Nëse Perëndimi heq fokusin nga Bosnja, atëherë rajoni lehtë mund të përfshihet nga konfliktet në të cilat Rusia do të përfshihej si ndërmjetëse.
Këtë në një analizë e konstaton Këshilli Amerikan i Politikës së Jashtme (AFPC), një organizatë që për katër dekada me radhë ka luajtur një rol thelbësor në debatin e politikës së jashtme të SHBA.
“Situata është e brishtë dhe e djegshme. Bosnja mbahet e bashkuar nga një marrëveshje paqeje që nuk ishte menduar të zgjaste kaq shumë, kurse përpjekjet diplomatike të minutës së fundit të bëra në raste emergjente janë të paqëndrueshme”, shkruan AFPC, përcjell The Geopost.
Nëse Uashingtoni dhe Evropa e lënë Bosnjën pa mbikëqyrje, sipas analizës, kjo mund të rezultojë në një zhbërje katastrofike të Marrëveshjes së Dejtonit, duke çuar potencialisht në një tjetër ndezje të madhe të tensioneve dhe dhunës etnike.
“Do të linte gjithashtu një dritare mundësie për Rusinë që të ndërhyjë dhe të ndërmjetësojë një armëpushim, një skenar që të kujton ngjarjet në Nagorno-Karabakh një vit më parë, ku Rusia mori përsipër procesin e ndërmjetësimit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Përfundimi i asaj lufte gjashtë-javore tregoi vendosmërinë e Rusisë për të ruajtur rolin e saj qendror në konfliktet afër kufirit të saj dhe suksesin në paraqitjen e vetes si lojtari i vetëm, i aftë, për t’i dhënë fund luftës”, shkruan AFPC.
Analiza konkludon se “pa kontrolle dhe ekuilibra nga Perëndimi, nuk ka dyshim se Rusia do të bëjë të njëjtën gjë në Bosnje”.
Ndryshe, muajin e kaluar u shënua 26 vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit, një marrëveshje paqeje monumentale dhe e diskutueshme që i dha fund një prej luftërave më të dhunshme në historinë e Evropës Juglindore. Më 21 nëntor 1995, Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan marrëveshjen që i dha fund dhunës etnike dhe gjenocidit tre vjeçar në Bosnje dhe Hercegovinë, që kishte shpërthyer pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Marrëveshja e Dejtonit, e nënshkruar nga presidentët e Bosnjës, Kroacisë dhe Serbisë, parashtroi kushte të reja për popullin e Bosnjës, duke përfshirë një presidencë trepalëshe që do të përfaqësonte secilën nga tre etnitë kryesore: boshnjakët, serbët dhe kroatët. Marrëveshjet rezultuan në një paqe relativisht të qëndrueshme.
Për herë të pare pas nënshkrimit, ajo paqe po kërcënohet rëndë. Bosnja po sheh tani krizën e saj më të keqe politike që nga Dejtoni në formën e kërcënimeve secesioniste nga udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik. Në javët e fundit, Dodik ka kërcënuar se do të tërheqë serbët e Bosnjës nga të gjitha institucionet shtetërore qendrore, duke përfshirë ato kryesore si autoriteti qendror i taksave, institucionet e larta gjyqësore dhe, më e rëndësishmja, forcat e armatosura.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së Gabriel Escobar fluturoi në Sarajevë në fillim të nëntorit për t’u takuar me presidentët boshnjakë në një përpjekje për të stabilizuar situatën. Ndërsa vetë takimi u duk i suksesshëm, siç vuri në dukje një zyrtar i lartë boshnjak anonim, “mbetet për t’u parë nëse Dodik do të përmbushë premtimin e tij për të ndalur nismën e tij separatiste”.
“Bosnja dhe Ballkani,” shtoi zyrtari boshnjak, “kanë nevojë për më shumë se ofensiva diplomatike të minutës së fundit për të arritur stabilitet afatgjatë; rajoni, i lënë pas dore prej kohësh nga Perëndimi, përdoret gjithnjë e më shumë nga Rusia, Kina dhe Turqia për lojërat e tyre gjeopolitike të shahut.”
Ndërsa përmendja e Rusisë është e shkurtër, AFPC thotë se është një referencë që ia vlen t’i kushtohet vëmendje.
“Në fund të fundit, nuk është sekret që Kremlini e konsideron Serbinë dhe serbët e Bosnjës si aleate. Menjëherë pas njoftimit nxitës të shkëputjes së Dodik, Rusia kërcënoi të vërë veton ndaj rinovimit vjetor të misionit paqeruajtës të BE-së nëse nuk hiqen referencat për Përfaqësuesin e Lartë”, shkruan organizata.
E themeluar si pjesë e Marrëveshjes së Dejtonit, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë kishte për qëllim të përfaqësonte një forcë paqeruajtëse të BE-së dhe një mekanizëm civil ekzekutiv për zbatimin e paqes në Bosnje. Poashtu, Përfaqësuesi i Lartë kishte për detyrë të mbështeste Marrëveshjen e Dejtonit dhe të mbronte Bosnjën kundër nacionalizmit ekstrem dhe secesionizmit.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së ra dakord me kërkesat e Kremlinit, duke reflektuar mendimet gjithnjë e më përçarëse mbi trashëgiminë e Dejtonit dhe efektivitetin e tij. Duke kërkuar shpërbërjen e misionit, Rusia jo vetëm që ka eliminuar një pengesë të rëndësishme për Dodik dhe secesionistët e tjerë, por gjithashtu ka dëmtuar zbatimin e një marrëveshjeje paqeje të orkestruar nga SHBA.
Sipas AFPC, kërkesat e Rusisë – dhe suksesi i saj në arritjen e tyre – duken të vogla, megjithatë ato përfaqësojnë një lëvizje të rrezikshme që kërcënon ndikimin perëndimor si në Bosnje ashtu edhe në pjesën tjetër të Evropës Lindore dhe Juglindore.
“Mungesa e vëmendjes nga Perëndimi vitet e fundit, veçanërisht ndaj Bosnjës, u ka dhënë fuqive si Rusia më shumë hapësirë për të ushtruar ndikimin e tyre. Thyerja e Bosnjës po ndodh gjithashtu në sfondin e dy krizave të tjera të rëndësishme që po ndodhin në rajon: rritja e emigrantëve në kufirin polako-bjellorusi dhe ngritja e pashpjegueshme ushtarake e Rusisë në kufirin e saj të përbashkët me Ukrainën”, konstaton AFPC.