Shërbimi britanik i inteligjencës së brendshme MI5 ka paralajmëruar kompanitë britanike që mbështesin ushtarakisht Ukrainën se mund të bëhen objektiv i sulmeve të sabotimit nga Rusia.
Paralajmërimi është lëshuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Mbrojtjen (NPSA), pjesë e MI5-s, në bashkëpunim me Ministrinë britanike të Mbrojtjes. Ai u drejtohet veçanërisht kompanive që furnizojnë me pajisje dhe materiale ushtrinë ukrainase.
Sipas autoriteteve britanike, Rusia ka shtuar muajt e fundit përpjekjet për të kryer akte sabotimi ndaj objekteve të industrisë evropiane të mbrojtjes.
Në paralajmërim thuhet se këto operacione zakonisht realizohen përmes personave të ndërmjetëm, të cilët përdorin metoda relativisht të thjeshta, si zjarrvënia e qëllimshme, shkruan politico.
Përveç sulmeve fizike, kompanitë britanike paralajmërohen edhe për rreziqe të tjera, përfshirë kërcënimet ndaj individëve, spiunazhin dhe operacionet e dezinformimit, të cilat synojnë të dobësojnë mbështetjen për Ukrainën.
Autoritetet u kanë rekomanduar kompanive të forcojnë sigurinë në objektet e tyre, të kufizojnë ekspozimin e informacioneve në internet dhe të trajnojnë punonjësit për të identifikuar aktivitetet e dyshimta.
Ministri britanik i Sigurisë, Dan Jarvis, tha se incidentet e fundit të sabotimit në vende të ndryshme evropiane dëshmojnë seriozitetin e kërcënimit.
“Është vërtet e turpshme që aktorë të ndryshëm po përpiqen të pengojnë mënyrën tonë të jetesës dhe atë të aleatëve tanë, veçanërisht duke shënjestruar organizatat që kryejnë punë jetike në mbështetje të Ukrainës”, deklaroi ai.
Paralajmërimi vjen pas disa rasteve të dyshuara të sabotimit në Evropë, për të cilat autoritetet kanë fajësuar shërbimet ruse të inteligjencës.
Në Britani, disa persona janë dënuar për zjarrvënie në një biznes të lidhur me Ukrainën, ndërsa autoritetet kanë ngritur akuza edhe ndaj një personi të dyshuar për bashkëpunim me spiunë rusë në një komplot kundër një fabrike dronësh.
Drejtori i MI5-s, Ken McCallum, kishte paralajmëruar më herët se Rusia po intensifikon luftën hibride kundër vendeve perëndimore, duke përdorur metoda që synojnë të krijojnë pasiguri dhe të dobësojnë mbështetjen për Ukrainën.
Britania është një nga mbështetësit kryesorë ushtarakë të Kievit që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.

Kalesnikava paralajmëron: Bjellorusia rrezikon të bjerë plotësisht nën kontrollin e Rusisë
Irani përgatitet për mungesë të gazit gjatë dimrit, ndërsa kriza energjetike e shkatërruar nga lufta thellohet
“Putini nuk duhet të fitojë”, Rutte: Mbështetja ushtarake për Ukrainën duhet të vazhdojë, Rusia mbetet kërcënim për Evropën
Vizat, Sanksionet, Paratë: Si planifikon BE-ja të zgjasë ndalimet për atletët rusë
Gjermania teston dronët kamikazë në Lituani, aleatët nxjerrin mësime nga lufta në Ukrainë
Trump paralajmëron sulme të reja të mëdha ndaj Iranit pas Vitit të Ri nëse dështon diplomacia