Ministria e Mbrojtjes e Serbisë po shqyrton blerjen e pajisjeve të reja të mbrojtjes ajrore nga Kina, në një lëvizje që vjen në të njëjtën kohë kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka intensifikuar retorikën kundër bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Raportimet nga burime lokale sugjerojnë se Beogradi mund të avancojë me blerje të reja nga Pekini, përfshirë mundësinë e sistemit me rreze të gjatë veprimi HQ-9B, i konsideruar si analog i sistemit rus S-400. Në tavolinë mbetet edhe zgjerimi i flotës ekzistuese të sistemeve HQ-22, që tashmë përbëjnë shtyllën e mbrojtjes ajrore serbe.
Zhvillimi po tërheq vëmendje për kontrastin e qartë mes narrativës politike të Beogradit dhe veprimeve të tij ushtarake.
Prej muajsh, Vuçiq e ka paraqitur deklaratën e bashkëpunimit në mbrojtje mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit si kërcënim për Serbinë, duke e quajtur madje një “aleancë ushtarake” që, sipas tij, cenon sigurinë rajonale. Në disa dalje publike, ai ka paralajmëruar se Serbia duhet të përgjigjet me forcim të kapaciteteve të saj ushtarake.
Por ndërsa kritikon një marrëveshje që nënshkruesit e kanë përshkruar si mekanizëm bashkëpunimi, jo aleancë kundër ndonjë pale, Beogradi po avancon paralelisht me modernizim të armatosur dhe zgjerim të infrastrukturës së mbrojtjes ajrore.
Analistët e shohin këtë si pjesë të një strategjie të dyfishtë: përdorimi i perceptimit të kërcënimit për konsum të brendshëm politik dhe njëkohësisht justifikimi i rritjes së shpenzimeve ushtarake.
Aktualisht, Serbia ka një nga rrjetet më të dendura të mbrojtjes ajrore në rajon, me sisteme kineze HQ-22 dhe HQ-17A, sisteme ruse Pantsir-S, si dhe variante të modernizuara të S-125. Blerjet e reja nga Kina do ta thellonin më tej këtë orientim.
Interesi për pajisje kineze është rritur edhe si rezultat i kufizimeve për blerje nga Rusia, nën presionin e Perëndimit, si dhe skepticizmit të Beogradit ndaj sistemeve të NATO-s.
Megjithatë, ajo që bie në sy është kontradikta politike: Serbia kundërshton publikisht një bashkëpunim ushtarak të fqinjëve të saj si destabilizues, ndërsa vetë investon në sisteme të avancuara raketore dhe paralajmëron kontrata të reja për armatim.
Kjo nuk është hera e parë që Beogradi përdor gjuhë alarmi për zhvillime rajonale, ndërkohë që avancon me militarizim të brendshëm. Por në kontekstin aktual, me tensione të vazhdueshme në rajon dhe debat mbi balancat e sigurisë në Ballkan, kjo po shihet gjithnjë e më shumë si një mospërputhje mes diskursit dhe praktikës.
Nëse Serbia ecën përpara me blerjen e HQ-9B ose me zgjerim të mëtejshëm të rrjetit HQ-22, kjo jo vetëm që do të rrisë kapacitetet e saj mbrojtëse, por mund të shtojë pyetje të reja mbi narrativën e Beogradit për “kërcënimet” nga fqinjët, kur vetë po investon fuqishëm në armatim.
Për kritikët, kjo krijon një paradoks të qartë: Vuçiq paralajmëron rrezik nga bashkëpunimi ushtarak i Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, ndërsa Serbia blen armë të avancuara nga Kina dhe zgjeron kapacitetet e veta ushtarake.
Dhe pikërisht kjo, argumentojnë ata, e zhvendos debatin nga pyetja se kush po e militarizon rajonin – te pyetja se kush po e përdor sigurinë si instrument politik.
The Geopost

Trump kërcënon Iranin: Mund të na duhet ta godasim fort
Mesazhet në Sky ECC zbulojnë financimin e serbëve në Mal të Zi nga djali i Aleksandar Vuçiqit dhe lidhjet me botën e krimit
Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në OKB kërkon që Bosnja të marrë përgjegjësinë për të ardhmen e saj
Kosova nuk është në luftë, por rreziqet janë reale: Sabotimet, sulmet kibernetike dhe ndikimi rus
Spasojeviq dhe Popoviq: Vuçiq mund të përballet me drejtësinë, Serbia duhet të hetojë pasurinë e paligjshme të ish-regjimit
Kryeredaktori i Informer-it në Serbi alarmohet nga shqyrtimi i rastit të Radoiçiqit, e quan atë hero: Sot të gjithë jemi Milan Radoiçiq