Nënkryetarja e Zveçanit Natasa Tomanic ka raportuar se është djegur qëllimisht lokali i saj nga disa persona. Ajo fillimisht rastin e ka raportuar në Policinë e Kosovës. Derisa ka thënë se prapa këtij akti qëndron Lista Serbe, meqë aktivitetet e saj nuk përshtaten me të.
“Ankuesja femër kosovare ka informuar se persona të panjohur i kanë vënë zjarrin butikut të saj, zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Lidhur me rastin ankuesja dyshon se zjarri i është vënë qëllimshëm nga persona të dyshuar. Sipas ankueses, vlera e dëmit është e lartë. Rasti është duke u hetuar”, shkruan në raportin 24-orësh të policisë”, ka njoftuar Policia e Kosovës sot në raportin 24 orësh, shkruan The Geopost.
Më pas, Tomanic i tha Radios Evropa e Lirë se zjarrvënia nuk ishte “e rastësishme”, duke shtuar se dyshon se motivi është se ajo ka ndihmuar serbët në veri të Kosovës të punësohen në institucionet e Kosovës.
Ajo theksoi se aktivitetet e saj “nuk përshtaten” me Listën Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
“Atëherë kam një pyetje për ta. Pse po luftojnë që të kthehen në institucionet e Kosovës, nëse ne që kemi hyrë në institucionet e Kosovës jemi tradhtarë?”, tha ajo.
Tomanic tha po ashtu se dëmi i shkaktuar nga zjarri kap vlerën e disa mijëra eurove.
Edhe Veton Elshani, zëvendësdrejtor i policisë për rajonin e veriut, tha për mediat se zjarri dyshohet se është shkaktuar qëllimisht dhe njoftoi se rasti po vazhdon të hetohet.
Ndaj kësaj ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që fajin ia la strukturave kriminale në veri të vendit.
“Pikërisht me 8 Mars, elemente kriminale në Zveçan zgjodhën e rizgjodhën dhunën, terrorin dhe sulmin, kësaj radhe ndaj pronës private, dyqanit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, znj. Natasha Tomaniq. Ky duket të jetë “urimi” i tyre për 8 Mars për nënkryetaren Tomaniq dhe për të gjithë serbët që duan integrimin në Kosovë, çlirimin nga struktura kriminale që kërcënojnë dhe pavarësimin nga Beogradi zyrtar që i shantazhon. Dita Ndërkombëtare e Grave shënohet me mirënjohje, përkujdesje, dashuri e angazhim të përbashkët për barazi. Jo me dhunë e terror. Përgjigjja ndaj akteve të tilla dhe personave përgjegjës është sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka kërkuar reagim edhe nga shtetet e QUINT-it dhe shefi i BE-së në Kosovë.
“Kurse ndaj serbëve të Kosovës që vazhdojnë të përballen me dhunën fizike e psikologjike dhe kërcënimet e vazhdueshme, është mbështetja e inkurajimi për të plotësuar deri në fund vullnetin e tyre. Shpresojmë që edhe ambasadorët e Quintit dhe shefi i Zyres së BE-së, z. Tomas Szunyog, do ta dënojnë ashpër këtë akt kriminal, terrorist e qyqar”, u shpreh Kurti.
Ndërsa, zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, tha se këtë e kanë bërë banditët, sipas tij, në përpjekje për t’i frikësuar serbët e çliruar nga Lista Serbe.
“Terroristët dhe banditët ndihen të trimëruar sa herë që ndërkombëtarët i kërkojnë Republikës së Kosovës të heqë dorë nga sovraniteti dhe zbatimi i ligjit”, shkroi ai në Facebook./TheGeopost/

Kongresisti Wilson: Serbia të ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Moska
Nga nëntori, rusët, kinezët dhe turqit do të kenë nevojë për viza për të hyrë në Mal të Zi
FAZ rikthen të kaluarën e Vuçiqit: Nga Varrezat Hebraike të Sarajevës te retorika e “Serbisë së Madhe”
Nëna e njërit prej të rinjve të vrarë në “Panda” paralajmëron padi: Vuçiq e di të vërtetën, shteti serb i vrau fëmijët tanë
Si i rekruton Rusia të huajt për luftën në Ukrainë: Nga ofertat joshëse deri te mashtrimi
Lufta paralizon jugun e Iranit: Errësirë, mungesë karburantesh dhe varka të shkatërruara