Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Kishinau, kryeqytetin e Moldavisë, më 21 maj për të mbështetur lidhjet më të ngushta me Bashkimin Evropian (BE), ndërsa qeveria pro-evropiane e atij vendi vazhdon të luftojë me rrymat politike nga Rusia.
Policia vlerëson se janë mbledhur rreth 75.000 njerëz, transmeton Radio Evropa e Lirë në anglisht.
Protesta, ku foli edhe kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, u organizua pak ditë para takimit të komunitetit politik evropian.
Takimi do të zhvillohet më 1 qershor dhe pritet që presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, të marrë një premtim se vendi i saj do të fillojë së shpejti negociatat e anëtarësimit në BE.
Samiti do të jetë takimi i parë i grupit prej 44 anëtarësh, i cili synon të përmirësojë bashkëpunimin midis BE-së dhe vendeve jo anëtare të BE-së, përfshirë vendet kandidate në Ballkanin Perëndimor dhe rajonin e Kaukazit.
Moldavia u ftua, së bashku me Ukrainën, për të filluar negociatat e pranimit me BE-në qershorin e kaluar, disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë.
Si një nga vendet më të varfra në Evropë, ajo ka pranuar qindra mijëra refugjatë ukrainas, ndërsa shqetësimet për përhapjen e mundshme të luftës janë rritur.
Sandu, një ish-zyrtare e Bankës Botërore e cila ishte arsimuar në Shtetet e Bashkuara, erdhi në pushtet në nëntor 2020 në një listë pro-reformiste.
Ajo zëvendësoi Igor Dodon, një president socialist i mbështetur nga Moska, mandati i të cilit u trondit nga një krizë ekonomike dhe skandale korrupsioni.
Shtytja e Sandu për lidhje më të ngushta me BE-në ka mërzitur Moskën, e cila vazhdon të mbështesë hapur disa figura politike moldave.
Në periudha të ndryshme të historisë së saj, Moldavia ishte pjesë e Perandorisë Ruse dhe Bashkimit Sovjetik, si dhe “Rumanisë së Madhe”. Në mars, parlamenti kombëtar shpalli rumanishten gjuhë zyrtare, megjithëse rusishtja ende përdoret.
Asambleja e Madhe Popullore u ndoq nga shumë njerëz në sheshin me të njëjtin emër në kryeqytetin Kishinau, duke përfshirë edhe shpalljen e pavarësisë nga sundimi sovjetik në vitin 1991.
Ashtu si Ukraina, Moldavia ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një proces që zakonisht zgjat me vite. Megjithatë, kushtetuta e saj vendos një politikë neutraliteti që përjashton anëtarësimin në NATO.
Vendi mbetet i rënduar nga prania e rajonit separatist pro-rus të Transnistrisë, 30 vjet pas një lufte të shkurtër në të cilën kundërshtoi ushtrinë moldave./RSE/

ISW: Putinit po i paraqitet një pamje fiktive për sukseset ushtarake
NATO forcon praninë në Arktik, Belgjika dërgon forca ushtarake në Grenlandë
Senati amerikan miraton projektligjin për sanksione ndaj Rusisë
Gazetarët po largohen nga Serbia: Kërcënime, mbikëqyrje dhe ndjekje penale ngrenë alarmin për lirinë e medias
Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia paralajmërojnë për planet e Rusisë për Osetinë e Jugut
Lituania thotë se Rusia mund të përdorë dronë ukrainas kundër rajonit të Baltikut