Së bashku me Bjellorusinë, Serbia është i vetmi vend Evropian që nuk i është bashkuar sanksioneve globale kundër Moskës që nga pushtimi i Ukrainës, pavarësisht dëshirës së saj për anëtarësim në BE dhe presionit të vazhdueshëm nga jashtë. Brukseli dhe Uashingtoni i kanë kërkuar prej kohësh Beogradit të vendosë sanksione. Por edhe pse retorika e Serbisë ka filluar të ndryshojë kohët e fundit, Beogradi është ende i ulur në dy karrige, shkruan BBC Rusia.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, BE – ja tashmë ka miratuar tetë paketa sanksionesh kundër Rusisë-kompani publike dhe private, zyrtarë qeveritarë dhe të tjerë të afërt me Presidentin rus Vladimir Putin, vëren BBC Rusia.
Në Serbi në të njëjtën kohë u mbajtën zgjedhje të reja. Në fjalimin e saj inaugurues, Kryeministrja Ana Brnabiç nuk përmendi asnjë fjalë të vetme për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Moskës – megjithëse kjo pyetje u bë nga çdo mysafir që ka ardhur në Beograd në gjashtë muajt e fundit, si nga perëndimi ashtu edhe nga lindja.
Lëvizjet e kujdesshme diplomatike nga partnerët evropianë kanë kohë që i kanë lënë vendin apeleve të drejtpërdrejta. “Serbia duhet të bëjë përpjekje për të harmonizuar politikën e jashtme të BE-së dhe për të vendosur sanksione kundër Rusisë,” tha në raport Komisioneri Evropian për Zgjerim Oliver Varhelyi.
“Detyrimi nuk është ligjor, por politik dhe moral”.
Deri më sot, Serbia nuk ka asnjë obligim formal që të harmonizojë politikën e saj të jashtme me qëndrimin e Brukselit, thotë politologu Petar Milutinoviq nga Instituti për Studime Evropiane në Beograd.
Nga ana tjetër, çdo vend që ka statusin e kandidatit për anëtarësim në BE – dhe Serbia ka nisur procedurën për anëtarësim në Union dhe ka statusin zyrtar të kandidatit – duhet së pari të harmonizojë diplomacinë dhe infrastrukturën e tij të mbrojtjes me kërkesat strikte të Brukselit.
Sipas procedurës së miratuar, mosmarrëveshjet e mundshme rreth politikës së jashtme dhe sigurisë kolektive evropiane të BE-së zgjidhen më pas: është faza e gjashtë e procesit të integrimit dhe Serbia nuk ka arritur ende zyrtarisht në të.
“Detyrimi nuk është ligjor, por politik dhe moral. Sepse në qoftë se ju është dhënë tashmë statusi i kandidatit, ju duhet të ndani pikëpamjet dhe vlerat e komunitetit që doni t’i përkisni,” tha Milutinoviç.
Brukseli ka zhvilluar një model të posaçëm bisedimesh për vendet e mundshëm anëtarë, spjegon shkencëtari politik. “Metodologjia e rishikuar”, siç e quajnë burokratët evropianë, u ndërtua si një sistem shpërblimesh dhe ndëshkimeve për lëvizjet politike në një drejtim apo në një tjetër.
Nëse procesi i një vendi shkon në një drejtim të pafavorshëm, ky shtet mund të marrë një “rrahje” përpara pranimit në formën e mundësisë së përdorimit të fondeve evropiane bujqësore apo të punësimit, të cilat zakonisht janë në dispozicion vetëm të vendeve anëtare.
Një “perde e hekurt” e re mbi Evropë
“Pavarësisht të gjitha të metave dhe mangësive të Serbisë, Perëndimi ka ende shumë për t’i ofruar Beogradit,” tha Jade McGlynn, një studiuese ushtarake në King’s College në Londër, e cila studion kulturën e kujtesës dhe propagandën ushtarake në Rusinë bashkëkohore.
Nëse përparimi i vendit nuk është i dukshëm, BE-ja mund të ndalojë financimin e projekteve të përbashkëta apo edhe të ndalojë negociatat për pranimin e vendit në Bashkim.
“Nëse Serbia vazhdon të ulet në dy karrige, Beogradi është i ekspozuar ndaj rrezikut që partnerët evropianë do të lodhen me të dhe do të ngrijnë procesin e negociatave”, tha Natasha Vunš, profesoreshë e integrimit evropian në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Parisit.
Megjithatë, Millutinoviq beson se Brukseli do ta ketë të vështirë t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit, edhe nëse Beogradi nuk i bashkohet sanksioneve perëndimore. “Në terma afatgjatë, ngrirja e negociatave nuk i sjell dobi askujt,” shpjegon ai.
Megjithatë, Millutinoviq paralajmëron se ndryshimet tektonike po ndodhin në skenën gjeopolitike dhe Serbia nuk duhet të “të flejë përsëri nga rënia e Murit të Berlinit”. Një “perde e re e hekurt” po zbret mbi Evropë, një bllok vendesh po shfaqet, i ndarë plotësisht nga Rusia dhe Bjellorusia, thotë Millutinoviq.
Qëllimi i paketës së tetë të sanksioneve të BE-së është të izolojë Rusinë sa më shumë që të jetë e mundur nga pjesa tjetër e botës.
Prandaj, vetë Evropa është e detyruar të kërkojë lloje dhe burime të tjera të furnizimit me energji. Dhe Serbia do të duhet të zgjidhë të njëjtin problem.
Ndryshim në retorikën e Vuçiqit
26. Shkurt – ushtria ruse kalon kufirin e Ukrainës më 24. Shkurt, duke nisur një pushtim në shkallë të plotë në tre drejtime. Beogradi reagoi ndaj kësaj shkelje të dukshme të ligjit ndërkombëtar pothuajse dy ditë më vonë. Deklarata u formulua me mjaft kujdes: Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por nuk dëshiron të vendosë sanksione ndaj Rusisë, shkruan BBC Rusia.
2. Mars – në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Serbia ishte ndër vendet që dënoi hapur sulmin e trupave ruse ndaj Ukrainës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e shpjegoi këtë vendim me faktin se Serbët “nuk duhet të heshtin për shkak të historisë”. Në veçanti, ai theksoi se teksti i rezolutës së miratuar nga OKB nuk përmend asnjë sanksion.
4. Maj – Vuçiç u takua me Kancelarin Olaf Scholz në Berlin, pas së cilës ai tha se “Serbia ka mosmarrëveshje serioze me BE-në në lidhje me sanksionet ndaj Moskës”. Sidoqoftë, Vuçiç kujtoi se Beogradi “qartë dhe pa mëdyshje” mbrojti qëndrimin se pushtimi i Ukrainës është i papranueshëm.
“Ne kemi jetuar nën sanksione për një dekadë të tërë, kështu që kemi një marrëdhënie të veçantë me ta”, shpjegoi Vuçiç në një konferencë për shtyp, duke siguruar gazetarët se “Serbia e ka kuptuar shumë mirë mesazhin e Gjermanisë dhe të gjithë të tjerëve.”
1. Tetor – “Serbia nuk po vendos sanksione ndaj Rusisë sepse mbron politikën e saj kudo që mundet, dhe politika e vendit tonë përcaktohet nga përfundimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, tha Vuçiq.
Më 25. shkurt është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë. Në rezolutën prej 15 pikash të miratuar, theksohet vendosmëria e Serbisë për të respektuar integritetin territorial të vendeve të tjera, por thuhet se kur të shqyrtohet nevoja për të vendosur sanksione, Beogradi do të udhëhiqet “ekskluzivisht për të mbrojtur interesat jetike e tij ekonomike dhe politike.”
Vuçiq kujtoi se përfaqësuesit e disa vendeve i bënë thirrje Parlamentit Evropian të ndalojë negociatat me Serbinë për pranimin në BE derisa Beogradi të vendosë sanksione ndaj Moskës. Presidenti serb i quajti thirrje të tilla një shembull të qartë presioni.
Por, Komiteti Për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian me 13. Tetor, megjithatë, miratoi një rezolutë që kërkon rifillimin e bisedimeve për të ardhmen Evropiane të Beogradit vetëm pasi Serbia të pajtohet me sanksionet e BE-së të vendosura ndaj Moskës.
8. Tetor-Vuçiq përsëriti se Beogradi nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës. Sipas tij, Serbia nuk i ka borxh askujt dhe do të udhëhiqet vetëm nga interesat e veta.
“Ne nuk po vendosim sanksione jo sepse blejmë gaz me çmim më të ulët dhe jo sepse po sigurojmë kështu mbështetje për Beogradin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. E bëjmë sepse respektojmë të drejtën publike ndërkombëtare, respektojmë veten dhe parimet themelore morale, sepse e dimë se çfarë na kanë bërë sanksionet”, tha Vuçiq.
Beogradi do ta mbajë atë pozicion derisa “dëmi ndaj Serbisë të jetë shumë më i madh se çdo gjë tjetër”. Vuçiç tha gjithashtu se qeveria mund të ndryshojë vendimin e saj në të ardhmen, nëse shohin se nuk mund të bëjnë më ndryshe.
Po sikur Beogradi të zhgënjejë Moskën?
Në mes të Tetorit, Zëvendësministri i jashtëm rus Alexander Grushko tha se Moska do të zhgënjehej nëse Serbia do të vendoste sanksione dhe tha hapur se “çdo qeveri e udhëhequr nga interesat kombëtare nuk do të ndërmerrte një hap të tillë politik.”
Megjithatë, gjatë qëndrimit të tij në Beograd, autoritetet serbe nuk thanë asnjë fjalë për këtë, vuri në dukje gazeta Kommersant.
“Kërkesat e rrepta të Perëndimit padyshim që kanë pasur efekt. Javën e kaluar, Serbia mbështeti një rezolutë të OKB-së që dënonte Rusinë për mbajtjen e një referendumi dhe aneksimin e katër rajoneve ukrainase. Ka ndryshuar edhe retorika e liderëve serbë”, ka shtuar gazeta.
Gazeta thekson gjithashtu se garancitë e zakonshme se nuk do të vendosen sanksione ndaj “Rusisë vëllazërore” munguan në njoftimin për takimin këtë herë.
Një vendim i mundshëm për Serbinë për të vendosur sanksione do të kishte implikime të gjera. “Nëse Vuçiq vendos të vendosë sanksione, Rusia ka ende mundësinë që të ngrejë një valë pro Putinit në Serbi, duke e kthyer popullsinë kundër Vuçiqit”, thotë McGlynn.
Ajo beson se Rusia mund ta ndëshkojë disi Serbinë nëse vendos të vendosë sanksione, dhe lëvizje të tilla mund t’i shkaktojnë Vuçiqit dhimbje koke. Megjithatë, ajo shton se nuk duhet të harrojmë se Rusia nuk është më aq e fortë në aspektin ekonomik, gjeopolitik dhe të sigurisë.
Çështja e Kosovës
Një nga themelet e marrëdhënieve serbo-ruse është mbështetja e Moskës në çështjen e Kosovës, por gjithashtu varësia energjitike.
Millutinoviq thotë se Moska udhëhiqet nga interesi i saj për këtë çështje. Ai deklaron se në këmbim të mbështetjes së Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në vitin 2008, Gazpromneft bleu NIS, një monopolist në tregun serb të naftës dhe gazit, me një çmim të reduktuar.
Milutinoviq thekson se këto janë lëvizje thjesht racionale të biznesit: “nuk ka emocion, nuk ka miqësi vëllazërore dhe shekullore. Është krejt e kundërta.”
Shitja u parapri nga një marrëveshje ndërshtetërore midis Serbisë dhe Rusisë në dhjetor 2008, e lidhur në vitin kur Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia.
McGlynn pohon se Kremlini nuk është aspak i interesuar për të gjetur një zgjidhje për çështjen e Kosovës: “Prandaj, Serbia nuk mund të lëvizë realisht drejt BE-së nëse nuk bën disa lëshime”.
“Serbia ka edhe aleatë të tjerë të dobishëm – si Spanja dhe sot Ukraina – të cilët janë të gatshëm të mbështesin qëndrimin e Beogradit për Kosovën në këmbim të lëshimeve shumë më të vogla”, shton eksperti.
Një nga zgjidhjet e mundshme të propozuara nga Franca dhe Gjermania është hyrja e Kosovës në OKB (pra njohja e saj në nivel ndërkombëtar), e cila do t’i hapte një rrugë më të shpejtë Serbisë për anëtarësim në BE.
Megjithatë, sipas McGlynn, propozime të tilla nuk duhet besuar verbërisht, sepse “problemi kryesor është se vendet perëndimore të BE-së aktualisht nuk duan të zgjerojnë bllokun”.
“Nëse Serbia bën ndonjë lëshim për çështjen e Kosovës, atëherë kjo duhet të bëhet vetëm me garanci të caktuara”, është i bindur eksperti.
Çfarë thonë ambasadorët në Serbi
BBC Rusia përcjell gjithashtu pikëpamjet e ambasadorëve të BE-së, SHBA-së dhe Rusisë në Beograd:
“Beogradit nuk i është dhënë një afat (për të vendosur sanksione ndaj Rusisë), por kjo çështje po merr shumë vëmendje në kryeqytetet Evropiane, në Parlamentin Evropian dhe në Bruksel në përgjithësi, sepse është një çështje që ka të bëjë me të ardhmen e të gjithë kontinentit, sigurinë tonë dhe prosperitetin tonë,” tha shefi i Delegacionit të BE-së, Emanuel Giofre.
“Serbia ka një histori të gjatë dhe të ndërlikuar të sanksioneve dhe ne e kuptojmë qëndrimin e veçantë ndaj sanksioneve. Megjithatë, duhet parë mirë interesat e tyre kombëtare dhe jam i sigurt se herët a vonë ata do të shohin se janë në Perëndim. Dëshiroj t’i paralajmëroj serbët të kuptojnë se kjo nuk është ‘nëna Rusia’ e tyre, ne kemi të bëjmë me një Rusi krejtësisht tjetër. Nëse shikoni Evropën, shumë pak vende, dua të them vetëm Bjellorusia dhe Serbia, nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë. Çështja është nëse ata duan që Serbia të mbetet në këtë shoqëri”, tha ambasadori amerikan Christopher Hill.
“Unë besoj se Serbia nuk do t’i bashkohet vendeve që nuk mendojnë për të mirën e tyre kombëtare dhe të qytetarëve të tyre, por jemi të vetëdijshëm për presionin ndaj Serbisë për të vendosur sanksione. Kur është fjala për Kosovën, qëllimi i Moskës është të marrë një vendim në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se vendimi është në interesin e Beogradit dhe kjo nuk ka të bëjë me vendosjen e mundshme të sanksioneve”, tha ambasadori i Federatës Ruse Aleksandar Bocan-Kharchenko./nova.rs/