Kremlini po e destabilizon Bosnjën dhe Hercegovinën në ndjekje të qëllimeve më të gjera strategjike.
Dodik është një fenomen interesant, por jo edhe aq i pazakontë. Në shumë mënyra, ai është një dua-të- jem Viktor Orban i vogël. Ashtu si kryeministri hungarez, ai filloi si një politikan demokratik – i zgjedhur dhe i promovuar nga Perëndimi. Ai gradualisht rrëshqiti në nacionalizëm dhe më pas në nacionalizëm të ashpër. Ashtu si Orban, ai u bë shumë i pasur gjatë qëndrimit të tij në politikë, gjë që çoi në mënyrë të pashmangshme në një qeverisje autokratike. Dhe si shumica e autokratëve në Evropën Lindore dhe Qendrore, ai kërkoi dhe gjeti mbrojtësit e tij në Rusi.
Dodik ka arritur një famë të keqe duke sfiduar vetë ekzistencën e Bosnjës. Dallimi kryesor është se Dodik, ndryshe nga Orban, nuk ka shtet. Kjo e bën pozicionin e tij në mënyrë të konsiderueshme më të pasigurt – por edhe tërheqës për lojtarët e jashtëm që kërkojnë të ndërhyjnë në çështjet e Ballkanit.
Më herët në karrierën e tij, kur Dodik mendoi se e ardhmja e tij qëndronte me Perëndimin, ai e njohu publikisht gjenocidin në Srebrenicë, hoqi dorë nga kriminelët serbë të luftës dhe u pozicionua si një mbështetës i vendosur i unitetit të Bosnjës dhe të ardhmes në Bashkimin Evropian. Porsa ndërroi besnikërinë, fillimisht te presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe më pas në Moskë për mbrojtje, politikat dhe retorika e tij ndryshuan në mënyrë dramatike. Kjo ndodhi gradualisht, me kalimin e kohës.
“Për herë të parë e vura re kur me të mora pjesë në një program televiziv lokal në Banja Luka në fillim të viteve 2000. Ne në njëfarë mënyre përfunduam duke diskutuar për futbollin dhe befas Dodik tha se në një ndeshje midis ekipit kryesor nga Serbia dhe rivalit të saj në Bosnje, ai padyshim që do të përkrahte ekipin serb”, Tthekson gazetari boshnjak Boro Konitiq.
. Duke qenë se futbolli në Ballkan nuk ka të bëjë kurrë vetëm me futbollin, edhe atëherë, kur ai ende shihej si aleat i Perëndimit, e pashë komentin e tij si një shenjë alarmuese të një ndryshimi në pozicionin e tij”.
Që atëherë, Dodik ka shërbyer si agjent i politikës serbe në destabilizimin e Bosnjës dhe si një plan rezervë për të qetësuar segmentin më nacionalist të opinionit publik serb në rast se Serbia bën një marrëveshje dhe njeh Kosovën. Në atë rast, Serbia mund të përdorë politikat secesioniste të Dodikut për të justifikuar kërkesën e saj për aneksimin e Republika Srpska-një nga dy njësitë administrative që përbëjnë Bosnjën e pasluftës-si kompensim për humbjen e Kosovës. Por duke u shndërruar në një instrument të gjeopolitikës më të gjerë të Rusisë, marrëdhënia e Dodikut me Serbinë gjithashtu ka ndryshuar. Sot, Dodik nuk është më vetëm një peng i politikës serbe. Në vend të kësaj, ai po mban peng politikën serbe.
Në vetvete, Dodik është shumë i parëndësishëm. Guximi, arroganca dhe rëndësia e tij janë thjesht produkt i mbështetjes ruse. Siç tha ai vetë kur kërcënoi për herë të parë ushtrinë boshnjake me shkatërrim dhe hodhi idenë që Republika Srpska të formonte ushtrinë e saj:
“Nëse dikush përpiqet të na ndalojë, ne kemi miq që do të na mbrojnë”.
Kjo është arsyeja pse të gjitha takimet e fundit të liderëve të vendeve anëtare të BE-së me Dodikun kanë qenë disi patetike. Të gjitha koncesionet dhe kompromiset që ata ofrojnë – si ulja drastike e autoritetit të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, largimi i tre gjyqtarëve të huaj nga Gjykata Kushtetuese e vendit, apo qarkullimi i hartave dhe propozimeve që do të normalizonin ndryshimet e kufijve në Ballkan – nuk kanë qetësuar Dodikun apo ndryshuar retorikën e tij të dhunshme përçarëse. Kjo për shkak se Dodik nuk është në të vërtetë ai që mund të bëjë një marrëveshje.
Në të vërtetë, për destabilizimin e Bosnjës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk mund të fajësohet vetëm Dodiku apo “zjarrvënësit” e tjerë lokalë. Ata janë vetëm agjentë në terren për politikën përçarëse të Rusisë. Përpara se liderët e BE-së të angazhohen diplomatikisht me Dodikun ose sponsorët e tij të Kremlinit, ata duhet të mendojnë me kujdes se çfarë saktësisht kërkon të përfitojë Moska nga destabilizimi i Ballkanit dhe nëse ka një zgjidhje që mund të përfitojë të dyja palët.
Për shumë vite, Rusia e trajtoi BE-në si një klub politik të respektueshëm, por kryesisht të padëmshëm. Kjo ndryshoi në mënyrë dramatike pas vitit 2014. Në Samitin e Partneritetit Lindor në Vilnius, Lituani në vjeshtën e vitit 2013, BE nënshkroi marrëveshje speciale me Gjeorgjinë dhe Moldavinë dhe në qershor të 2014 me Ukrainën. Që atëherë e tutje, Rusia filloi ta shikonte BE-në si NATO-n, si një armik.
Lufta në Ukrainë dhe aneksimi i Krimesë pasuan në vazhdimësi. Reagimi perëndimor ishte vendosja e sanksioneve dhe më pas sanksioneve të tjera. Nuk ka dyshim se veprimet e Rusisë kërkuan dhe meritonin një reagim të fortë. Por një pasojë ishte prishja graduale e komunikimit midis Rusisë dhe
Perëndimit.
Këshilli NATO-Rusi, një pikë e përhershme në çdo takim ministror të NATO-s, ishte i pari që u ndërpe. Ftesa e ministrit të jashtëm rus dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në këshilla të ndryshëm të BE-së ishte e radhës. Të gjitha kanalet e komunikimit zyrtarë dhe jozyrtar, po zhdukeshin një nga një. Në të njëjtën kohë, politikat e Rusisë po bëheshin më agresive, më ndërhyrëse, më përçarëse dhe më të rrezikshme.
Kremlini e identifikoi Ballkanin Perëndimor si një shesh lojërash ideale për operacionet e tij të ndikimit dhe provokimin politik – duke testuar vazhdimisht se sa larg mund të shkonte përpara se Perëndimi të reagonte. Nga këndvështrimi rus, ai ka shumë përparësi: është relativisht i vogël, i ndarë midis shumë shteteve mjaft të varfra dhe, duke marrë parasysh historinë e tij të fundit, nuk është aq i vështirë për t’u
prishur dhe destabilizuar.
BE-ja prej disa kohësh ka pasur problem të flasë me një zë mbi politikën e saj të zgjerimit, e lëre më tëndërmarrë hapa konkretë praktikë drejt afrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor me anëtarësimin në BE. Duke shikuar prapa në premtimin e saj për fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut, pasi vendi arriti të negociojë një zgjidhje dypalëshe me Greqinë për “çështjen e emrit”, ishte një goditje veçanërisht e rëndë për të gjithë në rajon.
Pas kësaj, BE-ja humbi sensin e drejtimit në Ballkanin Perëndimor, ndërsa opinioni publik në rajon filloi të favorizonte gjithnjë e më shumë Rusinë dhe Kinën si partnerë më të besueshëm se BE-ja.
Ndërkohë, dy lojtarë kryesorë të BE-së duket – tani për tani – se kanë dalë nga skena kur bëhet fjalë për politikën e BE-së në rajon: kancelarja në largim Angela Merkel, deri sa Gjermania bashkon qeverinë e saj të re, dhe presidenti francez Emmanuel Macron, fokusi i të cilit është në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë.
Rusia nuk ka nevojë për Dodik apo politikanë të tjerë ballkanikë. Ajo që i nevojitet është rihapja dhe rivendosja e kanaleve të komunikimit me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara. Sa i përket Ballkanit Perëndimor, dhe veçanërisht për Bosnjën, problemet mund të zgjidhen vetëm ndërmjet BE-së dhe
Rusisë. Nuk ka dyshim se Rusia është përçarësi kryesor në Ballkan, duke përdorur pengjet e saj lokale për të zbatuar atë politikë. Objektivat e tij, megjithatë, ka shumë të ngjarë të tejkalojnë rajonin dhe përfshijnë gjetjen e një kompromisi më të gjerë me BE-në.
Rusia është veçanërisht e ndjeshme në lidhje me të ashtuquajturat e saj “të afërtit jashtë vendit” – ish republikat sovjetike që në trazirat e fillimit të viteve 1990 u bënë shtete të pavarura. Të tre shtetet baltike janë tashmë anëtarë të mirë-formuar të BE-së dhe NATO-s dhe agresioni i hapur atje do të sillte shumë më tepër telashe se sa përfitim të mundshëm për Rusinë. Por Ukraina dhe Gjeorgjia janë një histori tjetër. Në një moment, të dyve iu premtua anëtarësimi në NATO dhe në 2013 dhe 2014 të dy nënshkruan marrëveshje disi të paqarta me BE-në që mund të interpretoheshin si hapi i parë drejt anëtarësimit në BE.
Në 13 vitet e fundit, Rusia ka ndërhyrë ushtarakisht si në Gjeorgji ashtu edhe në Ukrainë dhe e ka rikthyer Bjellorusinë në gjirin e saj duke mbështetur diktatorin e izoluar ndërkombëtarisht të vendit.
Aleksandr Lukashenko. Këto janë vendet që Rusia i sheh si në sferën e saj të interesit dhe që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e saj. Mbajtja e tyre në një gjendje të përhershme konflikti latente ose me intensitet të ulët ndërhyn në shumë interesa të tjera ruse, si p.sh. certifikimi i gazsjellësit të ri Nord
Stream 2 nga Gjermania. Këto janë çështjet kryesore për të cilat Rusia duhet të arrijë në një lloj mirëkuptimi me Perëndimin. Në këtë lojë, përçarësit e Ballkanit janë më shumë për pazare se sa që janë lojtarë.
Përfundimisht, liderët rusë dhe të BE-së do të duhet të ulen dhe të diskutojnë situatën e sigurisë në Evropë. Pyetja e
vetme është nëse kjo do të ndodhë para apo pas shkatërrimit të një të ardhmeje demokratike evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Rivendosja e komunikimit me Moskën nuk do të nënkuptonte në asnjë mënyrë miratimin e politikave të Rusisë. Por pa komunikim nuk ka asnjë shans për të gjetur zgjidhje diplomatike; Alternativa është më shumë nga kufiri aktual, me shtetet e dobëta që qëndrojnë përgjithmonë midis kapjes së shtetit nga autokratët e tyre vendas të mbështetur nga Rusia dhe dështimit total.
Burimi: FP