Përderisa Presidenti amerikan, Joe Biden pritet të hapë samitin e parë global të demokracisë, ish Ministri Kosovar për Integrime Evropiane, e profesori universitar, Blerim Reka rikujton se para dy ditësh SHBA-të kanë aprovuar të parën strategji për luftimin e korrupsionit. Sipas profesor Rekës “që të dyja po globalizojnë çështjet, që deri dje konsideroheshin “të brendshme”.
Në një analizë autoriale të publikuar në rrjetet sociale, Reka nënvizon paralajmërimin e Bidenit se “Demokracia nuk ndodhë si aksident. Ne duhet ta mbrojmë atë, të luftojmë për të, ta forcojmë dhe ta rinovojmë atë“; ndërkaq, “korrupcioni është kancer i shoqërisë dhe kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-ve”.
Duke bërë një analizë të këtyre ndryshimeve, Reka thekson se “punët e brendshme, pra po globalizohen dhe mburoja e sovraniteteve të dhunshme po bie.
Sipas tij “Urat demokratike, po zëvendësojnë muret autokratike. Po plasaritet guaca mbrojtëse e diktatorëve. Çështjet e brendshme, po bëhen çështje botërore. Marrëdhëniet ndërkombëtare me fytyrë njerëzore, po zëvendësojnë ato shtet-centrike. Korrupsioni u bë kërcënim strategjik, e demokracia vlerë globale.”
Së këndejmi “koha e autokratëve të korruptuar kaloi. Mburoja e stabilokracisë nuk u ndihmon më”, përfundon Reka.