Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • Lajme

Sanksione të mundshme për zyrtarët serbë, SHBA kërkon luftë kundër korrupsionit dhe dezinformimit

The Geopost December 19, 2025 3 min read
Share the news

Gjendja e demokracisë në Serbi është “shqetësuese”, ndërsa kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve kanë qenë “të padrejta”, vlerëson Kongresi i Shteteve të Bashkuara në kuadër të Aktit të Demokracisë dhe Prosperitetit të Ballkanit Perëndimor, i cili u miratua javën e kaluar në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ky akt është pjesë e Ligjit për Autorizimin e Sigurisë Kombëtare (NDAA) për vitin 2026 dhe u miratua me 312 vota pro (197 republikanë dhe 115 demokratë) dhe 112 kundër.

Projektligji tani pritet të shqyrtohet nga Senati dhe më pas t’i dërgohet presidentit Donald Trump për nënshkrim. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Trump do ta nënshkruajë ligjin.

Ndryshe nga rezolutat e mëparshme deklarative, ky akt përbën një kuadër ligjor detyrues për Departamentin e Shtetit dhe Pentagonin, duke përcaktuar qartë politikën amerikane ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, shkruan N1.

Nga të gjitha vendet e rajonit, vetëm Serbia përmendet në mënyrë eksplicite.

Kongresi amerikan thekson se zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbajtura më 17 dhjetor 2023, si dhe ngjarjet që pasuan, “ngrenë shqetësime serioze për gjendjen e demokracisë në Serbi”.

Vlerësimi bazohet në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, i cili konstatoi kushte të padrejta zgjedhore, mangësi procedurale, zbatim jokonsistent të masave mbrojtëse gjatë votimit dhe numërimit, mbipopullim të qendrave të votimit, shkelje të fshehtësisë së votës dhe raste të shumta të votimit në grup.

Në dokument theksohet gjithashtu se zyrtarët serbë kanë akuzuar protestuesit paqësorë, opozitën dhe shoqërinë civile për “përpjekje për destabilizimin e qeverisë”, një pretendim që Kongresi e cilëson si shqetësues dhe kërcënues për sigurinë e segmenteve të rëndësishme të shoqërisë.

Ligji thekson se Ballkani Perëndimor është rajon kyç për paqen dhe stabilitetin evropian, por paralajmëron se korrupsioni – përfshirë edhe në nivelet më të larta politike – dhe fushatat e dezinformimit po minojnë institucionet demokratike dhe integritetin zgjedhor.

Në këtë kontekst, Serbia përmendet si shembull i një mjedisi politik të shënuar nga kontrolli autokratik, ku korrupsioni dhe dezinformimi përhapen dhe përbëjnë pengesë serioze për zhvillimin ekonomik dhe politik.

Sanksione brenda 90 ditëve

Një nga elementët kyç të ligjit është parashikimi i sanksioneve.

Presidenti i SHBA-së detyrohet të vendosë sanksione, jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e aktit, ndaj çdo individi të huaj të përfshirë në korrupsion që lidhet me Ballkanin Perëndimor.

Sanksionet parashikohen gjithashtu për individë apo politika që kërcënojnë paqen, stabilitetin, proceset demokratike dhe integritetin territorial të vendeve të rajonit, si dhe për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Masat mund të përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe revokimin e vizave.

Njëkohësisht, Sekretari amerikan i Shtetit obligohet të forcojë Nismën Kundër Korrupsionit përmes asistencës teknike, trajnimeve dhe mbështetjes për institucionet e drejtësisë dhe organet e pavarura, me fokus të veçantë në luftimin e korrupsionit politik dhe forcimin e integritetit zgjedhor./TheGeoPost.

Tags: Serbia SHBA

Continue Reading

Previous: Zaharova ndërhyn sërish në çështjen e Kosovës, duke folur si zëdhënëse e përbashkët e Rusisë dhe Serbisë
Next: Nga Beogradi në Moskë, pse “Bota Serbe” është kopje e një narrative destabilizuese

Partia e Vuçiqit, SNS, bashkohet me radikalët e Sheshelit – në listën zgjedhore edhe emra të kërkuar nga Haga 5 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Partia e Vuçiqit, SNS, bashkohet me radikalët e Sheshelit – në listën zgjedhore edhe emra të kërkuar nga Haga

The Geopost September 23, 2026
Kriza pengmarrjeje në Ballkanin Perëndimor: Si e ka zënë peng regjimi i Vuçiqit rrugën evropiane të Serbisë? 10 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Kriza pengmarrjeje në Ballkanin Perëndimor: Si e ka zënë peng regjimi i Vuçiqit rrugën evropiane të Serbisë?

The Geopost September 23, 2026
Kryetari i Presidencës së BiH në OKB: Glorifikimi i Mlladiqit nga Serbia është i papranueshëm, Republika Srpska kërcënon paqen 3 min read
  • Ballkan

Kryetari i Presidencës së BiH në OKB: Glorifikimi i Mlladiqit nga Serbia është i papranueshëm, Republika Srpska kërcënon paqen

The Geopost September 23, 2026
“Kamionët e viktimizimit” në Nju Jork, Fetoshi: Strategji serbo-ruse për ta dëmtuar imazhin e Kosovës 4 min read
  • Lajme

“Kamionët e viktimizimit” në Nju Jork, Fetoshi: Strategji serbo-ruse për ta dëmtuar imazhin e Kosovës

The Geopost September 23, 2026
Stradner: Regjimi i Vuçiqit drejt zgjedhjeve, ndërsa Qeveria serbe merr pjesë në panel në Rusi 2 min read
  • Ballkan

Stradner: Regjimi i Vuçiqit drejt zgjedhjeve, ndërsa Qeveria serbe merr pjesë në panel në Rusi

The Geopost September 23, 2026
Bajram Bajrami lirohet nga autoritet kroate, ishte ndaluar me urdhërarrest të Serbisë 2 min read
  • Ballkan

Bajram Bajrami lirohet nga autoritet kroate, ishte ndaluar me urdhërarrest të Serbisë

The Geopost September 22, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.