Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka rikthyer edhe një herë retorikën e tij agresive ndaj Kosovës, duke përdorur një ceremoni ushtarake për të përsëritur pretendimet territoriale të Beogradit dhe për të ushqyer narrativën nacionaliste serbe.
Në një kohë kur rajoni vazhdon të përballet me tensione politike dhe të sigurisë, Vuçiq u është drejtuar kadetëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë me një mesazh që, përtej retorikës politike, tingëllon si një thirrje për të mos hequr dorë nga ambiciet e Serbisë ndaj Kosovës.
“Kosova është pjesë e atdheut tonë, pjesë e Serbisë sonë, si sipas Kushtetutës ashtu edhe sipas drejtësisë së Zotit”, deklaroi Vuçiq gjatë ceremonisë së diplomimit në kazermën “Gjenerali Jovan Mishkoviq” në Banjicë.
Presidenti serb tha se kjo “duhet të kujtohet dhe të mbrohet”, duke pretenduar njëkohësisht se Serbia nuk kërcënon dhe nuk sulmon askënd.
Megjithatë, deklaratat e tij para një audience ushtarake dhe insistimi i vazhdueshëm në pretendimet territoriale ndaj Kosovës ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi mesazhin që Beogradi po përcjell në rajon.
Vuçiq nuk u ndal me kaq. Ai sulmoi sërish bashkëpunimin e sigurisë dhe mbrojtjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke e paraqitur atë si një aleancë “kundër Serbisë” dhe duke paralajmëruar se Beogradi ka nisur të ndërmarrë hapa në përgjigje të këtyre zhvillimeve.
“Ata po krijojnë aleanca kundër nesh në rajon. Ne i kemi kuptuar këto lëvizje dhe kemi filluar të ofrojmë atë që është e nevojshme”, tha Vuçiq.
Deklaratat e tij vijnë menjëherë pas retorikës së rëndë të zyrtarëve të tjerë serbë, përfshirë ministren Snezhana Paunoviq, e cila kishte bërë deklarata skandaloze lidhur me “spastrimin” e Kosovës nga shqiptarët.
Në vend që të distancohet nga deklaratat e tilla dhe të kontribuojë në uljen e tensioneve, Vuçiq po vazhdon të ushqejë të njëjtën narrativë nacionaliste, duke e mbajtur Kosovën në qendër të politikës së tij dhe duke përdorur edhe institucionet ushtarake për të përsëritur pretendimet e Beogradit.
Mesazhi i presidentit serb është i qartë, pavarësisht realitetit të ri politik dhe pavarësisë së Kosovës, Beogradi nuk ka hequr dorë nga pretendimet e tij territoriale.
Për Kosovën dhe rajonin, kjo retorikë shihet si një tjetër sinjal shqetësues, veçanërisht kur vjen në një periudhë të tensionuar dhe në një kohë kur kërkohet dialog, përgjegjësi politike dhe respektim i realiteteve të reja në Ballkan./The GeoPost

Nga udhëheqësit shtetërorë dhe të kishës te ‘Ujqërit e Natës’: Kush ishte në funeralin e Ratko Mlladiqit? (FOTO)
“Pamje tronditëse”: Udhëheqësit e BE-së dënojnë madhërimin e Mlladiqit në Beograd
Biserko: BE-ja po e përkëdhel sërish Vuçiqin pas funeralit të Mlladiqit
“Galeri banditësh”, kongresisti amerikan: Putin dhe Mladiq janë kriminelë lufte, Vuçiq anti-amerikan
Joseph: Serbia është platforma kryesore për ndikimin dashakeq rus dhe kinez në Ballkan
Shteti, Kisha dhe “heroi” – çfarë mesazhi dha Serbia me funeralin e Mladiqit