Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Lajme

“Kamionët e viktimizimit” në Nju Jork, Fetoshi: Strategji serbo-ruse për ta dëmtuar imazhin e Kosovës

The Geopost September 23, 2026 4 min read
Share the news

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka deklaruar se fushata me kamionë të pajisur me ekrane në rrugët e Nju Jorkut përbën pjesë të një strategjie më të gjerë komunikimi, përmes së cilës, sipas tij, synohet të ndikohet opinioni perëndimor dhe Kosova të paraqitet si shtet “shtypës” ndaj komunitetit serb.

Në analizën me titull “Kamionët e ‘viktimizimit’ në Nju Jork”, Fetoshi e cilëson këtë veprim si një manovër të koordinuar të Serbisë dhe Rusisë, me synim që të ushtrohet presion ndaj Perëndimit dhe të ndërtohet një narrativë për “kriminalizimin” e Kosovës.

Sipas tij, as koha dhe as vendi i zhvillimit të kësaj fushate nuk janë zgjedhur rastësisht.

Kamionët me ekrane janë shfaqur në Nju Jork pak para nisjes së Debatit të Përgjithshëm dhe Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, periudhë kur qyteti bëhet qendër e aktivitetit politik, diplomatik dhe mediatik botëror.

Fetoshi thotë se kjo rrethanë rrit dukshëm mundësinë që mesazhet e transmetuara të marrin vëmendje më të madhe ndërkombëtare.

Megjithëse organizatorët e kanë paraqitur aksionin si nismë “humanitare”, Fetoshi pretendon se materialet vizuale përdorin pamje autentike nga periudha dhe ngjarje të ndryshme, të cilat më pas bashkohen në një rrëfim të vetëm.

Sipas tij, qëllimi është krijimi i perceptimit se serbët në Kosovë përballen me një cikël të vazhdueshëm të “persekutimit”.

“Bëhet fjalë për një aparat propagandistik që ka përzgjedhur pamje reale nga ngjarje të ndryshme në kohë, duke i shndërruar në ‘dëshmi’ për linçimin e vazhdueshëm të serbëve. Kjo përforcohet edhe me mesazhe që shprehin mbështetje për Presidentin Trump”, thuhet në analizë.

Në ekranet e kamionëve janë transmetuar pamje nga trazirat e marsit të vitit 2004, si dhe nga arrestime, protesta dhe ndërhyrje institucionale të viteve të mëvonshme.

Fetoshi vlerëson se nxjerrja e këtyre rasteve nga konteksti kohor dhe bashkimi i tyre në një sekuencë të vetme synon të krijojë përshtypjen e një modeli të vazhdueshëm të dhunës ndaj serbëve në Kosovë.

Ai vëren gjithashtu një ndryshim në raport me fushatat e ngjashme të dy viteve të fundit. Sipas tij, më herët në kamionë ishin shfaqur edhe pretendime lidhur me krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa ky element nuk është evidentuar deri më tani në fushatën e sivjetme.

Fetoshi e lidh këtë ndryshim me deklaratat e fundit të zyrtarëve serbë dhe me përpjekjet e Beogradit për ta paraqitur narrativën e vet rreth UÇK-së si tashmë të konfirmuar.

Në analizë, fushata në rrugët e Nju Jorkut lidhet edhe me paralajmërimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Sipas Fetoshit, kamionët me ekrane shërbejnë si një “vizualizim paralel” i të njëjtës linjë politike që Beogradi pritet ta paraqesë edhe në rrafshin diplomatik.

Ai shton se kjo narrativë përputhet edhe me qëndrimet e Rusisë mbi atë që Moska e quan aplikim të “standardeve të dyfishta” nga Perëndimi.

Në material përmenden deklarata të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, si dhe raportimi i mediumit RT Balkan, i cili fushatën e ka titulluar: “Terrori i Kurtit kundër serbëve ka mbërritur në Nju Jork”.

“Kurthi serb dhe rus në Nju Jork është presioni ndaj Perëndimit lidhur me ‘gabimin’ e vitit 1999”, vlerëson Fetoshi.

Sipas tij, pala serbe synon të ndërtojë një lidhje mes akuzave ndaj UÇK-së, shtetësisë së Kosovës, ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe zhvillimeve aktuale në veri të vendit.

Në të njëjtën kohë, Rusia, sipas Fetoshit, përpiqet ta përdorë këtë narrativë për të argumentuar se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ka qenë e paligjshme dhe për të akuzuar vendet perëndimore për “hipokrizi”.

Në përfundim të analizës, Fetoshi paralajmëron se një fushatë e tillë nuk synon vetëm imazhin e Kosovës, por edhe raportet e Perëndimit me Ballkanin.

“Kamionët-ekranë në Nju Jork kanë eksportuar ‘mallin’ më të rrezikshëm për vlerat dhe kohezionin perëndimor, për lidershipin e ShBA-së dhe për paqen e brishtë në Ballkan”, përfundon Fetoshi.

The GeoPost

Tags: Arben Fetoshi Kosova OKB Serbia

Continue Reading

Previous: Pas deklaratës për “spastrimin etnik”, Paunoviq dhe Daçiq këndojnë së bashku këngë nacionaliste për Kosovën
Next: Partia e Vuçiqit, SNS, bashkohet me radikalët e Sheshelit – në listën zgjedhore edhe emra të kërkuar nga Haga

“Radar” publikon dokumentet ekskluzive të mbikëqyrjes sekrete të kritikëve të Vuçiqit nga BIA 5 min read
  • Analiza
  • Lajme

“Radar” publikon dokumentet ekskluzive të mbikëqyrjes sekrete të kritikëve të Vuçiqit nga BIA

The Geopost November 5, 2026
Vuçiq fali 49 persona para largimit nga presidenca, në listë ish-zyrtarë dhe persona të përfshirë në incidente 2 min read
  • Analiza
  • Lajme

Vuçiq fali 49 persona para largimit nga presidenca, në listë ish-zyrtarë dhe persona të përfshirë në incidente

The Geopost November 4, 2026
“Mblidhnin vota për SNS-në e Vuçiqit”, avokati Niniq ngre kallëzim penal ndaj tetë zyrtarëve të BIA-s 3 min read
  • Ballkan
  • Lajme

“Mblidhnin vota për SNS-në e Vuçiqit”, avokati Niniq ngre kallëzim penal ndaj tetë zyrtarëve të BIA-s

The Geopost November 3, 2026
Zyra e Prokurorit të Krimit të Organizuar kërkon urgjentisht dokumentacion mbi faljet e dhëna nga Vuçiq 2 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Zyra e Prokurorit të Krimit të Organizuar kërkon urgjentisht dokumentacion mbi faljet e dhëna nga Vuçiq

The Geopost November 1, 2026
Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe zotohet se do t’i ruajë lidhjet institucionale me Beogradin 3 min read
  • Lajme

Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe zotohet se do t’i ruajë lidhjet institucionale me Beogradin

The Geopost October 30, 2026
Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë 1 min read
  • Lajme

Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë

The Geopost October 30, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.