Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë

Serbia, përkrah Rusisë, Kinës dhe Bjellorusisë në varrimin e Khameneit

The Geopost July 7, 2026 5 min read

A banner with an image of late Supreme Leader Ayatollah Ali Khamenei is displayed as people gather on the day of a public farewell ceremony to pay their respects to Khamenei, who was killed on February 28 in Israeli and U.S. airstrikes, at the Imam Khomeini Grand Mosalla, in Tehran, Iran July 4, 2026. REUTERS/Mohammed Salem Foreign media in Iran operate under guidelines set by the Ministry of Culture and Islamic Guidance, which regulates press activity and permissions ISRAEL OUT. NO COMMERCIAL OR EDITORIAL SALES IN ISRAEL. NO ACCESS FOR ISRAELI MEDIA. NO USE BBC PERSIAN. NO USE VOA PERSIAN. NO USE MANOTO. NO USE IRAN INTERNATIONAL. NO USE RADIO FARDA. DIGITAL: NO USE BBC PERSIAN. NO USE VOA PERSIAN. NO USE MANOTO. NO USE IRAN INTERNATIONAL. NO USE RADIO FARDA. TPX IMAGES OF THE DAY

Share the news

Ndërsa shumica e zyrtarëve evropianë munguan në ceremoninë mortore të udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, Serbia dërgoi në Teheran ministrin Boris Bratina si të dërguar të Qeverisë.

Kështu, në ceremoninë mortore të liderit iranian, i cili u vra në ditën e parë të luftës amerikano-izraelite kundër Iranit, më 28 shkurt, Serbia kishte përfaqësuesin e saj përkrah Rusisë, Bjellorusisë, Armenisë, Gjeorgjisë, Turqisë, Kinës, Pakistanit, Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera.

Në llogarinë zyrtare të ministrit Bratina në Instagram u njoftua se ai kishte shkuar në Teheran si i dërguar i Qeverisë së Serbisë.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit e prezantoi atë si të dërguarin special të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vetë ministri Bratina tha se e “kishte për detyrë të shkonte” dhe se në Iran nuk kishte qenë “as për ta lavdëruar, as për ta kritikuar” pushtetin iranian.

Ky veprim, për të cilin autoritetet serbe nuk kanë shpjeguar publikisht se kush e ka miratuar dhe pse është bërë, vjen në kohën kur Beogradi përpiqet t’i thellojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por, në të njëjtën kohë, vazhdon të refuzojë harmonizimin e politikës së tij ndaj Iranit me atë të Bashkimit Evropian.

“Mesazhi është se ata [zyrtarët serbë] vazhdojnë të luajnë në të gjitha anët”, vlerëson Vlladimir Megjak, nënkryetar i organizatës joqeveritare Lëvizja Evropiane në Serbi.

Qeveria e Serbisë dhe Presidenca nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se mbi çfarë baze ishte marrë vendimi për të dërguar një përfaqësues në ceremoninë mortore të liderit iranian.

Përndryshe, Beogradi zyrtar ka mbajtur marrëdhënie miqësore me regjimin iranian gjatë viteve të fundit.

Kjo ka ndodhur pavarësisht se Irani ka qenë nën sanksione ndërkombëtare, për shkak të programit të tij bërthamor, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe represionit ndaj protestuesve.

Uashingtoni, ndërkohë, i ka dhënë Teheranit “një javë kohë” për ceremoninë mortore, përpara rifillimit të bisedimeve indirekte për zbatimin e marrëveshjes kornizë të paqes.

Çfarë tha ministri Bratina?

Ministri serb i Informimit dhe Telekomunikacionit, Boris Bratina, tha për mediumin Insajder në Beograd se një ditë para udhëtimit nuk e dinte se do të shkonte në Teheran, por se më pas mori “njoftim, urdhër nga maja e pushtetit”.

Ai tha se pjesëmarrja e Serbisë në ceremoninë mortore nuk duhet parë si mbështetje për Iranin në konflikt, duke pasur parasysh marrëdhëniet e Serbisë me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, dhe shtoi se Serbia është një shtet neutral.

“Do të shkonim në shumë vende të botës nëse do të vritej ose varrosej një lider. Kështu e shoh edhe këtë rast”, tha Bratina.

Sipas tij, Irani është një vend mik i Serbisë edhe për shkak se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të cilën Beogradi vazhdon ta kundërshtojë.

Në llogarinë zyrtare të Bratinës në Instagram u publikua se ai u nënshkrua në librin e zisë dhe, në emër të Qeverisë dhe popullit të Serbisë, shprehu ngushëllime për popullin iranian.

Gjatë qëndrimit në Iran, Bratina u takua me ministrin iranian të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Sejed Satar Hashemi, si dhe me ministrin e Jashtëm, Abbas Araghchi.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Bratina deklaroi se Qeveria dhe populli i Serbisë ushqejnë “respektin më të thellë për udhëheqësin e ndjerë dhe popullin trim të Iranit”.

Mirënjohje ndaj Iranit apo shërbim për Moskën?

Serbia mban marrëdhënie miqësore me disa nga shtetet e përfshira në konfliktin në Lindjen e Mesme.

Këtë e vëren edhe Vlladimir Megjak nga Lëvizja Evropiane në Serbi.

“E di që, në të njëjtën kohë, bashkëpunojmë shumë me Izraelin, e pastaj shkojmë në Iran. A është ky një shërbim për Moskën? A ka ardhur ndonjë kërkesë nga Moska që dikush duhej të shkonte atje, duke pasur parasysh se Irani është aleat i Rusisë?”, pyet Megjak.

Serbia është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga Ballkani Perëndimor që nuk është harmonizuar me sanksionet evropiane ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Disa ditë pasi u bë publike se një ministër i Qeverisë së Serbisë kishte marrë pjesë në ceremoninë mortore të Ajatollahut në Teheran, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Më 6 korrik, Vuçiq njoftoi se ata diskutuan për zhvillimet në Lindjen e Mesme, sfidat rajonale dhe globale të sigurisë, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Izraelit.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Departamenti amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë lidhur me pjesëmarrjen e ministrit serb në ceremoninë mortore në Teheran.

Sipas Megjakut, është e mundur që ky veprim të mos pritet pozitivisht në Uashington.

“Në dritën e njoftimeve se Serbia dëshiron të nisë një dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe të afrohet me administratën amerikane, besoj se ky nuk është një veprim i mençur”, thotë Megjak.

Ai vlerëson se Bratina nuk bën pjesë në rrethin e parë të ministrave të Qeverisë së Serbisë, të cilët zakonisht dërgohen në Bruksel, “kur duhet të shfaqet fytyra proevropiane e Serbisë”.

“Nëse vërtet dëshiron dialog strategjik me SHBA-në dhe afrim me administratën amerikane – gjë që duket se Vuçiq e dëshiron – dërgimi i një ministri në Iran nuk është një lëvizje e mirë. Mendoj se edhe ai e di këtë, prandaj dërgoi ministrin Bratina, i cili i përket rrethit të dytë të ministrave”, thotë Megjak.

Bratina është i njohur për retorikën e tij antievropiane dhe për mbështetjen e ndalimit të Paradës së Krenarisë.

Në një tubim të organizuar me rastin e 10-vjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, ai dogji flamurin e Bashkimit Evropian në Beograd.

Ai ka qenë gjithashtu anëtar i organizatave ultranacionaliste, përfshirë “Lëvizjen Kombëtare Serbe 1389”, ndalimin e së cilës e ka kërkuar prokuroria, duke e akuzuar për nxitje të urrejtjes kombëtare, fetare dhe ndaj personave LGBTQ+.

Në fund të vitit 2025, Bratina deklaroi se Radio Evropa e Lirë është “e rrezikshme për shkak të programit të saj antiserb”.

Tags: Irani Kina Rusia Serbia

Continue Reading

Previous: Brukseli i dërgon mesazh Republikës Srpska: Distancohuni nga Rusia
Next: Shefi i NATO-s kërkon që aleatët të paraqesin plane të besueshme për të arritur objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes

Samiti i NATO-s: Trump mbërrin në Ankara, në fokus e ardhmja e Aleancës dhe mbështetja për Ukrainën 9 min read
  • Botë

Samiti i NATO-s: Trump mbërrin në Ankara, në fokus e ardhmja e Aleancës dhe mbështetja për Ukrainën

The Geopost July 7, 2026
Shefi i NATO-s kërkon që aleatët të paraqesin plane të besueshme për të arritur objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes 2 min read
  • Botë

Shefi i NATO-s kërkon që aleatët të paraqesin plane të besueshme për të arritur objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes

The Geopost July 7, 2026
Brukseli i dërgon mesazh Republikës Srpska: Distancohuni nga Rusia 2 min read
  • Botë
  • News

Brukseli i dërgon mesazh Republikës Srpska: Distancohuni nga Rusia

The Geopost July 6, 2026
Suedia përgatitet për çdo skenar të mundshëm nga Rusia 2 min read
  • Botë

Suedia përgatitet për çdo skenar të mundshëm nga Rusia

The Geopost July 6, 2026
SHBA-të presin që udhëheqësit e NATO-s të diskutojnë sigurinë e Ngushticës së Hormuzit në samit në Ankara 1 min read
  • Botë

SHBA-të presin që udhëheqësit e NATO-s të diskutojnë sigurinë e Ngushticës së Hormuzit në samit në Ankara

The Geopost July 6, 2026
Trump, bisedë telefonike me Putin dhe Zelenskyn – diskutohet fundi i luftës 1 min read
  • Botë
  • News

Trump, bisedë telefonike me Putin dhe Zelenskyn – diskutohet fundi i luftës

The Geopost July 5, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.