Në ceremoninë përkujtimore të organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë, në nderim të personave që shërbyen dhe humbën jetën në konfliktet e armatosura, janë përkujtuar edhe 10 ushtarët britanikë që kanë vdekur në Kosovë.
Ceremonia nisi me një lutje kushtuar ushtarëve të rënë, përmes së cilës u përcoll mesazhi: “Unë i ngre sytë drejt maleve – prej nga do të më vijë ndihma? Ndihma ime vjen nga Zoti, i cili krijoi qiellin dhe tokën”.
Më pas u lexua poezia “Në tokat e Flandrës”, e cila kujton ushtarët e rënë në luftë:
“Ne jemi të vdekurit. Vetëm pak ditë më parë,
Jetonim, ndienim agimin, shihnim shkëlqimin e perëndimit,
Dashuronim dhe ishim të dashur, e tani prehemi në fushat e Flandrës”.
Në vazhdim, të pranishmit nderuan kujtimin e ushtarëve britanikë përmes disa lutjeve, ndërsa ceremonia vijoi me vendosjen e luleve te lapidari kushtuar ushtarëve britanikë të rënë në Kosovë.
Vendosjen e luleve e nisi ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves. Pas tij, homazhe bënë presidentja Justina Shiroka Pula, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari.
Gjatë ceremonisë, Mary Ann Hennessey, udhëheqëse e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, përcolli një lutje për paqe dhe drejtësi.
“Mençuria që vjen nga lart është para së gjithash e pastër, pastaj paqedashëse, e butë, e gatshme të lëshojë pe, plot mëshirë dhe fryte të mira, pa asnjë gjurmë anshmërie apo hipokrizie”, thuhej në lutje.
Ceremonia u përmbyll me një lutje për paqe, në të cilën u kujtuan të gjithë ata që kanë humbur jetën në konflikte, përfshirë edhe personat emrat e të cilëve nuk dihen.
“O Zot, na dhuro paqen. O Zot i së vërtetës dhe i drejtësisë, para Teje i kujtojmë me dashuri ata që i ruajmë në kujtesën tonë, si dhe ata emrat e të cilëve nuk do t’i njohim kurrë. Na ndihmo të shohim përtej vuajtjeve të kësaj bote të plagosur dhe na dhuro hirin që të lutemi edhe për ata që dëshirojnë të na bëjnë keq.
Ashtu siç nderojmë të kaluarën, na ndihmo të kemi besim në të ardhmen që Ti na premton, sepse Ti je burimi i jetës dhe i shpresës, tani dhe përgjithmonë”.
The GeoPost

Hapet votimi për këshillat kombëtarë në Serbi, shqiptarët votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar
Vuçiqi humbi zgjedhjet, tani arrestohen policët për dhunën ndaj protestuesve
Vuçiq humbi pushtetin, por jo retorikën për Kosovën – këndon këngën nacionaliste
Mali i Zi mbyll dy kapituj të tjerë në procesin e anëtarësimit në BE
Kandiq i kërkon BE-së të reagojë ndaj shtrembërimit të fakteve për luftën në Kosovë dhe gjenocidin në Srebrenicë
Paraburgim për policët serbë që dyshohet se keqtrajtuan studentë dhe qytetarë të tjerë