
Raportet Prishtinë-Beograd dhe zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të majit në Maqedoninë e Veriut ishin temat kryesore në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup, ku u diskutuan detajet e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian (BE) për rajonin. Të dyja temat janë pjesë e parakushteve për vendet përkatëse që të kenë qasje te fondi fillestar prej 6 miliardë eurosh, i cili është planifikuar për Ballkanin Perëndimor nga Brukseli, i prezantuar kah fundi i vitit të kaluar si Plan i Rritjes së rajonit.
Edhe pse pranuan të darkonin bashkë të dielën mbrëma dhe të bëjnë një foto të përbashkët pas përfundimit të takimit të sotshëm, liderët megjithatë nuk pranuan të kenë një konferencë të përbashkët për media. Përveç kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili ishte në cilësinë e nikoqirit, në takim morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi Milojko Spaic dhe ministri aktual i Financave dhe Thesarit në Këshillin e Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës Srdjan Amidziq. Si përfaqësues i Brukselit ishte Gert Jan Kopman, Drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian (BE) ndërkohë nga SHB-ja udhëtoi James O’Brien, Ndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.
O’Brien: Shkupi duhet të zgjedhë rrugën evropiane
Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut do të përcaktojnë dinamikat e integrimit të vendit në BE, tha O’Brien në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevski. Sipas tij, në muajt e ardhshëm qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të duhet të zgjedhin mes vizionit për të ecur drejt Evropës dhe një rrugë krejtësisht tjetër.
“U takon atyre të vendosin”, tha ai duke shtuar se njëri opsion politik tashmë ka shtyrë përpara procesin integrues, duke aluduar në qeverinë aktuale kurse tjetri, sipas tij, nuk tregon se si do ta integrojë vendin në BE.
“Njëra palë ka propozuar një rrugë përpara dhe është kritikuar për këtë, sepse dikujt i pëlqen, ose nuk i pëlqen ajo rrugë. Një parti tjetër premton se do të gjejë një mënyrë tjetër për të ecur përpara dhe mendoj se është e drejtë që qytetarët të kërkojnë nga ajo parti të shpjegojë se cili është vizioni i saj. Dhe pastaj mund të vendosni mes një vizioni që e dini dhe diçkaje që është premtim”, tha O’Brien.
Ai shprehu besimin se Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë së bashku në trajektoren e vendit drejt Evropës.
I pyetur për ekzistencën e një “non-paper” të partive politike shqiptare, me të cilën ato do të angazhohen që të mos bëjnë koalicion me një parti që nuk zbaton ndryshimet kushtetuese në gjashtë muajt e ardhshëm pas zgjedhjeve, O’Brien tha se nuk dinte asgjë për të.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ndërkohë, ka demantuar zërat e përzierjes së tij në skenën politike të vendit fqinj, duke mohuar se ka plane për themelimin e Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut. Kurti ka deklaruar se matematikën e koalicioneve për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut e bëjnë partitë politike dhe qytetarët këtu.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar zyrtarisht në Maqedoninë e Veriut. Kemi aktivistë, kemi edhe zyrtarë të subjektit tonë politik në Kosovë që vijnë nga Maqedonia e Veriut, këtu nuk jemi formalisht të regjistruar, andaj si Lëvizje nuk është se marrin pjesë këtu. Unë dëshiroj që të ketë pjesëmarrje sa më të lartë në zgjedhje, sepse kjo i kontribon demokracisë. Ne e dimë që regjistrimi i fundit i popullsisë, përfshirë edhe mërgatën, i ka nxjerrë shqiptarët në Maqedoninëe Veriut në 29 për qind, nëse nuk gaboj. Atyre ju takon kush do të jetë kandidat dhe kush do të jetë ai ose ajo”, ka thënë Kurti në një takim me gazetarë në Shkup.
Maqedonia e Veriut nuk arriti që deri në nëntor të përmbushë obligimin nga Propozimi Francez, një dokument të hoqi veton e Bullgarisë pasi Shkupi pranoi të përfshijë bullgarët etnikë në kushtetutën e vendit. Kundërshtimi i palëkundur i VMRO-DPMNE-së në opozitë pamundësoi arritjen e dy të tretave të votave në Parlament, aq sa ishte e nevojshme të kalojnë ndryshimet kushtetuese, të cilat mbeten parakusht për hapjen e kapitujve të parë në procesin e negociatave për anëtarësuese me BE-në. Mesazhet e O’Brien vijnë në prag të zgjedhjeve të pranverës, për të cilat ka nisur procedura.
Plani i BE-së për rritjen e Ballkanit Perëndimor
Plani për rritjen e Ballkanit Perëndimor, për të cilin u mblodhën liderët e rajonit në Shkup, Brukseli e prezantoi më 8 nëntor të vitit 2023 së bashku me raportet për progresin e vendeve aspirantë. Ai parasheh periudhën 2024-2027 dhe përmban gjashtë miliardë euro për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: dy si fonde të pakthyeshme dhe katër miliardë si kredi të buta. Ndër synimet e planit është krijimi i një tregu të vetëm rajonal dhe qasja në tregun e BE-së, dyfishimi i ekonomive dhe reduktimi i hendekut social-ekonomik midis vendeve të rajonit dhe anëtarëve të Unionit.
Për të marrë paratë e parashikuara nga Plani, vendet e rajonit duhet të plotësojnë kushte. Nga rajoni kërkohen reforma konkrete socio-ekonomike, por edhe reforma themelore si sundimi i ligjit, demokracia, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Parakusht është edhe stabiliteti makrofinanciar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparencë dhe mbikëqyrje të buxheteve etj.
Për Serbinë dhe Kosovën ekziston edhe një parakusht i veçantë: të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella në mënyrë që të zbatohen obligimet nga marrëveshjet dhe anekset e arritura deri më tani.
“Ne mbështesim udhërrëfyesin për të cilin është rënë dakord në këtë vend në Ohër, marsin e kaluar dhe besojmë se të dy vendet duhet të zhvillojnë një proces dialogu për të ndjekur atë udhërrëfyes”, tha O’Brien duke komentuar raportet Prishtinë-Beograd.
O’Brian tha se vendet e Ballkanit nuk duhet të venë veton tjetrit dhe të pengojnë kështu integrimet evropiane të rajonit.
“Si do ta dimë se kjo do të funksionojë kur aq shumë iniciativa të tjera kanë dështuar për shkak të ndarjeve në rajon? Në këtë program askush nuk mund të vërë veton ndaj tjetrit. Secili vend është përgjegjës për reformat e veta. Tani vendet që e pranojnë këtë iniciativë do të përfitojnë shpejt dhe nuk do të presin zgjidhjen e ndonjë mosmarrëveshjeje dypalëshe që nuk kanë lidhje. Këto janë arritje të pabesueshme”, tha diplomati amerikan O’Brien, duke folur për Planin e Rritjes.
Përfaqësuesi i Brukselit Kopman, ndërkaq, theksoi bashkëpunimin e nevojshëm mes vendeve të rajonit. ” Kjo është arsyeja pse ne kemi futur një kusht në këtë pjesë të Planit të Rritjes, që thotë se nuk duhet të bllokoni fqinjët tuaj. Ne duam që ju të vini me ne. Ju mund të bllokoni vetëm veten. Nëse nuk i bllokoni fqinjët tuaj atëherë ne do të ju pranojnë, por nëse i bllokoni atëherë qasja në tregun e brendshëm nuk do të jetë e mundur sepse kostoja e përbashkët e mosbashkëpunimit do të jetë shumë e lartë”, tha Kopman.
Kur është fjala për Planin e Rritjes, kryeministri Dimitar Kovaçevski vlerësoi se është konfirmimi më serioz politik se BE-ja ka një plan konkret për integrim efikas të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq, ka propozuar listën e reformave, ndërsa në ditët në vijim tha se do të dalë edhe me një listë të projekteve konkrete. Sipas Kurtit, reformat kryesore në të cilat do të përqendrohet vendi i janë ato të administratës publike dhe menaxhimit të financave publike. Sa i përket projekteve, Kurti përmendi dixhitalizimin, investimet në sektorin privat dhe zhvillimin e infrastrukturës.
Për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ky është një test pjekurie që duhet ta kalojnë vendet e rajonit.
“Pra, më falni për entuziazmin dhe optimizmin tim. Unë nuk jam budalla. Ju them, është një arsye shumë e mirë për të qenë optimistë sot, pasi darkuam mbrëmë, ku papritmas kuptuam se mund të bëjmë një bisedë të qytetëruar dhe mund të mendojmë për ekonominë dhe njerëzit, pa pasur histori midis çdo dy vaktesh“, tha Rama..
Kur është fjala për tregun e përbashkët rajonal, presidenti serb Vuçiq ka treguar gjithashtu se Serbia do të jetë plotësisht e hapur ndaj të gjitha ideve dhe është e gatshme t’i zbatojë ato.
Ai ka theksuar se Serbia me gjasë do ta formojë qeverinë e re deri më 15 mars dhe më pas do të mund të marrë paratë e para nga Plani i Rritjes. /The Geopost/