Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Lajme

Rusia po dërgon persona me probleme mendore dhe të sëmurë rëndë në frontin e luftës në Ukrainë

The Geopost November 7, 2025 4 min read
Share the news

 

Një pamje e tmerrshme që po qarkullon nga fronti në Ukrainë tregon një burrë të plagosur që qëndron në një kanal me baltë, i zhveshur nga uniforma e tij ushtarake. Trupi i dobësuar mezi qëndron në këmbë, ndërsa nën pllakën e identitetit ushtarak shihen brinjët e dala. Ai mezi artikulon fjalë — dhe sipas autoriteteve ukrainase, është një nga shumë ushtarët me probleme mendore që Rusia dyshohet se ka dërguar në vijën e parë të frontit.

Sipas një raporti të The Telegraph, burime ukrainase thonë se kjo është një strategji e re e Moskës që tregon varësinë në rritje ndaj rekrutëve të pambrojtur dhe gatishmërinë për të shfrytëzuar burimet njerëzore pa marrë parasysh pasojat apo numrin e viktimave.

“Rusisë nuk do t’i mungojnë kurrë njerëzit,” ka thënë një pjesëtare e forcave të mbrojtjes ukrainase, e quajtur Ana (emri i ndryshuar për arsye sigurie). “Nëse çdo 10 metra humbin një njeri, por arrijnë përparim, ata do ta bëjnë. Për ta, jeta e të varfërve nuk ka çmim,” shtoi ajo.

Ushtarë me aftësi të kufizuara e probleme mendore në front

Eksperti ushtarako-politik Dmitro Zhmailo, drejtor ekzekutiv i Qendrës Ukrainase për Siguri dhe Bashkëpunim (USCC), tha se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një modeli sistematik.

“Për shkak të mungesës së trupave dhe humbjeve të mëdha, Rusia po rekruton qytetarë pavarësisht nga shëndeti i tyre fizik apo mendor,” tha Zhmailo.

Një komandant ukrainas, që dëshiroi të mbetet anonim, pohoi se kanë identifikuar të paktën dy raste të rusëve me paaftësi mendore të dërguar në luftë, përveç atyre të dokumentuar nga USCC.

Njëri prej tyre ishte Semyon Karmanov, 27 vjeç, i cili nuk dinte as të lexonte as të shkruante dhe kishte diagnozën “paaftësi intelektuale me çrregullime të sjelljes që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm”. Megjithatë, komisioni mjekësor i burgut e shpalli “të aftë për shërbim ushtarak”. Nga burgu, ai u dërgua në një kamp stërvitor në Lugansk të pushtuar, ku mori librezën ushtarake me detyrë “shofer” – megjithëse nuk kishte vozitur kurrë. Ai u vra në front këtë vjeshtë.

Një rast tjetër është ai i Aleksei Vahrushev, 22 vjeç, nga Rusia perëndimore, i cili kishte kaluar shumicën e jetës nën kujdes psikiatrik. Pavarësisht certifikatës mjekësore që e shpallte të paaftë për shërbim, policia e detyroi të nënshkruante kontratën ushtarake. Pas një përpjekjeje për të ikur nga fronti, ai u dërgua përsëri në betejë — dhe fati i tij mbetet i panjohur.

Në rrjete sociale po qarkullojnë video që tregojnë ushtarë rusë të kapur rob, të cilët nuk kuptojnë ku ndodhen dhe nuk janë në gjendje të komunikojnë, gjë që sipas autoriteteve ukrainase tregon qartë përdorimin e personave me aftësi të kufizuara si “mish për top”.

Zhmailo përmendi edhe rastin e Artyom Radaevit, 22 vjeç, i cili kishte qenë invalid që nga fëmijëria, por u dërgua në front nga Brigada e 4-të e Motorizuar Ruse. Ai u zhduk pas disa ditësh dhe nëna e tij më vonë e njohu në një foto ku ushtarët rusë ishin lidhur për pemë si ndëshkim për refuzimin e urdhrave.

Një tjetër, Oleg Volkov (23), me diagnozë psikiatrike që në fëmijëri, u detyrua të nënshkruante kontratë ushtarake pasi u kap duke vjedhur një arka vere. Ditën e parë në Ukrainë u fsheh i tmerruar në një trafostacion, ku më pas u kap rob. Edhe fati i tij është i panjohur.

“Rekrutët vdesin menjëherë sapo arrijnë”

Një ushtar rus nga njësia “Espanyola”, që lufton në afërsi të qytetit Chasiv Yar, pranoi në një video se shumë nga rekrutët e rinj vdesin menjëherë sapo arrijnë në front.

“Rekrutojnë njerëz që nuk dinë asgjë. Miliona shpenzohen për ta, por sapo mbërrijnë, vdesin. Nga 70 njerëz në njësinë time, kanë mbetur vetëm gjashtë,” – tha ai. “Tashmë vozisim mbi kufoma — nuk ka mënyrë tjetër.”

“Kremlini nuk i sheh ushtarët si njerëz”

Ana, pjesëtare e ushtrisë ukrainase, theksoi se numri i madh i viktimave ruse nuk do të thotë se Ukraina po fiton automatikisht.

“Për ne çdo ushtar është një jetë. Për Putinin, çdo ushtar është thjesht një mjet për të arritur qëllimin. Ata shqetësohen më shumë për sanksionet amerikane sesa për humbjen e 500 mijë njerëzve,” tha ajo.

Sipas saj, lufta nuk është më çështje aftësie ushtarake, por numrash: “Kremlini e sheh këmbësorin jo si njeri, por si mall të konsumueshëm.”

Për të njëjtën gjë flet edhe pukovniku Oleksandr Zavtonov nga Korpusi 30 Detar i Ukrainës, që lufton në drejtimin e Hersonit.

“Sulmet janë të pandërprera, ditë pas dite, muaj pas muaji. Nga përgjimet radiokomunikuese dëgjojmë shpesh ushtarë rusë që refuzojnë të sulmojnë, por komandantët e tyre janë krejtësisht indiferentë,” shpjegon ai.

Zavtonov përfundon duke thënë se, edhe pse sulmet nuk janë gjithmonë masive, qëllimi i tyre është të shterojnë forcat ukrainase.

“Armiku nuk njeh kufi në çmimin e jetëve njerëzore. Për botën e civilizuar kjo duket si taktikë kanibaliste, por për rusët është normë. Ata gjithmonë luftojnë kështu — pa vlerë për jetën njerëzore,” tha ai.

 

/TheTelegraph

Continue Reading

Previous: Polonia do të ofrojë trajnim ushtarak për të gjithë qytetarët
Next: Nga Sarajeva në Ukrainë e deri në Serbi: Kush kërcënoi me masakër në protestën në Beograd?

Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit 3 min read
  • Lajme
  • Siguri

Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit

The Geopost April 5, 2026
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë 11 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë

The Geopost March 27, 2026
Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit 3 min read
  • Lajme

Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit

The Geopost March 26, 2026
Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë 2 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë

The Geopost January 30, 2026
Ulja e orëve të gjuhëve të huaja në shkollat ​​ruse si mjet militarizimi 3 min read
  • Botë
  • Lajme

Ulja e orëve të gjuhëve të huaja në shkollat ​​ruse si mjet militarizimi

The Geopost January 28, 2026
“Nuk e bënë shqiptarët” – Si u vra Milosh Vlashkoviqi në Mazgit nga dy ushtarë serbë, teksa grabisnin shtëpitë në vitin 1999 3 min read
  • Ballkan
  • Lajme

“Nuk e bënë shqiptarët” – Si u vra Milosh Vlashkoviqi në Mazgit nga dy ushtarë serbë, teksa grabisnin shtëpitë në vitin 1999

The Geopost January 27, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.