Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Ministrisë së Inteligjencës së Iranit dhe kreut të këtij institucioni, duke i akuzuar se qëndrojnë pas një sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë, në muajin korrik.
Sanksionet e vendosura më 9 shtator, u tha se kanë të bëjnë edhe me aktivitete të tjera kibernetike të Republikës Islamike ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.
Ky njoftim vjen pasi Shqipëria, më 7 shtator, bëri të ditur për shkëputjen e raporteve diplomatike me Iranin, për shkak të sulmit të korrikut, dhe urdhëroi diplomatët iranianë dhe stafin diplomatik që të largoheshin nga shteti brenda 24 orësh.
Departamenti amerikan i Thesarit tha përmes një deklarate se Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit drejton disa rrjete të autorëve të kërcënimeve kibernetike, përfshirë edhe ata që janë të angazhuar në spiunazh kibernetik dhe sulme kompjuterike, në mbështetje të Qeverisë iraniane.
“Ne nuk do t’i tolerojmë aktivitetet kibernetike, gjithnjë e më agresive, të Iranit”, tha nënsekretari amerikan i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian Nelson.
Ministria iraniane ishte qysh më herët nën sanksione të SHBA-së. Irani nuk reagoi ende ndaj masave të fundit ndëshkuese të SHBA-së.
Ekipi i kërkimit të sigurisë kibernetike i kompanisë Microsoft ka marrë pjesë në hetimin e sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë. Kompania tha më 8 shtator se operacioni kibernetik iranian përfshinte kombinim të teknikave të spiunazhit digjital, fshirjes së të dhënave dhe operacioneve të informacioneve online.
Qëllimi i hakerëve, sipas Microsoft-it, ishte që t’i turpëronin zyrtarët e Qeverisë shqiptare, por më shumë detaje nuk u dhanë.Sulmet e korrikut shkaktuan ndërprerje të përkohshme të qasjes në ueb-faqet qeveritare dhe të shërbimeve të tjera publike të Shqipërisë.
Analistët thonë se operacioni kishte për qëllim të ndëshkonte Shqipërinë për mbështetjen e disidentëve iranianë, që strehohen në këtë vend.
Irani ka shpërfillur “normat e sjelljes së përgjegjshme të shtetit, në kohë paqeje, në hapësirën kibernetike”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Që nga viti 2013, me kërkesë të SHBA-së, Shqipëria strehon afër 3.000 anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), të cilët janë disidentë.
Zyrtarët e Iranit i konsiderojnë terroristë anëtarët e këtij grupi. Pjesëtarët e këtij grupi, këtë vit, janë vizituar nga ish-zyrtarë të administratës amerikane, Mike Pompeo dhe Mike Pence.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka akuzuar Iranin për “agresion shtetëror” ndaj Shqipërisë, por Teherani ka mohuar se qëndron prapa sulmit kibernetik të korrikut./REL

“Radar” publikon dokumentet ekskluzive të mbikëqyrjes sekrete të kritikëve të Vuçiqit nga BIA
Vuçiq fali 49 persona para largimit nga presidenca, në listë ish-zyrtarë dhe persona të përfshirë në incidente
“Mblidhnin vota për SNS-në e Vuçiqit”, avokati Niniq ngre kallëzim penal ndaj tetë zyrtarëve të BIA-s
Zyra e Prokurorit të Krimit të Organizuar kërkon urgjentisht dokumentacion mbi faljet e dhëna nga Vuçiq
Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe zotohet se do t’i ruajë lidhjet institucionale me Beogradin
Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë