Humbja politike dhe përballja me lëvizjen studentore nuk duket se e kanë larguar Aleksandar Vuçiqin nga retorika nacionaliste. Ish-presidenti serb u shfaq duke kënduar këngën “Vidovdan”, një prej simboleve të nacionalizmit serb, në një takim me mbështetësit e tij në veri të Serbisë, ku Kosova ishte sërish në qendër të mesazhit politik.
Gjatë një aktiviteti të zhvilluar mbrëmjen e së premtes në qytetin e Sremska Mitrovicës, në rajonin e Vojvodinës, Vuçiq iu bashkua mbështetësve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në interpretimin e këngës, ndërsa ish-kryeministrja Ana Bërnabiq e përqafonte.
“Kudo që shkoj, te ti kthehem sërish, askush s’mund të ma heqë Kosovën nga shpirti”, këndoi Vuçiq, duke përcjellë një mesazh që ka shoqëruar për dekada politikën nacionaliste në Serbi.
Takimi u zhvillua në një moment të vështirë politik për ish-presidentin, pas humbjes përballë lëvizjes studentore dhe përfundimit të dominimit të SNS-së në pushtet. Përpara mbështetësve, Vuçiq shpalli një kapitull të ri për partinë e tij, të cilën e prezantoi si një “opozitë shtetformuese”.
Megjithatë, vëmendjen e mori më shumë skena e këngës sesa mesazhet politike.
Rikthimi te simbolika e Kosovës tregon se, edhe përballë një realiteti të ri politik në Serbi, Vuçiq vazhdon të përdorë të njëjtën gjuhë nacionaliste që ka qenë pjesë e pandashme e karrierës së tij.
Kënga “Vidovdan”, e krijuar në vitin 1989 dhe e interpretuar nga Gordana Lazareviq, lidhet me kujtesën historike serbe për Betejën e Kosovës të vitit 1389. Ajo u kthye në një simbol të nacionalizmit serb në të njëjtën periudhë kur Sllobodan Millosheviqi përdorte mitin e Kosovës për të mobilizuar mbështetjen politike.
Më 28 qershor 1989, në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, Millosheviqi mbajti fjalimin e njohur në Gazimestan, ku iu referua betejave dhe sakrificave historike të serbëve. Fjalimi, i mbajtur dy vite përpara shpërthimit të luftërave që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë, u interpretua gjerësisht si një prej momenteve që paralajmëruan përshkallëzimin e nacionalizmit në rajon.
Lidhja e Vuçiqit me atë periudhë nuk është vetëm përmes simbolikës. Ai e nisi karrierën politike në Partinë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelit dhe në vitin 1998, kur ishte 28 vjeç, mori postin e ministrit të Informacionit në qeverinë e Millosheviqit.
Gjatë kësaj periudhe, qeveria vendosi kufizime të ashpra ndaj mediave dhe ndëshkoi organet kritike të shtypit me gjoba të rënda.
Pavarësisht viteve që kanë kaluar, Kosova mbetet një nga temat kryesore të retorikës politike në Serbi. Edhe tani, pas humbjes së pushtetit, Vuçiq duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kjo kartë politike.
Por një tjetër pikëpyetje lidhet me qëndrimin që do të mbajë ndaj Kosovës forca e re politike e dalë nga lëvizja studentore, e cila sfidoi pushtetin e tij.
Sinjalet e deritanishme nuk tregojnë një ndryshim të madh në këtë drejtim. Edhe Lista Studentore, e cila u bë protagoniste e ndryshimit politik në Serbi, e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë, kundërshton njohjen e pavarësisë së saj dhe kërkon rishikimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Prishtinën.
Kështu, largimi i Vuçiqit nga pushteti nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe një ndryshim të politikës serbe ndaj Kosovës.

Hapet votimi për këshillat kombëtarë në Serbi, shqiptarët votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar
Vuçiqi humbi zgjedhjet, tani arrestohen policët për dhunën ndaj protestuesve
Në Prishtinë përkujtohen ushtarët britanikë që humbën jetën në Kosovë
Mali i Zi mbyll dy kapituj të tjerë në procesin e anëtarësimit në BE
Kandiq i kërkon BE-së të reagojë ndaj shtrembërimit të fakteve për luftën në Kosovë dhe gjenocidin në Srebrenicë
Paraburgim për policët serbë që dyshohet se keqtrajtuan studentë dhe qytetarë të tjerë