“Anëtarësimi në NATO është i dëmshëm, i kushtueshëm por edhe tradhti pasi Greqia merr kontrollin mbi hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut”. “Rusia ka epërsi ushtarake dhe shkencore ndaj NATO-s dhe BE-së”. “Fuqia ushtarake BE-SHBA nuk mund të përballojë fuqinë ushtarake të Rusisë”. “Rusia dhe Kina i trajtuan më së miri krizat me pandeminë COVID-19, këto dy vende janë më solidarët, ndërsa Perëndimi është egoist për të ndihmuar të tjerët”. “Perëndimi është i ndarë në përpjekjet e tij për të marrë vendime kundër agresionit rus në Ukrainë”. “Sanksionet e BE-së, SHBA-së dhe vendeve të tjera kundër Rusisë nuk do të jenë efektive dhe do të tërhiqen sepse nga ato sanksione do të vuajnë vetëm vendet perëndimore”. “Putini është një udhëheqës i fortë që mbron interesat e popullit rus dhe të gjithë botës ortodokse”.
Këto janë narrativet më të pranishme në sferën publike të Maqedonisë së Veriut që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe paralajmëroi luftën e tmerrshme që aktualisht po ndodh në Ukrainë.
Narrativi dhe propaganda nuk janë dy gjëra të njëjta. Nuk është sinonim, ku dy fjalë të ndryshme tregojnë të njëjtën gjë. Narrativi është rrëfim i një tregimi për ngjarje të caktuara, kurse propaganda është operacion strategjik i përhapjes së porosive në opinion, që kanë një qëllim të caktuar. Propaganda përmban numra ose detaje të rreme apo të kornizuara (Framing Theory), ndërkohë paketimi i tyre si një rrëfim një tregimi është një forma më efikase ofrimit të tyre.
Propagandë e sofistikuar
Të dhënat për pronësinë e medieve nga Regjistri Qendror i Maqedonisë (CRM), tregojnë se asnjë medium i vetëm në vend nuk është në pronësi të ndonjë qytetari apo biznesi rus. Por analiza e katër medieve në gjuhën maqedonase tregon se narrativet ruse janë më se të pranishme në sferën mediatike lokale.
Për qëllime të kësaj analize është monitoruar raportimi në portalet Russia Beyond (RB), Think, Antropol dhe Kukuriku. Këto media online kanë promovuar qëndrimet ruse në lidhje me agresionin ndaj Ukrainës, qëndrimin e Rusisë kundër NATO-s dhe BE-së, dhe në të njëjtën kohë duke lartësuar figurën e presidentit rus Vladimir Putin.
Në mënyrë eksplicite, qëndrimet ruse për temat kryesore gjeopolitike janë promovuar kryesisht nga portali think.mk, i cili është në pronësi të Daniel Kraljevskit. Ky portal u krijua më 28 shkurt 2022, vetëm një ditë pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës. Portali antropol.mk është në pronësi të Shoqatës Antropol Shkup, ndërsa Kukuriku.com.mk është në pronësi të kompanisë së shërbimit Radan Advertajzing Dooel Shkup.
Russia Beyond (RB) është një media shumëgjuhëshe në internet që promovon interesat e Rusisë në disa hapësira gjuhësore. Sipas përshkrimit të vetë medias, RB është një projekt multimedial ndërkombëtar i menaxhuar nga organizata autonome jofitimprurëse “TV-Novosti”.
Por mediet perëndimore e kanë përshkruar RB-në si një mjet tjetër propagandistik të Moskës, që ndryshon në raportimin e saj nga media shtetërore, por luan të njëjtin rol. Kjo media ka botime në gjithsej 14 gjuhë, duke përfshirë edhe gjuhën maqedonase.
Mediet vendase pro-ruse nuk e fshehin preferencën e tyre për dy partitë margjinale në skenën politike në Maqedoninë e Veriut – e para është “Levica” dhe Dimitar Apasiev, e cila ka 2 deputetë dhe e dyta është “Edinstvena Macedonia” e Janko Baçev, e cila aktualisht nuk është e përfaqësuar në Parlament.
Përveç portaleve, faqet dhe grupet në Facebook janë dinamike dhe mjaft aktive. Aktivizimi maksimal i tyre ka qenë në drejtim të thellimit të mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, sidomos pas arritjes së ujdisë në mesin e vitit 2022 për heqjen e vetos për fillimin e negociatave me BE-në. Protestat në Shkup kundër këtij akordi u inkurajuan pikërisht nga media të tilla online, të cilat kishin për qëllim t’i shndërronin ato protesta në përplasje etnike maqedono-shqiptare.
Ndryshe nga RB, si një media me bazë në Rusi, media e monitoruar nga Maqedonia e Veriut është më pak e përkushtuar për të promovuar interesat ruse në vend dhe rajon. Disa nga këto media, pas miratimit të Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimeve kushtetuese në vitin 2018, kanë qenë më të rezervuara në përhapjen e narrativave për Rusinë dhe më të hapura me lajmet që promovojnë rolin konstruktiv të NATO-s dhe BE-së. Në përgjithësi, RB është fokusuar në botimin e komenteve, intervistave, analizave dhe lajmeve që nxjerrin në pah epërsinë ushtarake të Rusisë ndaj vendeve të NATO-s dhe afërsinë kulturore të Rusisë me popullin maqedonas.
Minimi i marrëveshjeve si fokus
Propaganda ruse u përpoq të ndërtojë narrativa që synonin dëmtimin e imazhit të NATO-s dhe BE-së dhe forcimin e lidhjes së popullit maqedonas me Rusinë. Që nga formimi i saj, Maqedonia e Veriut ka pasur si orientim strategjik integrimin në strukturat euroatlantike. Anëtarësimi i saj në NATO më 30 mars 2020 dhe data e fillimit të negociatave të anëtarësimit me BE u kushtëzuan me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë.
Procesi i arritjes së kompromisit, negociatat, nënshkrimi i Marrëveshjes, referendumi, miratimi i amendamenteve të Marrëveshjes për ndryshimin e Kushtetutës dhe procesi i zbatimit në praktikë u pasuan me propagandë të fortë anti-perëndimore. Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese që rezultuan nga Marrëveshja e Prespës, narrativa pro-ruse përbëhej nga informacione që tregonin epërsinë e Rusisë në raport me NATO-n dhe BE-në, veçanërisht para dhe pas fillimit të agresionit kundër Ukrainës.
Agresioni rus mbi Ukrainën ka hyrë në vitin e dytë të saj, duke krijuar një realitet të ri gjeopolitik që e ka kthyer median, nga mjet informimi, në një armë të sofistikuar. Prania ruse në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut u rrit me fillimin e agresionit kundër Ukrainës në shkurt të këtij viti.
Paralelisht me aksionet ushtarake në terren, palët filluan edhe një luftë mediatike për të krijuar opinionin botëror në mbështetje të agjendave të tyre. Në përgjigje të kësaj propagande të intensifikuar, media shtetërore ruse RT dhe Sputnik u ndaluan nga qeveria të transmetoheshin nga operatorët kabllorë të vendit. Megjithatë, ndikimi rus vazhdoi të përhapet përmes disa kanaleve televizive serbe dhe bullgare që janë të pranishme në platformat dixhitale dhe kabllore të vendit.
Sidoqoftë, ndikimi i Rusisë nëpërmjet ndërtimit të narrativëve pro-Putin dhe anti-NATO dhe anti-BD vazhdon të jetë një shqetësim i madh për sigurinë dhe demokracinë e vendit. Anketat e fundit kredibile tregojnë një rritje të konsiderueshme të disponimit anti-evropian, me ç’rast 34 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut rezultojnë se janë kundër integrimit në BE.
Kjo është përqindje më e lartë e disponimit anti-evropian në Ballkanin Perëndimor, madje edhe para Serbisë me 32 për qind. Kjo natyrisht se ka ngjallur reagime në Bruksel, sidomos në raport me Shkupin ku duket se mediet dhe sektori joqeveritar i mbështetur nga fondet evropiane nuk ka arritur të prodhojë rezultatet e pritura. /The Geopost/
—
Shkruan: Xhelal Neziri – bashkëpunëtor i The Geopost nga Maqedonia e Veriut