Njohësit e sigurisë nuk presin që kërkesa e presidentit Aleksandar Vuçiq për dërgimin e 1 mijë trupave në Kosovë nuk çon peshë dhe se është bërë nga ai me qëllim të rritjes së tensioneve në veri të vendit.
Drejtuesi i The Geopost, Gynen Venhari thotë se as që mund të pritej ndonjë hap më konstruktiv nga Vuçiqi.
Në një intervistë me shkrim për KosovaPress, Venhari thekson se në këtë pikë është Bashkimi Evropian ai që duhet të jetë më i kujdesshëm dhe të pavarësohet nga ndikimi rus në mënyrë që presidenti Vuçiq të mos jetë më i llastuari i Brukselit.
“Do të çuditesha nëse Serbia e bën ndonjë hap tjetër, ndonjë hap konstruktiv. Pavarësisht se vet deklaroi se pavarësisht se do të përgjigjen negativisht, Serbia do ta bëjë kërkesën për kthimin e 1,000 trupave ushtarake në Kosovë. Vuçiqi, si kukull e Kremlinit nuk duhet të trajtohet si i llastuari i Brukselit. Atij duhet dhënë përgjigje të fortë nga Brukseli, ashtu siç i dha në këtë rast Gjermania përmes kryediplomates së saj. Pikërisht nga ky rast shihet se BE-ja nuk e ka të harmonizuar politikën e saj”, thekson Venhari.
“Veçmas në raport me Kosovën, ku edhe Lajçak edhe Borrell mbajnë qëndrime më të ndryshme sesa Gjermania. Unë besoj se, në këtë çështje ka ndikim të konsiderueshëm, përveç shteteve prej nga vijnë ata, edhe ndikimi i Rusisë. BE-ja duhet të të pavarësohet nga ndikimi rus, kurse shembulli më i mirë është që kjo të tregohet në raport me Serbinë. Nuk mund të trajtohet Serbia në këtë formë nga BE-ja. Jo vetëm për faktin se është aleate e Rusisë, por edhe për faktin se ajo është edhe në terren shumë agresive. Jo vetëm me Kosovën, por edhe me Malin e Zi dhe Bosnjën”, shton ai.
Sipas tij, edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për që largimin e barrikadave të bandave serbe në veri t’ua lërë serbëve është qasja e duhur.
“Qeveria e Kosovës, duke qenë në partneritet me aleatët perëndimorë, ka bërë mirë që ka vendosur nga KFOR që t’i largojë barrikadat. Qeveria besoj edhe mund të ndërhynte edhe vet, përkatësisht Policia e Kosovës, por duke e ditur se problemi i veriut është paksa i ndjeshëm, besoj se këtë e ka bërë edhe me kërkesë të aleatëve”, pohon Venhari.
Tensionet në veri të Kosovës dhe barrikadat në rrugë që bllokojnë dy pika kalimi kufitar në Serbi vijojnë të jenë prezente, ndërsa shkollat në katër komunat veriore janë mbyllur.
Venhari thotë se ata që po i mbajnë rrugët e bllokuara janë nën presionin e Vuçiqit dhe të sanksionuarit të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Milan Radoiçiq.
Sipas tij, në këto barrikada gjatë natës qëndrojnë shumë pak njerëz.
“Mbështetja e serbëve për Listën Serbe si ‘organizatore’ e barrikadave ka rënë dukshëm. Por, akoma ka presion ndaj qytetarëve të veriut për t’i pasuar veprimet e tyre, përkatësisht të Vuçiqit e Radoiçiqit. Megjithatë, sipas asaj që kemi arritur ta kuptojmë, në barrikadat aktuale në veri, nuk ka pjesëmarrës si dikur. Madje, gjatë natës pothuajse aty rrinë shumë pak veta. Prandaj barrikadat janë me makineri të rëndë dhe jo me njerëz, në formë të protestës”, thotë ai.
Policia e Kosovës sot ka ndaluar dje në pikën kufitare në Jarinje, ish-zyrtarin policor e ish-pjesëtar i MUP-it serb, i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiq.
Njohësi i sigurisë, thotë se ndaj Pantiq, i cili akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues është e rëndësishme që të ndiqen të gjitha procedurat adekuate ligjore, dhe se pak rëndësi ka se ku ky i fundit mbahet.
“Tani rrugët janë bllokuar. Natyrisht se institucionet e sigurisë kanë mundësi ta sjellin në jug, porse unë nuk e shoh të domosdoshme këtë. Pak rëndësi ka se ku mbahet një i dyshuari për sulm. Me rëndësi është që të ndiqen procedurat adekuate ligjore”, thotë ai.
Ndërkohë që një polic i Kosovës është lënduar nga persona të maskuar, pjesë e grupeve kriminale serbe, Venhari thekson punën e mirë që ky institucion i Policisë po bën vazhdimit, derisa thekson se së fundi ajo po përballet me metoda terroriste.
“Policia e Kosovës po tregon që është shumë e kujdesshme. Sipas mundësisë në terren po përpiqen që ta luftojnë krimin, por në kohën e fundi tata po sfidohen edhe me metoda terroriste. Kriminelët në krye me Radoiçiqin tashmë po tregojnë se janë të gatshëm që edhe me terror të sfidojnë vendimet legale të Republikës së Kosovës. Prandaj, lirisht mund t’i quajmë terroristë. Por, kjo është çështje tjetër sfiduese për Policinë e Kosovës. Sidoqoftë, Policia e Kosovës ka dhënë shembull të shkëlqyeshëm, që në këtë krizë, të përpiqet që sado kudo t’i ruajë qytetarët serbë që janë viktimë e grupeve kriminalo-terroriste, të cilët, siç thamë po e sfidojnë edhe rendin tonë kushtetues”, përfundon ai.
Ndryshe, më kohën kur situata në veri të vendit është tensionuar nga grupet kriminale serbe të cilat kanë bllokuar pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, presidenti serb duket se i ka hedhur benzinë zjarrit duke paralajmëruar se më 15 dhjetor do të paraqesin kërkesë për kthimin e trupave serbe në Kosovë.
Ai ka thënë se kërkesën drejtuar KFOR-it do ta bëjnë më 15 dhjetor, për të dërguar deri në 1,000 forca të sigurisë në Kosovë.
Mediat serbe kanë zbardhur një pjesë të letrës që qeveria serbe do t’i dërgojë KFOR-it për të lejuar ushtarët e saj të vendosen në Kosovës, sipas shkresës së Rezolutës aktuale 1244.
Në kërkesë janë të detajuara arsyet gjoja pse sipas Serbisë, është e nevojshme ardhja e forcave të sigurisë serbe, ndërsa bashkë me dokumentin komandantit të misionit ndërkombëtar ushtarak Angjel Rustuqi i janë dërguar edhe gjashtë bashkëngjitje të detajuara me të dhëna për “cenueshmërinë” e serbëve në veri.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke iu ofruar siguri dhe rend të gjithëve pa dallim.
Kujtojmë se barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb nga autoritetet e rendit në Kosovë.
Pantiq dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.
Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.
Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX.
Si pasojë, një polic i Kosovës është lënduar, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor.