Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se shteti i tij mbetet partner i palëkundur i Kosovës, teksa uroi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për përvjetorin e 14-të të pavarësisë.
Në letrën dërguar Osmanit, Biden tha se Uashingtoni vazhdon të mbështesë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij, duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohje reciproke”, tha Biden në letrën dërguar Osmanit.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian si dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura në këtë proces, që ka nisur më 2011.
Takimi i fundit në nivel të lartë politik midis Kosovës dhe Serbisë ka ndodhur në korrik të vitit 2021.
Teksa uroi popullin e Kosovës për përvjetorin e pavarësisë, presidenti Biden tha Kosova në 14 vjetët e pavarësisë ka bërë përparim dhe është “shndërruar nga një demokraci e brishtë në një shtet të gatshëm për të ndarë përvojat e veta me botën”.
Biden tha se vitin e kaluar Kosova demonstroi lidership në skenën ndërkombëtare.
“Nga ofrimi i strehimit të sigurt për të pambrojturit deri te forcimi i sigurisë globale dhe bashkëvendësja përkrah ushtrisë amerikane në Kuvajt, populli i Kosovës i ka dëshmuar botës trimërinë dhe bujarinë e tij”, tha Biden.
Kosova po strehon përkohësisht afganët që kanë ikur nga Afganistani pasi talibanët morën kontrollin e shtetit në gushtin e vitit të kaluar. Ata, pasi të kalojnë proceset e verifikimit, do të vendosen në SHBA apo në ndonjë shtet tjetër të tretë.

Mediat serbe dhe proruse përhapin propagandë për udhërrëfyesit turistikë dhe rrënimin e objekteve pa leje në veri të Kosovës
Kongresisti Wilson: Serbia të ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Moska
Nga nëntori, rusët, kinezët dhe turqit do të kenë nevojë për viza për të hyrë në Mal të Zi
FAZ rikthen të kaluarën e Vuçiqit: Nga Varrezat Hebraike të Sarajevës te retorika e “Serbisë së Madhe”
Nëna e njërit prej të rinjve të vrarë në “Panda” paralajmëron padi: Vuçiq e di të vërtetën, shteti serb i vrau fëmijët tanë
Si i rekruton Rusia të huajt për luftën në Ukrainë: Nga ofertat joshëse deri te mashtrimi