Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë

Si po planifikon BE-ja t’ua mbyllë dyert ushtarëve rusë?

The Geopost July 1, 2026 4 min read
Share the news

Kur Komisioni Evropian paraqiti te vendet anëtare propozimet e tij për paketën e re të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë më herët gjatë këtij muaji, një sugjerim kyç ishte ndalesa në Zonën Shengen për çdokënd që ka luftuar për ushtrinë ruse apo milicitë pro Kremlinit në Ukrainë gjatë katër vjetëve të fundit.

Fillimisht kishte pak detaje, por tani po zbulohen më shumë informacione. Estonia ishte shteti i parë që sinjalizoi që hyrja e rusëve në BE mund të jetë problem, duke u tërhequr vërejtjen kryeqyteteve të tjera të BE-së se rreth 1.5 milion shtetas rusë kanë marrë pjesë në operacionet ushtarake në Ukrainë që nga shkurti i vitit 2022, ndërkaq afër 650.000 të tjerë janë në shërbim aktiv ushtarak. Talini po ashtu paralajmëroi se ka një lidhje mes ish-ushtarëve dhe rritjes së dhunës brenda Rusisë: Vlerësohet se 180.000 të burgosur janë rekrutuar për të shërbyer në njësitet speciale të ushtrisë dhe shumë nga ta veçse u janë rikthyer aktiviteteve kriminale.

Në fillim të këtij viti, me rritjen e frikës se shumë nga ish-luftëtarët do të shkonin edhe në BE, Estonia nisi identifikimin e ushtarëve dhe ish-ushtarëve, kryesisht duke përdorur llogaritë në rrjetet sociale dhe nisi të shqiptonte të ashtuquajturin ndalim për hyrje në Shengen për qindra prej tyre. Një ndalesë e tillë, që është e vlefshme për pesë vjet, ia pamundëson çdo shtetasi që vjen nga shtetet që nuk janë në BE që të hyjë në të gjitha vendet e bllokut evropian, përveç Qipros dhe Irlandës si dhe në vendet joanëtare të Zonës Shengen sikurse Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.

Teksa lëshimi ose refuzimi i vizave është kompetencë kombëtare, një qasje më gjithëpërfshirëse e BE-së do të ishte e nevojshme që këto ndalesa të funksiononin. Prandaj, shtetet anëtare të BE-së – si gjatë samitit të liderëve në mars, ashtu edhe tani në qershor – i kanë kërkuar KE-së që të përgatisë vlerësime të ndryshme mbi mënyrat për ta bërë më të lehtë ndalimin e këtyre personave. Javën e kaluar, KE-ja dorëzoi një vlerësim prej tre faqesh, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, mbi çështjen e “mënyrave të mundshme për adresimin e çështjes së luftëtarëve rusë”, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për këtë temë – si dhe për sanksionet e tjera – deri në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të BE-së më 13 korrik në Bruksel.

Çfarë përmbajnë propozimet?

Propozimi i parë është një përditësim i udhëzimeve të KE-së të vitit 2022 për lëshimin e vizave për personat që aplikojnë nga Rusia. Lëshimi i vizave ka qenë veçse shumë i rreptë që nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, pasi Brukseli pezulloi marrëveshjen për lehtësimin e vizave me Moskën. Kjo çoi në tarifa më të shtrenjta, kohë më të gjatë pritjeje dhe kërkesa për më shumë dokumentacion.

Megjithatë, kjo ende nuk ka parandaluar ardhjen e shtetasve rusë në numër të madh me viza turistike, shpesh të lëshuara nga shtetet jugore të BE-së që varen nga turizmi.

Ky ndryshim do t’u ofronte shteteve anëtare të BE-së udhëzime shtesë se si t’i vlerësojnë aplikimet nga ish-luftëtarët rusë, duke theksuar veçanërisht se barra e provës duhet të jetë mbi aplikantin dhe jo mbi konsullatën e shtetit anëtar të BE-së që e shqyrton aplikimin.

Kjo do të përfshinte kontrolle për të gjithë meshkujt, që janë në moshë për të shërbyer në ushtri, që aplikojnë për viza, si dhe potencialisht intervista si pjesë e procesit të aplikimit – diçka që deri tani nuk është procedurë standarde.

Një propozim i dytë u jep konsullatave dhe misioneve diplomatike të shteteve anëtare të BE-së në Rusi dhe në vende të tjera jashtë Zonës Shengen të drejtën për të përditësuar listën ekzistuese të dokumenteve të kërkuara për rusët që aplikojnë për viza. Kjo do të nënkuptonte që personat që aplikojnë, si meshkujt në moshë rekrutimi, do të duhet të dorëzonin dokumentet e tyre zyrtare ushtarake të identifikimit, të cilat përmbajnë të dhëna mbi shërbimin e tyre ushtarak.

Një masë tjetër, me efekt afatgjatë, parashikon përditësimin e Kodit të Vizave të BE-së – legjislacionit që rregullon të gjitha llojet e vizave Shengen. Nëse miratohet me shumicë të kualifikuar të shteteve anëtare (55 për qind e 27 vendeve të BE-së, që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së përgjithshme të BE-së), kjo do t’i mundësonte bllokut të vendosë për pezullim, refuzim ose kufizim të përgjithshëm të aplikimeve për viza të paraqitura nga “shtetas të vendeve të treta që paraqesin rreziqe konkrete për sigurinë, rendin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të BE-së”, sipas një vlerësimi të KE-së.

Kjo mund të nënkuptojë një ndalim të plotë të lëshimit të vizave për shtetasit rusë, megjithëse një skenar i tillë mbetet pak i mundshëm. Më e mundshme është që Komisioni Evropian të hartojë masa që shënjestrojnë kategori të caktuara, sikurse janë ish-luftëtarët dhe luftëtarët aktualë rusë.

Propozimet për ndryshimin e kornizës ligjore në nivel të Bashkimit Evropian tashmë janë duke u përgatitur dhe mund të paraqiten për miratim në fillim të vitit 2027.

Tags: Bashkimi Evropian EU Rusia

Continue Reading

Previous: Drejtori i bankës më të madhe ruse kërkon përfundimin e shpejtë të luftës në Ukrainë
Next: Eksplozivë dhe propagandë: Dronët me përdorim të dyfishtë të Rusisë

Shefi i CIA-s: Një ushtar rus mbijeton mesatarisht 20–30 minuta në Ukrainë 1 min read
  • Botë
  • News

Shefi i CIA-s: Një ushtar rus mbijeton mesatarisht 20–30 minuta në Ukrainë

The Geopost July 18, 2026
Gjermania dhe Franca nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtje dhe pengim bërthamor 3 min read
  • Botë
  • News

Gjermania dhe Franca nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtje dhe pengim bërthamor

The Geopost July 18, 2026
BE vendos sanksione ndaj grupit rus të teknologjisë së mbrojtjes 2 min read
  • Botë
  • News

BE vendos sanksione ndaj grupit rus të teknologjisë së mbrojtjes

The Geopost July 18, 2026
Rusia përballet me mungesë pajisjesh për anijet Arc7, Kina nuk i eksporton për shkak të sanksioneve 3 min read
  • Botë
  • News

Rusia përballet me mungesë pajisjesh për anijet Arc7, Kina nuk i eksporton për shkak të sanksioneve

The Geopost July 18, 2026
Sulm në rajonin e Moskës – ukrainasit godasin qendrën më të madhe logjistike të Rusisë 1 min read
  • Botë
  • News

Sulm në rajonin e Moskës – ukrainasit godasin qendrën më të madhe logjistike të Rusisë

The Geopost July 18, 2026
SHBA: Përfundon vala e fundit e sulmeve të mëdha ndaj Iranit 1 min read
  • Botë
  • News

SHBA: Përfundon vala e fundit e sulmeve të mëdha ndaj Iranit

The Geopost July 18, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.