Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka akuzuar Lista Serbe për “shtypje sistematike dhe masive” ndaj serbëve të Kosovës para zgjedhjeve të ardhshme, duke pretenduar se po ushtrohen presione politike, kërcënime për largim nga puna dhe frikësim të qytetarëve.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Rashiq deklaroi se metodat e përdorura ndaj serbëve që nuk mbështesin Listën Serbe janë “gjithnjë e më mizore dhe brutale”.
Ai tha se gjatë dy javëve të fundit ka pasur ndalime dhe marrje në pyetje të qytetarëve nga persona që prezantoheshin si përfaqësues të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).
Si shembull, ai përmendi rastin e një punëtoreje nga Leposaviqi, e cila sipas tij u ndalua për më shumë se pesë orë në pikën kufitare me Serbinë bashkë me bashkëshortin dhe tre fëmijët e saj të mitur.
Rashiq shtoi gjithashtu se punonjës të institucioneve serbe janë dërguar në objekte pranë Merdares, ku janë marrë në pyetje dhe janë detyruar të deklarojnë se për kë do të votojnë në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Po mbahen në bodrume dhe dhoma të errëta për disa orë dhe u kërkohet të mos votojnë për mua”, deklaroi ai.
Ministri tha se tashmë rreth 20 persona janë larguar nga puna, kryesisht në qendra shëndetësore dhe shkolla, për shkak të mbështetjes së tyre të pretenduar ndaj tij ose aktivitetit në rrjetet sociale.
Sipas Rashiqit, në një nga vendimet për largim nga puna thuhej se punonjësi kishte “shprehur orientim politik në kundërshtim me interesat e popullsisë serbe”, ndërsa ai ironizoi duke thënë se “faji” i vetëm i punonjësit ishte se kishte pëlqyer postime në rrjetet sociale dhe kishte dalë në një fotografi me të.
Ai u bëri thirrje institucioneve të Kosovës dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, që të reagojnë ndaj asaj që e quajti “shkelje masive të të drejtave të njeriut” ndaj serbëve në Kosovë.
Rashiq tha se ekipi i tij do të përpiqet të mbrojë qytetarët që, sipas tij, po përballen me presion politik dhe frikësim para zgjedhjeve.
The Geopost

Kuvendi i Kosovës miraton në parim Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë
Wilson: Regjimi i Vuçiqit po përpiqet të pengojë votimin e diasporës serbe, njësoj si Georgian Dream në Gjeorgji
Biljana Pllavshiq, gruaja që pas masakrës e puthi Arkanin dhe boshnjakët i quajti “material gjenetik të prishur”
“Tela me gjemba inteligjentë”: Kurthi i ri i Ukrainës për dronët
Sulmet ruse godasin Kievin gjatë vizitës së kancelarit Merz – publikohen pamjet e sulmit ndaj një prej urave kryesore të kryeqytetit ukrainas
Shefi i NATO-s: Jemi më të fortë se Rusia