Ambienti medial në Serbi prej vitesh vazhdon të jetë skajshmërisht i kontaminuar. Prej televizionit publik e deri te portalet më periferike ose janë nën drejtimin e pjesëtarëve të partisë në pushtet ose nën kontrollin e tyre. Përjashtim nga kjo situatë bëjnë gazeta e përditshme Danas dhe televizioni N1, por që sfida e tyre duket mjaftë e madhe. Shkëputja e kontrollit të medias nga politika në Serbi, me ardhjen e ndryshimeve pas rënies së regjimit të Sllobodan Millosheviqit, sikur u rilidh me 2012 kur në pushtet erdhi Aleksandër Vuçiq. Niveli i lirisë së medies filloi rënien, konsiderata për lirinë e shprehjes humbi, ndërsa ligjet dhe standardet profesionale që rregullojnë funksionimin medial, edhe nga raportet ndërkombëtare janë konsideruar të ndrydhura. Polarizimi shoqëror ka arritur nivele shqetësuese për shkak të dhunimit medial që konsumojnë qytetarët për çdo ditë nga mediet e gjitha llojeve. Kryesisht kjo ndodhë përmes dezinformimit, informacioneve gjysmake, spinave të përditshëm që pasqyrojnë politikat e vullnetin e qeverisë dhe të pushtetit. Nga nxitja e nacionalizmit deri te glorifikimi i secilit veprim të Federatës Ruse, janë vijat kryesore përmes të cilave duhet të jetojnë mediet në Serbi.
Dy vite pas ardhjes në pushtet Aleksandër Vuçiq, regjimi i tij, nisi ndryshimet edhe në sektorin e medieve, përmes një Ligji për Informim. I njëjti u miratua me 2014, pas një morie komplikimesh, ku përmes këtij ligji ndër të tjera ishte paraparë edhe privatizimi i gjitha mediave shtetërore/publike. Kjo gjë afektojë edhe ato medie të cilat me mund ishin themeluar nga bashkësitë etnike jo-serbe. Duke e prezantuar ligjin si reformë e ri ngritje të këtyre medieve ndodhi kapja përmes blerjes nga eksponent të partisë së Vuçiqit ose mbyllja e atyre medieve të cilat nuk pati se kush i blen. Sidomos, kjo ndodhi me mediet e bashkësive etnike, mediet e të cilave ishin mbështetur sidomos pas rënies së regjimit të Millosheviqit, nga forcat demokratike të kohës. Përmes blerjeve masive nga eksponent të drejtpërdrejt ose të afërt me Partinë Përparimtare Serbe të medieve, erdhi deri të situata ku mbi shtatëdhjetë përqind e tyre kontrollohen nga kompani mediatike të lidhura drejtpërdrejt me strukturën e regjimit.
Pas këtyre “reformave”, mënyra dhe lloji i informimit të qytetarëve mori dimensione tjera. Si medie ato u shndërruan në zëdhënës të politikave ditore të regjimit. Nuk ngeli personazh publik i cili flet apo shkruan në mënyrë kritike për regjimin, e të mos jetë dhunuar nga gazetat, tabloidët, apo televizionet. Me theks janë gazetat “Informer”, “Srpski Telegraf”, “Veçernji List”, “Kurir”, “Alo” e të ngjashme. Më pastaj televizioni Hapi, televizioni Pink, e të ngjashme. Gazeta më e vjetër serbe “Politika” në mënyrë të strukturuar, është një me politikat zyrtare të regjimit të Aleksandër Vuçiqit. Dhuna e këtyre medieve ndaj secilit kritikë të regjimit bëhet prej vitesh e strukturuar. Zakonisht këta kritikë shënjestërohen në programet e mëngjesit të televizioneve, për të vazhduar me emisionet diskutuese në mbrëmje dhe vazhdojnë gazetat të nesërmen. Ballinat e tabloidëve dhe gazetave çelen me tituj përndjekës, ndaj secilit e secilës që është kritikë i regjimit e kërkues i ligjshmërisë në Serbi.
E kundërta e kësaj fotografie është përqasja që i bëhet figurës së presidentit Aleksandër Vuçiq nga këto medie. Glorifikimi i figurës së Vuçiqit arrin deri te majat, gati duke e prezantuar si shenjtor e mbrojtës i shtetit, kulturës, e etnisë serbe. Figura e tij është ‘dominuesja’, ‘angazhimi’, ‘lodhja e madhe për mbrojtjen e popullit serb e të Serbisë’, ‘ai të cilit ia kanë inati të gjithë’, çofshin ata armiq të brendshëm ose të jashtëm. Në vijë me këtë përqasje, lumturia e medieve për raportim të angazhimit e punës së Vuçiqit arrin maksimumin kur bëhet fjalë për vendet fqinje të Serbisë. Në këtë moment, këto medie e nxjerrin gjithë urrejtjen ndaj secilit fqinjë të Serbisë. Titujt për Kosovën e shqiptarët tejkalojnë edhe nacionalizmin serbe, ato janë ksenofobik, për Bosnjën e Kroacinë arrijnë pikën e fashizmit, për Malin e Zi inatin deri në agresivitet. Sharjet, fyerjet e ofendimet për gjithçka që vjen nga Perëndimi, kurse admirimi vazhdon të jetë për Rusinë dhe “vuajtjet” e saja në luftën e Ukrainës.
Tregues i prekshëm i dhunës mediale në Serbi janë protestat e ditëve të fundit, të nisura me slogane kundër dhunës e që të njëjtat kanë vazhduar edhe kundër medieve. Nuk mbahet mend të ketë ndodhur në ndonjë shtet demokratikë protesta kundër televizioneve. Zakonisht ato organizohen kundrejt pushtetit, por në Serbi ndodhin edhe protesta kundër televizioneve. Në vazhdën e protestave të nisura në Serbi, me një korrik u nis protesta e nëntë me radhë, e të cilat po ndodhin në atje prej dy muajsh tanimë, kundër magnatit televiziv serb TV PINK. Kërkesa e tyre ishte heqja e frekuencës kombëtare të këtij televizioni. Nxitja e dhunës, të cilën me lejen e pushtetit e bënë ky televizion, nga qarqet demokratike në Serbi, po konsiderohet si ajo e televizionit publik RTS gjatë viteve të luftës në hapësirën e ish-Jugosllavisë, të regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Protestuesit kërkuan, po ashtu heqjen e frekuencës kombëtare edhe të televizionit privat “Happy”, si dhe anulimin e menjëhershëm të programeve që promovojnë dhunën, imoralitetin dhe agresionin. Qasje të ngjashme apo të përafërt kanë edhe televizionet B92 e PrvaTV, pronarët e të cilave janë të afërt me partinë e Vuçiqit.
Fenomenet si promovimi i dhunës, agresionit, imoralitetit, shkatërrimit të ndjesisë njerëzore nën regjimin e Aleksandër Vuçiqit në Serbi i kanë prekur majat.
Në gjithë këtë kontaminim medial, gati askush në Serbi nuk e merr mundin të fletë për standardet demokratike që duhet përmbushur në fushën e respektimit të pakicave kombëtare në rrafshin e medies. Radiotelevizioni i Serbisë me të gjitha kanalet e saj, nuk ka programe për pakicën boshnjake, shqiptare ose hungareze, e mos të flasim për programet e pakicave tjera çofshin ato rome ose të ngjashme. Për dallim nga vendet e rajonit që e rrethojnë Serbinë, e në të cilat televizionet publike rezervojnë orare apo edhe kanale të veçanta për pakicat kombëtare. Standardi i respektimit të tjetrit nga mediet në Serbi është luks që nuk kalon. / The Geopost/