Bashkimi Evropian ka deklaruar se Ukraina duhet të vendosë vetë se kur do të zhvillojë zgjedhjet, duke respektuar Kushtetutën, legjislacionin vendas dhe standardet demokratike.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha të enjten, më 20 gusht, se vendimi për organizimin e zgjedhjeve i takon institucioneve ukrainase.
“Ukraina vetë duhet të vendosë se kur do t’i zhvillojë ato, me respekt të plotë për kuadrin e saj ligjor”, deklaroi Hipper, sipas një korrespondenti të European Pravda në Bruksel.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm ta mbështesë Ukrainën gjatë gjithë procesit zgjedhor, nëse autoritetet në Kiev vendosin të organizojnë zgjedhje.
“Ekzistojnë kuadret kushtetuese dhe vendimi duhet të merret nga Ukraina – nëse ajo vendos ta bëjë këtë”, shtoi zëdhënësja e Komisionit Evropian.
Deklaratat e Brukselit vijnë në një moment kur në Ukrainë është rikthyer debati për mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve, pavarësisht se vendi vazhdon të jetë në luftë.
Çështja është veçanërisht e ndërlikuar për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar nga konflikti, si dhe sfidave praktike për organizimin e një procesi zgjedhor në një vend ku një pjesë e territorit është e pushtuar, ndërsa miliona qytetarë ndodhen jashtë vendit.
Më 18 gusht, ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, bëri thirrje për krijimin e një mekanizmi ligjor, të sigurt dhe realist që do të mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve në Ukrainë.
Debati për zgjedhjet pritet të mbetet një çështje e ndjeshme politike, veçanërisht nëse përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës sjellin kushte të reja për rikthimin gradual të proceseve demokratike.
Nga Brukseli, mesazhi duket i qartë: BE-ja nuk kërkon të përcaktojë datën e zgjedhjeve në Ukrainë, por pret që çdo vendim i Kievit të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjet e vendit dhe standardet demokratike.

“Putini nuk duhet të fitojë”, Rutte: Mbështetja ushtarake për Ukrainën duhet të vazhdojë, Rusia mbetet kërcënim për Evropën
Garanci si të NATO-s për Ukrainën? Propozimi amerikan përballë kundërshtimit rus
Gjermania konfirmon koordinimin me SHBA-në për të ardhmen e KFOR-it
Vizat, Sanksionet, Paratë: Si planifikon BE-ja të zgjasë ndalimet për atletët rusë
Radoiçiqi dhe vëllezërit Veselinoviq shfrytëzuan Bosnjën për t’u larguar nga Serbia, analistët paralajmërojnë për rrjetet politike dhe kriminale
Gjermania teston dronët kamikazë në Lituani, aleatët nxjerrin mësime nga lufta në Ukrainë