Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Lajme

Kosova jashtë Listës së Shteteve të Brishta: Çka do të thotë për ekonominë?

The Geopost July 19, 2025 5 min read
Share the news

Brenda më pak se dhjetë ditësh, dy nga institucionet më të mëdha financiare ndërkombëtare – Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar – e kanë hequr Kosovën nga Lista e Shteteve në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit.

Pas më shumë se 15 vjetësh në këtë listë, Kosova kthehet tani në hartën e vendeve që konsiderohen institucionalisht më të qëndrueshme dhe financiarisht më të konsoliduara.

Si për Bankën Qendrore të Kosovës, ashtu edhe për Qeverinë në detyrë, kjo është një “njohje e rëndësishme e përparimit institucional dhe ekonomik të vendit”.

Ekspertët e ekonomisë thonë se ky zhvillim mund të forcojë imazhin e Kosovës si një vend i qëndrueshëm dhe i besueshëm për investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Çka nënkupton në aspektin ekonomik heqja e Kosovës nga kjo listë?

Mejdi Bektashi, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se vendimet e Bankës Botërore dhe të FMN-së për ta hequr Kosovën nga Lista e Shteteve në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit janë stimuluese për zhvillimet e ardhshme, ndaj të cilave Kosova duhet të përshtatet.

Sipas tij, Kosova, tani e tutje, do të ketë përfitime të shumta, jo vetëm nga Banka Botërore dhe FMN-ja si institucione financiare, por edhe nga tregjet tjera financiare që veprojnë në shtetet më të zhvilluara.

“Kryesisht, duke rritur qasjen në kreditim, në zvogëlimin e normës së riskut, që nënkupton zvogëlimin e normës së interesit, me të cilën Kosova mund të marrë hua apo kredi nga këto institucione apo tregje të tjera financiare”, shpjegon Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Për profesorin tjetër të Ekonomisë, Berim Ramosaj, heqja e Kosovës nga Lista e Shteteve në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit rrit besimin e investitorëve vendorë e të huaj, zgjeron mundësitë për kredi më të favorshme, si në nivel nacional ashtu edhe ndërkombëtar, dhe u jep shansin edhe bankave të rendit të dytë dhe të tretë të performojnë më mirë.

Përfitime të tjera

Bektashi thotë se mbështetja nga Banka Botërore dhe FMN-ja siguron stabilitet makroekonomik për Kosovën, duke përfituar jo vetëm sektori publik, por edhe ai privat, i cili do të ketë qasje më të lehtë dhe me kushte më të favorshme në huazime nga vendet e zhvilluara.

Megjithatë, ai thekson se pjesa më e madhe e aktivitetit financiar në Kosovë lidhet me Bashkimin Evropian, i cili, prej dy vjetësh, ka vendosur masa shtrënguese ndaj vendit, për shkak të tensioneve në veri.

“Masat shtrënguese, të vëna nga Komisioni Evropian, si dhe mosformimi i institucioneve (të Kosovës) që po zgjat me muaj të tërë, janë sinjale shumë të këqija, shumë dëshpëruese edhe për institucionet më të rëndësishme financiare, por edhe për BE-në”, thotë Bektashi.

Ai shton se vendimet e Bankës Botërore dhe FMN-së duhet të shërbejnë tani si sinjal pozitiv edhe për vetë BE-në që t’i heqë masat shtrënguese dhe të adoptojë një qasje më të moderuar ndaj Kosovës.

A janë vendimet e Bankës Botërore dhe FMN-së pasqyrim i përmirësimeve reale?

Vendimet e Bankës Botërore dhe FMN-së për Kosovën janë një “karotë stimuluese”, thotë Bektashi.

Ai vë në dukje se në Kosovë ka ende ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë – gjë që e vë në pikëpyetje garantimin e vendimeve të drejta.

Thotë se deficiti tregtar mbetet i lartë, ndërsa politikat ekonomike të Qeverisë në detyrë nuk kanë sjellë përmirësimet e pritshme.

“Unë besoj që ne, realisht, nuk kemi përmirësim të situatës makro-ekonomike dhe financiare. Por, është një vendim më tepër politik (i Bankës Botërore dhe FMN-së), ku më shumë ka kontribuar Banka Qendrore e Kosovës sesa Qeveria aktuale në detyrë, pasi që bisedat apo kontaktet e këtyre institucioneve, kryekëput, kanë të bëjnë me BQK-në”, thotë Bektashi.

Ramosaj vlerëson, gjithashtu, se meritë për këtë vendim ka Banka Qendrore e Kosovës.

Ai thotë se Kosova ka bërë përparime në qëndrueshmërinë ekonomike dhe institucionale, por se, në thelb, realiteti ekonomik dhe ai politik nuk janë ende plotësisht të qëndrueshëm.

“Ka përmirësime edhe në qeverisjen e të hyrave buxhetore, sidomos në politikat makro-financiare. Mirëpo, ka edhe probleme të natyrave të tjera, qoftë në mosngritjen e institucioneve me kohë, qoftë në moskryerjen e funksionit të legjislativit – i cili është edhe themelues i disa agjencive të pavarura – apo në mosekzistimin e një qeverie në kuptimin e plotë, përveçse asaj në detyrë”, thotë Ramosaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai i referohet faktit se Kosova ende nuk ka arritur të konstituojë Kuvendin e ri – edhe pse zgjedhjet u mbajtën më 9 shkurt – për shkak të mosmarrëveshjeve politike, dhe për pasojë funksionon me qeveri në detyrë.

Pavarësisht kësaj, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka përshkruar daljen e Kosovës jashtë Listës së Shteteve të Brishta si rezultat të “punës së vazhdueshme dhe të përkushtuar” të qeverisë së tij gjatë katër vjetëve të fundit.

“Dhe është vetëm një hap drejt arritjeve që do të vijnë”, ka shkruar ai në X.

A ka rrezik që Kosova të rikthehet në listë dhe çfarë duhet të bëjnë autoritetet?

Bektashi nuk beson se Kosova mund të rikthehet në gjendjen që ishte, sa i përket trajtimit nga Banka Botërore dhe FMN-ja.

Sipas tij, vendimmarrjet në këto dy institucione financiare “janë shumë të ndërlikuara për t’u kthyer pas”.

“Unë mendoj se me konstituimin e Kuvendit, si dhe të Qeverisë, ne do të kemi një derdhje të konsiderueshme të mjeteve, qoftë nga këto dy institucione, por edhe nga ana e BE-së. Do të liberlalizohet ekonomia dhe do të kemi më shumë investime të huaja”, thekson ai.

Ramosaj ndan të njëjtin mendim, duke theksuar se vendimet e Bankës Botërore dhe FMN-së për Kosovën janë rezultat i një procesi të kujdesshëm dhe të gjatë.

“Do të thotë, është një databazë e fuqishme që u jep atyre një domethënie për një vendim. Edhe për ta marrë një vendim tjetër eventual, në rastin më të keq… ai nuk mund të merret menjëherë. Duhet të ndodhë dekadencë në kuptimin e institucioneve, varfërisë, politikës dhe pastaj mund të ndodhë”, thotë Ramosaj.

Të dy ekspertët rekomandojnë që Kosova të vazhdojë t’i forcojë institucionet dhe të zbatojë politika të qëndrueshme ekonomike, duke ndjekur me kujdes sugjerimet e Bankës Botërore, FMN-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të besimit të investitorëve.

 

https://www.evropaelire.org/a/kosova-jashte-listes-se-shteteve-te-brishta/33477988.html

Continue Reading

Previous: Kufiri i çmimit të naftës në paketën e re të sanksioneve të BE-së shënon pavarësinë nga G7
Next: Komandanti i Lartë i SHBA-së në Evropë: NATO Duhet të Përgatitet për Konflikt në Dy Fronte me Rusinë dhe Kinën

Burnham: Rusia ndërhyri në referendumin e Brexit-it, Franca dhe Gjermania të kujdesshme ndaj Moskës 2 min read
  • Botë
  • Lajme

Burnham: Rusia ndërhyri në referendumin e Brexit-it, Franca dhe Gjermania të kujdesshme ndaj Moskës

The Geopost October 12, 2026
Zaharova flet për ndërhyrje të huaja, ndërsa dokumentet dëshmojnë ndikimin rus në zgjedhjet në Ballkan 2 min read
  • Lajme

Zaharova flet për ndërhyrje të huaja, ndërsa dokumentet dëshmojnë ndikimin rus në zgjedhjet në Ballkan

The Geopost October 9, 2026
Goditje ndaj rrjetit hibrid rus “Rybar”: Në Mal të Zi arrestohen Mihail dhe Valeria Zvinçuk 7 min read
  • Analiza
  • Lajme

Goditje ndaj rrjetit hibrid rus “Rybar”: Në Mal të Zi arrestohen Mihail dhe Valeria Zvinçuk

The Geopost October 9, 2026
Të dërguarit e BE-së miratojnë listat e reja të sanksioneve ndaj Rusisë 2 min read
  • Botë
  • Lajme

Të dërguarit e BE-së miratojnë listat e reja të sanksioneve ndaj Rusisë

The Geopost October 7, 2026
Stradner paralajmëron: Shërbimi rus i inteligjencës po përgatit “ferr” më 25 tetor në Serbi 2 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Stradner paralajmëron: Shërbimi rus i inteligjencës po përgatit “ferr” më 25 tetor në Serbi

The Geopost September 30, 2026
Partitë ruse në Serbi: Statusi i pakicës, ndjenjat pro-ruse dhe llogaritjet politike 8 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Partitë ruse në Serbi: Statusi i pakicës, ndjenjat pro-ruse dhe llogaritjet politike

The Geopost September 30, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.