Ndërtimi i aksit prioritar të autostradës në trasenë Tivar-Bolare në gjatësi prej 41 kilometrash, nga Smokovci (Podgoricë) deri në Mateshevë (Kolashin) është projekti më i madh infrastrukturor në historinë e Malit të Zi. Aksi duhet të hapet për trafik në janar të vitit të ardhshëm. Kompania kineze CRBC filloi ndërtimin në vitin 2015. Afati fillestar për përfundimin e punimeve ishte viti 2019, por ai u shty disa herë. Çmimi i rënë dakord mes Malit të Zi dhe kompanisë kineze për ndërtimin e aksit prioritar është 809 milionë euro, por për shkak të kostove të mëvonshme për rrugët hyrëse dhe infrastrukturën tjetër, çmimi i autostradës është rritur me rreth 90 milionë, pa llogaritur interesin.
Një kredi nga Exim Banka kineze e marrë për 20 vjet, me një periudhë mospagimi gjashtëvjeçare dhe një normë interesi dy për qind. Në atë kohë, sipas pretendimit të ministrit të atëhershëm të transportit, Ivan Brajoviq, kjo ishte oferta më e favorshme në treg. Megjithatë, problemi me atë kredi është se është marrë në dollarë amerikanë dhe pa një mekanizëm për mbrojtje nga rreziku valutor.
Ajo që shqetëson dhe paralajmëron BE-në dhe analistët, e që parashikohet nga marrëveshja, është se Mali i Zi mund të bjerë në skllavërinë e borxhit kinez, madje të humbasë disa nga kompanitë apo territoret e tij të vlefshme, nëse nuk mund ta shlyejë borxhin në kohë. Spekulohet se kinezët në këtë kuptim “i kanë hedhur syrin” Portit të Tivarit. Tash për tash, Qeveria pretendon se nuk ka frikë se do të ndodhë diçka e tillë dhe këstin e parë të kredisë prej rreth 29 milionë eurosh e ka paguar në korrik të këtij viti. Kësti i ardhshëm duhet të paguhet në fillim të vitit të ardhshëm (2022).
Ish-ministri i Transportit Ivan Brajoviq, i cili nënshkroi kontratën me kinezët, tha se “nuk mund të merret parasysh sekuestrimi i territorit, subjekteve ekonomike dhe trillime të tjera dashakeqe, dhe se Kushtetuta e Malit të Zi e ndalon gjithashtu”.
Por, që megjithatë, ekziston frika e një ndikimi më të madh të Kinës në Mal të Zi flet dhe fakti që zëvendëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq në mars të këtij viti para Parlamentit Evropian në Bruksel kërkoi ndihmë nga BE-ja, duke deklaruar se Kina ushtron ndikim përmes kredisë për aksin e autostradës .
“Kina dhe Rusia, pyetjet për ndikimin e tyre, janë një problem i madh. Ne kemi një hua (me Kinën) në shumën prej një miliard euro. Ju lutemi na ndihmoni t’i kthejmë ato para, për ta shkëmbyer atë kredi me një kredi në një bankë evropiane, për të përfunduar bashkëpunimin me një institucion financiar evropian dhe për t’i dhënë fund ndikimit kinez”, tha Abazoviq në Bruksel.
BE-ja fillimisht tha se “Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë Malin e Zi për të gjetur një zgjidhje”, dhe më pas se BE-ja nuk do ta ndihmojë Malin e Zi të paguajë kredinë që mori nga banka kineze për ndërtimin e autostradës. “Ne punojmë shumë me Mali i Zi dhe partnerët tjerë në rajon për t’i ndihmuar ata në rrugën e tyre për të përmbushur standardet e BE-së, reformat dhe të gjitha gjërat e tjera, ne vazhdojmë të qëndrojmë pranë tyre, por nuk i kthejmë kreditë e marra nga palët e treta”, pati thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano.
Megjithatë, BE tha se do të “vazhdojë të mbështesë Malin e Zi në rrugën e anëtarësimit në BE dhe në këtë kontekst të bashkëpunojë me shtetin në gjetjen e zgjidhjeve financiare për projektet e tij investuese dhe të sigurojë qëndrueshmërinë e borxhit të tij publik”.
Uashingtoni zyrtar është sigurisht i interesuar për atë që po ndodh në Malin e Zi, i cili është anëtar i NATO-s.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Matthew Palmer tha për Zërin e Amerikës se “Shtetet e Bashkuara janë gjithmonë të hapura për të diskutuar sfidat specifike me të cilat përballet Mali i Zi dhe se është e rëndësishme jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për vendet e tjera, t’i konsiderojnë seriozisht të gjitha detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet me qeveritë dhe shtetet e tjera”.
“Kina njihet për kreditë grabitqare dhe ka përfituar realisht nga pala tjetër në marrëveshjet e lidhura nga kompanitë kineze. Prandaj, është detyrim i vendeve të Ballkanit Perëndimor që të jenë shumë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për marrëveshjet me vendet që njihen për atë praktikë negative, duke përfshirë jo vetëm Kinën, por edhe Rusinë”, tha Palmer.
Ambasadori kinez Liu Yin pretendon se “Kina nuk ka ambicie gjeopolitike në Malin e Zi dhe Ballkanin Perëndimor dhe as nuk dëshiron të konkurrojë me BE-në për të fituar ndikim politik”.
Analistët, megjithatë, theksojnë se Kina dëshiron ta forcojë pozicionin e saj në Mal të Zi përmes investimeve. Për momentin, investimet e Kinës në Mal të Zi nuk janë aq të mëdha sa në disa vende të rajonit, ku ata zotërojnë ose kanë koncesionare miniera dhe hekuri. Kina është një huadhënës, kontraktor dhe eksportues i madh në Mal të Zi. Mali i Zi gjithashtu ka rënë dakord me Kinën për shpërndarjen e 150,000 dozave të vaksinës Sinofarm kundër COVID 19. Kinezët në Mal të Zi kanë marrë pjesë në Centralin e Erës Mozhura dhe Projektin e Rindërtimit Mjedisor të Termocentralit Plevla, ata zotërojnë 179 kompani, shumica e të cilave shesin rroba me shumicë dhe pakicë. Sipas Monstat (Entit të Statistikave), Mali i Zi vitin e kaluar importoi mallra me vlerë rreth 222 milionë ose dhjetë për qind të totalit të importeve nga Kina, ndërsa eksportet ishin vetëm 17.4 milionë euro.
The Geopost