“Nëse gjeografia i bën popujt fqinj, politika mund t’i bëjë miq, por historia është ajo që i bën krenare. Mënyra më efektive për të shkatërruar njerëzit është të mohosh dhe të zhdukësh historinë e tyre”, thotë George Orwell.
Kujtesa dhe njohja është terapia e duhur për të dalë nga kurthi i enturazhit që dikush kërkon të tresë historinë tonë në acidin mitiko-ideologjik të botoksit ballkanas. Të njohësh veten është investimi intelektual më dinjitoz, para se t’i kërkosh dikujt të të njohë ty.
Marrëdhënia jonë me Evropën i kapërcen kufijtë e fqinjësisë dhe miqësisë. Shqiptarët janë kontribuues në qytetërimin e tyre evropian. Në historinë shqiptare janë të dokumentuara lidhjet e hershme me Perandorinë Romake dhe Papatin. Janë afro 30 perandorë ilirë të ulur në fronin romak nga shekulli i III-të deri në shekullin e VI-të.
Sipas enciklopedisë italiane, në historinë e papëve të Vatikanit kanë qenë plot shtatë papë me origjinë ilire dhe shqiptare. Krishterimi, besimi i parë monotheist, prezent në trojet ilire që nga brezi i parë i apostujve, vulosi statusin e krishterimit shqiptar si identitet apostolik në dëshminë e Shën Palit, “…e kam shpallur plotësisht Ungjillin e Krishtit, nga Jerusalemi e përqark deri në Iliri”. Ndërsa Shën Asti, peshkopi i parë i Durrësit në vitin 98-të pas Krishtit, ishte martiri i parë shqiptar i krishterimit.
Në fund të viteve 80-të, dikush nga përtej Adriatikut, diti të bashkoi lutjen me kujtesën historike për një popull “të harruar” në mes të Evropës. Mesazhi i Papa Gjon Palit më 5 tetor 1980 nga brigjet përtej Adriatikut, kur dënoi persekutimin e besimtarëve dhe qytetarëve të pafajshëm në Shqipërinë komuniste, ishte preludi i kujtesës së dhimbshme për një popull, që për pak kohë, politika e bëri armik me historinë e tij dhe fillimi i funeberit të një sistemi, i vetëdënuar me eutanazi historike.
In memorium, vizita historike e Papa Vojtilës në Shqipëri me 25 prill 1993, shkundi nga pluhuri i izolimit hiret e shpirtit shqiptar nën lutjen kumbuese, “t’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare”. Ndërsa, Papa Francesku, evropianizmin shqiptar e shënjoi me kulturën e hershme të bashkëjetesës fetare.
Shqiptarët kujtojnë me nderim të veçantë Papa Vojtilën dhe mesazhet e tij në mbështetje të Kosovës.
“Paqe në Kosovë. I përbuzur e i dëbuar është Krishti në njeriun e munduar e të vrarë në luftën e Kosovës dhe kudo që ngadhënjen kultura e vdekjes. Mendoj posaçërisht për banorët e Kosovës ku dhuna dhe kushtet e jetesës të popullsisë vijojnë të bëhen gjithnjë më dramatike. Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i japë sa më shpejt ndihmën e vet Kosovës. Të respektohet historia dhe e drejta e Kosovës”, thuhet në mesazhin e Papa Vojtilës.
Këto janë vetëm një pjesëz e skedës së gjatë të fjalimeve që Papa Vojtila ia dedikoi Kosovës në vitet e mundimshme 1998-1999.
Post memorium
Marrëdhëniet e shqiptarëve me Vatikanin janë shumë miqësore. Të gjithë presidentët e kryeministrat e Shqipërisë e Kosovës kanë vizituar Vatikanin dhe janë takuar me Papën. Por vizita e presidentit shqiptar Bajram Begaj në fillim të këtij muaji pati një veçori. Ai është i pari president shqiptar që kërkon njohjen e Kosovës.
Njohja e Kosovës nga Vatikani do të ishte një hap i pazëvendësueshëm për Kosovën. Vatikani përveçse është shtet, është institucioni fetar më i madh global me ndikim të madh, sidomos në shtetet me mazhorancë katolike. Nëse Vatikani njeh Kosovën, hapet mundësia për të paktën 20 njohje të reja. Ajo do të vinte me pozita imponuese Spanjën dhe Sllovakinë, dy shtete të BE-së të cilat akoma nuk e kanë njohur. Shtetet e Amerikës Latine, ku Serbia dhe Rusia me diplomacinë e tyre kanë bllokuar njohjet, do orientonin qasjet drejt njohjes.
Njohja do t’i hiqte aleancës ruso-serbe një nga pseudo argumentet e tyre më absurde. Frymëzimi fetar i agresionit diplomatik serb ndaj Kosovës, bazuar në faktin se shumica shqiptare i përket besimit islam, do pësonte disfatën më të rëndë. Me njohjen e Kosovës do t’i hapej rruga Kishës Katolike të Kosovës për marrëveshje me shtetin e Kosovës, njëlloj si Kisha Katolike në Itali dhe Shqipëri. Ky do të ishte precedenti juridik dhe kushtetues për bashkësitë e tjera fetare, përfshi Kishën Ortodokse serbe në Kosovë, të përmbyllin kornizën ligjore të funksionimit të tyre si ente autonome brenda shtetit që i përkasin. Do të zgjidhte ligjërisht, njëherë e përgjithmonë, statusin e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë, të cilin Serbia e përdor si kalin e Trojës.
Kjo njohje do të ndihmonte ndjeshëm dialogun Beograd-Prishtinë, duke i hequr Serbisë mundësinë e abuzimit me një nga pikat më të nxehta të tij, manastiret. Njohja do t’i jepte tjetër frymëmarrje dialogut dhe do të shkurtonte distancën e njohjes reciproke mes Serbisë dhe Kosovës. Ajo do të kontribuonte jo vetëm në natyralizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi por edhe në paqen e stabilitetin e rajonit.
Hapja e këtij kapitulli nga presidenti Begaj, mesa duket një nga nismat kryesore politike të mandatit të tij, do të mbetet në histori si një nga aktet më kombëtare dhe historike të një presidenti shqiptar. Ajo meriton të gjitha energjitë dhe përkushtimin e aktorëve ndikues për t’u përmbyllur. Është çështja e të gjitha çështjeve. /JavaNews/
Shkruan: Ermir Gjinishi