
Modeli tjetër i funksionimit të politikës serbe, tradicionalisht, ka qenë që përmes fajësimit të tjetrit të fsheh fajin e vet. Pas luftërave në hapësirën e ish-Jugosllavisë, të nxitura e nisura nga aparati ideologjik, politikë e shtetëror i Serbisë, synimi e qëllimi i politikës zyrtare në Beograd nuk ishte distancimi e largimi nga ajo qasje, mirëpo fshehja e fajit, minimizimi i veprimit kriminal, relativizmi e balancimi i veprave kriminale. Fshehja e fajit përmes fajësimit të tjetrit për krimin, edhe pse dihej se ky model nuk ka jetëgjatësi që të funksionojë, u bë. Ironia ndodhi kur u pranua nga modeluesi.
Gjatë luftës në Kosovë, ku aparati shtetëror i Serbisë, duke përdorur edhe fuqinë e Jugosllavisë së mbetur, po kryente krime e masakra në Kosovë, të para si ato në Bosnje dhe Hercegovinë. Mirëpo, në dhjetor të ’98-tës, burra të maskuar i’a mësyn kafenesë “Panda” në qytetin e Pejës, i kontrolluar plotësisht nga forcat militare e paramilitare serbe, dhe shkrepën nga një rafal të shtënash me armë automatike ku lanë të vdekur pesë nxënës e një student të etnisë Serbe.
Autoritet që kontrollonin çdo gjë në hapësirën e Kosovës, pa transparencën e duhur, duke mos respektuar të drejtën që e kanë të akuzuarit për deklarim, akuzuan shqiptarët dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si kryesit e veprës kriminale. Akti u konsideruar terrorist. Çdo gjë u mbyllë. Rasti u konsideruar i përfunduar. Pesë shqiptar i burgosën!
Ky ishte një krim i shumëfishtë i shtetit serb. I planifikuar mirë, i kryer me pëlqimin e autoriteteve shtetërore serbe të kohës, i orkestruar për tu gjetur fajtori e fshehur faji real. Faji ishte aty, ishin shqiptarët. Edhe pse qyteti kontrollohej nga Njësia e Operacioneve Speciale të Serbisë, më pastaj e forcave tjera militare e paramilitare serbe, të cilat ishin prezentë në qytetin e Pejës dhe nuk kishte asnjë mundësi të ishin shqiptarët fishek hedhësit. Por, nuk arrinte asnjë easgjë të ndryshonte përqasjen e autoriteteve shtetërore të kohës.
Disa vite më pas, pra në vitin 2013, Aleksandër Vuçiq ishte shef i Zyrës për koordinim me shërbimin e sigurisë dhe nënkryetar i parë i Qeverisë së Serbisë, me apo pa qëllim, kishte deklaruar atë që dihej por duhej faktuar para organeve të drejtësisë. “Krimi në “Panda” nuk është kryer nga shqiptarët, siç kemi besuar deri tani. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta”,kishte thënë presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Mirëpo, asnjëherë nuk ka dal para gjykatës për të zbuluar të vërtetën e tmerrit të shumëfishtë.
Prindërit, djemtë e të cilëve u vranë në kafenenë “Panda” në Pejë, në vazhdimësi kanë kërkuar që të takohen me presidentit e Serbisë, Vuçiq por ky asnjëherë nuk i ka pritur. Përfaqësuesi ligjor i prindërve, Ivan Niniq ka dorëzuar kërkesë në Prokurorinë për Krime të Organizuara që presidenti Aleksandër Vuçiq të dëgjohet si dëshmitar. A do të pranojë apo jo të dëshmojë për të vërtetën që ai e di, kjo ende nuk është konfirmuar.
Kryefjala e kësaj ngjarje vë theksin tek metoda e funksionimit të politikës serbe e cila nuk po ndryshon nga brenda e nuk sheh pengesa nga jashtë për të vazhduar siç e ka zakon. Modeli si në rastin e vrasjes së të rinjve serb, ku krimi është kryer nga aparati shtetëror serb dhe është përdorur për të fuqizuar urrejtjen e armiqësinë tek popullata serbe ndaj të tjerëve, është krim në vete. Lejimi e tejkalimi, pa i njohur e detektuar këto modele të politikës, është veç se i frikshëm për të ardhmen edhe mundësi që ato të përsëriten. /The Geopost/