Ndryshimet e fundit në krye të Agjencisë serbe të Informacionit dhe Sigurisë (BIA) nuk janë thjesht rotacion rutinë, por një lëvizje e kalkuluar që tregon përpjekjet e presidentit Aleksandar Vuçiq për të ruajtur kontrollin absolut mbi shërbimet sekrete.
Marko Parezanoviq, një nga drejtuesit më me ndikim dhe më të besuarit e Vuçiqi-it për vite me radhë, është larguar nga posti i Shefit të Operativës dhe është zhvendosur në një rol këshilltari me kompetenca minimale. Në vend të tij është emëruar Nikola Vasiljeviq, ish-shef i qendrës së BIA-s në Novi Sad dhe këshilltar i sigurisë i kryeministrit Milosh Vuçeviq.
Kjo lëvizje vjen në një moment delikat. Serbia po përballet me presionin për të zvogëluar ndikimin rus në ekonominë e saj, sidomos pas krizës së pronësisë në industrinë e naftës (NIS), ku Rusia ka aksione të mëdha. Parezanoviq, i njohur për lidhjet e ngushta me shërbimet ruse dhe për rusofilinë e tij të hapur, duket se është bërë “i papranueshëm” në këtë kontekst. Kohët e fundit, në Beograd u arrestua (dhe u lirua shpejt) oficeri rus i inteligjencës Vyacheslav Kalinjin, një sinjal tjetër se regjimi, pavarësisht frikës nga reagimi i Kremlinit, kinse po mundohet të distancohet gradualisht nga Moska.
Burimet brenda shërbimeve thonë se largimi i Parezanoviqit nuk është dënim i ashpër, por një tërheqje e dakordësuar. Ai, me përvojën e tij të madhe operative dhe aftësinë për të lexuar zhvillimet politike, duket se ka zgjedhur të tërhiqet në hije për të shmangur rreziqet e ardhshme. Parezanoviq ka kaluar nga lidhjet me socialistët e vjetër, përmes qeverisjes së demokratëve, deri te besimi i plotë i Vuçiqit, një “njeri për të gjitha kohërat”. Por sot, në epokën e balancimit delikat mes Perëndimit dhe Lindjes, pozicioni i tij i vjetër nuk i përshtatet më strategjisë së regjimit.
Edhe pse Vuçiq e ka kritikuar hapur menaxhmentin e BIA-s për “angazhim të pamjaftueshëm” dhe madje për dyshime se disa pjesë të agjencisë mbështesin opozitën, kjo duket më shumë si paralajmërim për të ruajtur lojalitetin absolut sesa si reformë e vërtetë. Në fund të fundit, BIA mbetet një nga shtyllat kryesore të pushtetit të Vuçiqit, e shndërruar nga një agjenci sigurie kombëtare në një mjet politik për shtypjen e kundërshtarëve.
Nën qeverisjen e Vuçiqit dhe Partisë Progresive Serbe (SNS) që nga viti 2012, BIA është akuzuar vazhdimisht nga organizata ndërkombëtare si Amnesty International, Freedom House dhe Human Rights Watch për abuzime sistematike. Raporti i fundit i Amnesty “A Digital Prison: Surveillance and the Suppression of Civil Society in Serbia”, dokumenton se BIA dhe policia kanë përdorur spyware të avancuar si Pegasus (izraelit) dhe NoviSpy (lokal) për të infektuar telefonat e gazetarëve, aktivistëve dhe figurave opozitare.
BIA është përdorur gjithashtu për të infiltruar protesta anti-qeveritare, si ato pas tragjedisë në Novi Sad më 2024, për të kryer arrestime arbitrare dhe për të shpërndarë dezinformata në media pro-regjim. Ka akuza të forta për lidhje të disa drejtuesve të BIA-s me grupe kriminale, si ajo e Veljko Belivuk-ut, që dyshohet se ka kryer intimidime dhe dhunë për llogari të regjimit. Parezanoviq vetë është përmendur në korrespondencat e grupit të Darko Shariqit si person që “mund të zgjidhë gjithçka”.
Këto praktika kanë tërhequr kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, që e përshkruajnë Serbinë si një “demokraci hibride” në rënie autoritare, ku institucionet e sigurisë shërbejnë për ruajtjen e pushtetit personal të Vuçiqit. Regjimi i mohon akuzat, duke i quajtur “sulme hibride” nga jashtë, por faktet tregojnë një tablo të qartë: BIA nuk mbron sigurinë kombëtare, por regjimin.
Ndryshimet e fundit mund të jenë një tentativë për të “pastruar” imazhin, por derisa Vuçiq të mbajë kontrollin, BIA do të mbetet mjeti i tij kryesor për “punë të pista”.

Rusia humb miliarda nga nafta dhe gazi – të ardhurat arrijnë nivelin më të ulët që nga viti 2020
Serbia i lejoi spiunët e Putinit të testojnë “topa zanorë” mbi qen
A po shkon Serbia drejt një Serbo-Maidan-i?
Rusia humbet Venezuelën, aleatin e avokados
Lufta e zgjatur në Ukrainë rrëzon mitin e supremacisë ushtarake ruse
Nëse mendoni se keni pasur një vit të keq, shikoni Aleksandar Vuçiq