
Industria e funeralit në Rusi po përjeton rritje të paprecedentë për shkak të humbjeve ushtarake nga pushtimi gati njëvjeçar i Ukrainës dhe numrit të lartë të vdekjeve nga Covid-19, raportoi të enjten uebfaqja e lajmeve investigative The Insider.
Gazeta foli me punonjësit e shtëpive funerale dhe krematoriumeve, të cilët raportuan kërkesa të larta si nga klientët ashtu edhe nga ata që kërkonin të trajnohen si ofrues të shërbimeve funerale.
“Ngarkesa e punës është mjaft e rëndë,” tha Boris Yakushin, një pronar krematoriumi në qytetin e tretë më të madh të Rusisë, Novosibirsk.
Ministria ruse e Mbrojtjes vendosi numrin e vdekjeve nga lufta në 6,000 në përditësimin e saj të fundit në shtator, ndërsa një analizë e pavarur mediatike e të dhënave me burim të hapur këtë muaj zbuloi më shumë se dyfishin e këtij numri.
“Bumi filloi gjatë pandemisë kur kërkesa për kremim u rrit,” sipas Dmitry Yevsikov, një sipërmarrës dhe specialist i pajisjeve të krematoriumit në Krimenë e aneksuar.
“Përveç kësaj, toka në varreza po mbaron fizikisht,” tha Jevslikov për The Insider.
Yakushin identifikoi qytetin jugor të Rostov-on-Don, pranë kufirit me Ukrainën, si një pikë transferimi për trupat që ktheheshin nga “operacioni special ushtarak” i Rusisë. Ai tha se qyteti ishte aq i mbingarkuar sa po ndërtonte një krematorium të ri që do të ishte i zënë në dy deri në tre vitet e ardhshme.
“Numri i krematoriumeve në Rusi po rritet në mënyrë eksponenciale,” tha Yevsikov për The Insider, i cili vlerëson se 33 krematoriumet që aktualisht funksionojnë në Rusi nuk mund të plotësojnë kërkesën në rritje.
Një destinacion përfundimtar për ushtarët e vdekur u identifikua si fshati Bakinskaya që ndodhet 250 kilometra në jug të Rostov-on-Don.
New York Times raportoi këtë javë se varrezat Bakinskaya, të përdorura nga grupi mercenar Wagner, luftëtarët e të cilit janë të përfshirë në pushtimin e Ukrainës, janë rritur shtatëfish gjatë dy muajve të fundit.
Themeluesi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, konfirmoi muajin e kaluar se luftëtarët u varrosën në Bakinskaya pasi një varrezë tjetër dhe kishëz e Wagner-it 18 kilometra në perëndim i mbetën pa hapësirë./The Moscow Times/