Rafineria e Naftës së Moskës (MNPZ), një nga objektet më të rëndësishme energjetike të Rusisë, është goditur për herë të dytë brenda një jave nga sulmet me dronë ukrainas, duke shkaktuar zjarre të shumta dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturën e saj.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, konfirmoi se sulmi ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes, më 18 qershor, ndërsa mbrojtja ajrore ruse po përpiqej të zmbrapste atë që ai e cilësoi si një sulm masiv me dronë.
“Forcat e mbrojtjes ajrore vazhdojnë të zmbrapsin sulmin. Disa dronë arritën të godasin Rafinerinë e Naftës së Moskës. Po merren masa për të eliminuar pasojat”, deklaroi Sobyanin.
Objekti, i vendosur vetëm 15 kilometra nga Kremlini dhe në pronësi të Gazprom Neft, konsiderohet strategjik për furnizimin me karburant të kryeqytetit rus. Rafineria përpunon më shumë se 12 milionë tonë naftë në vit dhe mbulon rreth 40 për qind të tregut të karburanteve në Moskë.
Kanale ukrainase të monitorimit raportuan se në rafineri shpërthyen disa zjarre. Sipas tyre, të paktën pesë vatra zjarri u regjistruan në zona të ndryshme të objektit, përfshirë njësitë e përpunimit të naftës dhe rezervuarët e magazinimit.
Autoritetet ruse njoftuan se gjatë sulmit u rrëzuan 137 dronë ukrainas, ndërsa mbetjet e disa prej tyre ranë në qendrën tregtare Sadovod dhe në zona të tjera të rajonit të Moskës. Nuk është raportuar për viktima në kryeqytet.
Megjithatë, sipas raportimeve të platformës ruse Astra OSINT, një ndërtesë banimi shumëkatëshe në zonën Novye Kotelniki është goditur gjatë sulmit. Po ashtu, guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, bëri të ditur se një dron ka goditur një pallat banimi në qytetin Zhukovsky, duke detyruar evakuimin e banorëve.
Sulme të ngjashme u raportuan edhe në rajonin rus të Rostovit, ku sipas autoriteteve lokale rreth 60 dronë goditën disa objektiva. Një person humbi jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur në qytetin Gukovo. Raportet lokale flasin për zjarr në një depo nafte dhe dëme në objekte industriale.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi më vonë se sulmi ishte pjesë e operacioneve ukrainase kundër infrastrukturës që mbështet makinerinë ushtarake ruse.
“Sanksionet tona me rreze të gjatë veprimi arritën sërish në rajonin e Moskës. Për herë të dytë brenda një jave u godit Rafineria e Naftës në Moskë”, deklaroi Zelensky.
Edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës konfirmoi se objektivi ishte rafineria, duke pretenduar se janë goditur njësitë kryesore të përpunimit dhe rezervuarët e karburantit, ndërsa në depon e naftës në Gukovo është regjistruar një zjarr pas goditjes.
Sulmi i fundit vjen në kuadër të fushatës së intensifikuar të Ukrainës kundër infrastrukturës energjetike dhe logjistike të Rusisë.
Sipas vlerësimeve të publikuara nga analistë të sektorit energjetik, sulmet e vazhdueshme me dronë kanë nxjerrë jashtë funksionit një pjesë të konsiderueshme të kapaciteteve ruse të rafinimit të naftës, duke ushtruar presion shtesë mbi furnizimin me karburant në disa rajone të vendit.
Në fund të majit, Reuters raportoi se sulmet ukrainase me dronë kishin detyruar pothuajse të gjitha rafineritë kryesore në Rusinë qendrore ta pezullonin ose ta kufizonin prodhimin.
Banorët e rajoneve Belgorod dhe Rjazan, të territorit të Krasnodarit dhe disa pjesëve të tjera të Rusisë, janë ankuar më parë për mungesë të benzinës dhe naftës.
Kufizime në shitjen e karburanteve janë vendosur në një numër rajonesh, përfshirë kufizime të raportuara për blerjen e benzinës në zinxhirët kryesorë të pikave të karburantit në Moskë.
The GeoPost

Trump dhe Pezeshkian nënshkruajnë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Iran
Makthi më i keq i Putinit
Trump paralajmëron Iranin: Nëse dështon marrëveshja, kthehemi te bombardimet
Udhëheqësit e G7 bien dakord të forcojnë mbrojtjen ajrore dhe armët me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën
Si po shembet strategjia e Putinit për të formësuar politikën jashtë Rusisë?
Publikohet drafti i marrëveshjes SHBA-Iran: Ja çfarë përmban dokumenti me 14 pika