source: sarajevotimes.com
Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, zakonisht e quan masakrën në Srebrenicë “krim të rëndë” por shmang termin “gjenocid”, pavarësisht se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) e kanë kualifikuar qartë si gjenocid.
Në vitin 1995, kur ndodhi gjenocidi në Srebrenicë, Aleksandar Vuçiq ishte anëtar aktiv i Partisë Radikale Serbe, një parti ultranacionaliste e udhëhequr nga Vojislav Sheshel, i cili më vonë u gjykua për krime lufte. Vuçiq ka mbajtur pozicione radikale në atë kohë, madje në Parlamentin serb deklaronte se “për çdo serb të vrarë, do të vriten 100 myslimanë”.
Kritika pati nga Rada Trajkoviq e cila ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq për përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë, duke e akuzuar atë për hipokrizi dhe përpjekje për përfitim politik në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.
Sipas saj, Vuçiq vazhdon të shmangë përballjen me të kaluarën kriminale të Serbisë, duke mbrojtur autorët e krimeve të luftës — nga gjenocidi në Srebrenicë në vitin 1995, deri te sulmi në Banjskë të Zveçanit në vitin 2023.
Trajkoviq vuri në pikëpyetje qëllimin e deklaratës së Vuçiqit në gjuhën angleze: “Pse një deklaratë kaq e rëndësishme në anglisht? A nuk do të ishte më me vend ta bëni në serbisht, që ta dëgjojnë edhe ata që po i mbroni? Apo e gjithë kjo është vetëm për të pastruar imazhin tuaj ndërkombëtar dhe për të ruajtur pushtetin, ndërsa fajin ua bartni kolektivisht qytetarëve?”
Para shënimit të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për drejtësinë dhe përpjekjet për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e krimeve të rënda të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. I ngarkuari me punë i Ambasadës së SHBA-së në Sarajevë, Daniel Koski theksoi se SHBA-të mbeten të përkushtuara ndaj paqes, pajtimit dhe bashkëjetesës.
“Përkujtimi i gjenocidit nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por një riafirmim i angazhimit tonë të përbashkët për drejtësi, empati dhe dinjitet njerëzor. Është një mundësi për ta shndërruar tragjedinë në shpresë”, tha Koski, duke shprehur respekt për viktimat dhe për të gjithë ata që kujtojnë dhimbjen e Srebrenicës.
Në korrik të vitit 1995, mbi 8,000 burra dhe djem u vranë nga forcat e Ushtrisë së Republikës Serbe në zonën e Srebrenicës – një akt që është njohur ndërkombëtarisht si gjenocid. Deri tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me afro 700 vjet burg për krimet e kryera.
/The Geopost

NATO: KFOR ka nisur përshtatjen e pozicionimit dhe pranisë në terren pas përmirësimt të sigurisë në Kosovë
Vuçiq “i puth dorën” Zelenskyt, ndërsa i ruan shpinën Putinit
Senatori amerikan thekson përparimin në Senat ndërsa projektligji për sanksione ndaj Rusisë dhe Iranit i afrohet votimit
SHBA kërkon ekstradimin e hakerit iranian të arrestuar në Mal të Zi
Hulumtimi i IRI: Serbët favorizojnë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, pasuar nga Kina
Raporti britanik: AI tentoi të mashtronte njerëz dhe të fshihte gjurmët e saj