këto probleme zgjidhje akute nuk kanë, sepse projektet energjetike janë shumëvjeçare dhe afatgjata”, nënvizon Rexhepi.
Gazi rus para agresionit ne Ukrainë, sipas tij, ka qenë dominant ne Evrope duke ndarë rreth 45% të këtij tregu. “Nuk e di nëse ky ka qenë një gabim i qëllimshëm apo i paqëllimshëm, por në fakt ekonomitë më të forta të BE-së kanë patur një varësi substanciale nga gazi Rus. Gjetja e alternativave këto dy vite krijon shumë trauma ekonomike ne BE, sidomos në Gjermani, e cila këtë vit përballet me krizën inflacionit dhe recesionit”, thekson Rexhepi. Duke marrë parasysh investimet e mëdha për diversifikimin e burimeve të energjisë, si në Evropë ashtu edhe në rajon, Rexhepi është optimist se do të arrihet pavarësimi energjetik i nevojshëm.
Çfarë dimri na pret?
Për shkak të përdorimit të ulët të gazit natyror, Maqedonia e Veriut nuk është e goditur drejtpërdrejtë nga pasojat e luftës në Ukrainë mbi sektorin e energjisë. Megjithatë, vendi ka investuar shumë pak në këtë sektor andaj i njëjti është tejet i paqëndrueshëm.
“Në Maqedoninë e Veriut, që nga pavarësia e këndej, është investuar shumë pak në kapacitete të reja energjetike. Kjo ka krijuar një treg shumë të paqëndrueshëm energjetik, kryesisht të bazuar në lignit. Viteve të fundit po investohet shumë në kapacitete dhe burime të reja energjetike, andaj unë jam i sigurt se në 3-4 vitet e ardhshme harta energjetike e vendit tonë do të duket krejt ndryshe dhe do të ketë një transformim radikal”, paralajmëron Rexhepi.
E si do të jetë ky dimër në aspektin e çmimeve të energjisë, Rexhepi thotë se kjo varet nga shumë faktorë. Lufta në lindjen e mesme, sipas tij, ka lëkundur ndjeshëm tregjet energjetike dhe se kjo krijon një paparashikueshmëri të theksuar në kuptimin e çmimeve. Por, bazuar në nivelin e rezervave të gazit natyror të BE-së dhe rritjen e divesrifikimit të burimeve, Rexhepi është optimist se nuk do të kemi situata shokuese me çmimet si vitin e kaluar.
Shkruan: Xhelal Neziri, bashkëpunëtor nga Maqedonia e Veriut