Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

“Koha nuk shëron” – rrëfimi i gruas nga Srebrenica që ende pret të gjejë eshtrat e babait dhe vëllait

The Geopost July 10, 2026 3 min read
Share the news

“Unë nuk di asgjë për ju, por po ju shkruaj. Nuk e di as ku jeni, as si jeni. Nuk e di as se cili ka qenë fati juaj. Vetëm një gjë e di, më keni munguar tmerrësisht”.

Këto nuk janë vargje nga një përmbledhje poezish, por janë fjalët që banorja e Srebrenicës, Nermina Lakota, prej vitesh ua shkruan babait të saj Suljo dhe vëllait Velid, të vrarë në gjenocidin e Srebrenicës në korrik të vitit 1995.

Mbetjet e tyre mortore nuk u gjetën kurrë.

Për Nerminen, shkrimi është bërë mënyra e vetme për të biseduar me ta.

“Kur të gjithë flenë dhe unë nuk di çfarë të bëj me veten, ulem dhe shkruaj. U shkruaj atyre, shkruaj për Srebrenicën, për nënat, për të gjithë ata që kemi humbur”, tha Nermina në një bisedë për Anadolu.

Më shumë se tre dekada pas gjenocidit, ajo thotë se koha nuk ka sjellë lehtësim.

“Për mua 11 korriku është çdo ditë. Për 31 vjet, çdo ditë është 11 korrik. Me këtë bie të fle dhe me këtë zgjohem. Thonë se koha shëron. Nuk shëron. Njeriu vetëm mëson të jetojë me këtë”, shprehet ajo.

Babai i saj, Suljo Deliq, ishte 72-vjeç kur u pa për herë të fundit pas Srebrenicës.

Sipas dëshmive, ai refuzoi të largohej pa djalin e tij Velid. Që atëherë, çdo gjurmë e tyre është humbur.

Velid Deliq ishte 35-vjeç. Ai ishte polic dhe refer basketbolli.

Edhe pse mbetjet mortore të burrave të tjerë, të vrarë së bashku me ta, u gjetën që në vitin 1997, ato të Velidit nuk janë gjetur kurrë.

Nermina tha se për vite me radhë ka vizituar institucionet, ka biseduar me hetuesit dhe është përpjekur të mësojë se çfarë ka ndodhur me babanë dhe vëllanë e saj.

“Ende shpresoj. Por, diku thellë brenda vetes, kam frikë se ndoshta nuk do t’i gjej kurrë”, deklaroi ajo.

Për të është veçanërisht e vështirë që nëna e saj nuk arriti të presë ditën për ta varrosur me dinjitet bashkëshortin dhe djalin e saj. Ajo ndërroi jetë në vitin 2016.

Nermina zbuloi se dëshira e saj më e madhe është që një ditë të botojë një përmbledhje me poezitë që gjatë gjithë këtyre viteve ua ka shkruar babait, vëllait dhe të gjitha viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Ndryshe, pas rënies së “zonës së mbrojtur” të OKB-së në Srebrenicë më 11 korrik të vitit 1995, pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe dhe bashkëpunëtorët e tyre vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë.

Në Qendrën Përkujtimore Srebrenicë-Potoçari deri tani janë varrosur 6.765 viktima të gjenocidit, ndërsa rreth 250 viktima, sipas dëshirës së familjeve të tyre, janë varrosur në varreza lokale.

Për më shumë se 1.000 viktima të gjenocidit ende vazhdon kërkimi.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 vendosi se pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe kryen gjenocid në Srebrenicë në korrik të vitit 1995.

Tribunali i Hagës, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës, si dhe sistemet gjyqësore të Serbisë dhe Kroacisë, deri tani kanë dënuar gjithsej 54 persona për gjenocid dhe krime të tjera lufte me gjithsej 781 vjet burgim dhe pesë dënime me burgim të përjetshëm.

Ndër të dënuarit me burgim të përjetshëm janë ish-presidenti i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiq dhe komandanti ushtarak i Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mlladiq. /AA

Tags: Masakra e Srebrenicës OKB Serbia Srebrenica

Continue Reading

Previous: Trump pas samitit të NATO-s: Amerika më e fortë se kurrë
Next: Daçiq vazhdon me narrativë të vjetër, sulmon vendet e BE-së për njohjen e Kosovës

Çerimagiq: Përmes Vulinit, Serbia promovon mbështetjen ruse për Vuçiqin dhe projektin e “Botës Serbe” 3 min read
  • Ballkan
  • News

Çerimagiq: Përmes Vulinit, Serbia promovon mbështetjen ruse për Vuçiqin dhe projektin e “Botës Serbe”

The Geopost October 11, 2026
Rusia, BE-ja, Kina, SHBA-ja: Kah cili vend anojnë 18 listat zgjedhore në Serbi? 15 min read
  • Ballkan
  • News

Rusia, BE-ja, Kina, SHBA-ja: Kah cili vend anojnë 18 listat zgjedhore në Serbi?

The Geopost October 11, 2026
Shërbimet e inteligjencës evropiane paralajmërojnë: Rusët po përgatisin atentate në të gjithë Evropën 3 min read
  • Botë
  • News

Shërbimet e inteligjencës evropiane paralajmërojnë: Rusët po përgatisin atentate në të gjithë Evropën

The Geopost October 11, 2026
Nga Banjska deri te “Bota Serbe”, zbulohet plani i Vuçiqit dhe Vulinit për destabilizimin e Ballkanit! 2 min read
  • Ballkan
  • News

Nga Banjska deri te “Bota Serbe”, zbulohet plani i Vuçiqit dhe Vulinit për destabilizimin e Ballkanit!

The Geopost October 11, 2026
Bosnje dhe Hercegovina pas zgjedhjeve: Mes Rusisë dhe Perëndimit 9 min read
  • Ballkan
  • News

Bosnje dhe Hercegovina pas zgjedhjeve: Mes Rusisë dhe Perëndimit

The Geopost October 11, 2026
Ish-ministri gjerman për deklaratën e Daçiç-it: Kjo rrugë çon drejt luftës, jo BE-së 1 min read
  • Ballkan
  • News

Ish-ministri gjerman për deklaratën e Daçiç-it: Kjo rrugë çon drejt luftës, jo BE-së

The Geopost October 11, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.