Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Sinjal i fortë nga Brukseli për Vuçiqin, von der Leyen anashkalon Serbinë

The Geopost September 21, 2026 5 min read
Share the news

Vendimi i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të mos e vizituar Serbinë gjatë turneut të saj të fundit në Ballkan ka nxitur debate në Beograd, veçanërisht për shkak se vizita ishte planifikuar në një periudhë të ndjeshme politike, pak para zgjedhjeve.

Në takimet e mëparshme, von der Leyen dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq kanë pasur një komunikim publik të afërt. “Aleksandër! Më vjen mirë që të shoh, si je?”, ishte përshëndetja e saj ndaj presidentit serb në një nga takimet e mëparshme.

Këtë herë, megjithatë, takimi nuk do të zhvillohet.

Vuçiq ka thënë se zgjedhjet mund të jenë arsyeja kryesore pse presidentja e Komisionit Evropian ka vendosur të mos udhëtojë në Serbi, duke argumentuar se Brukseli nuk dëshiron të takohet me një qeveri që ndodhet në mandat teknik.

“Nuk ka shumë kuptim. Në atë moment, keni institucione ligjore – qeveria është ligjore, presidenti në detyrë i republikës është ligjor, por nuk ka më institucione legjitime sepse jemi në një fushatë zgjedhore. Ata do të presin derisa të mbarojnë zgjedhjet dhe pastaj do të punojnë me këdo, kushdo që fiton”, ka deklaruar Vuçiq në një intervistë për Radio Beograd 1.

Por në mediat gjermane dhe evropiane po qarkullojnë interpretime se vendimi mund të jetë pjesë e një ftohjeje më të gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Brukselit dhe autoriteteve serbe.

Presion në rritje ndaj SNS-së

Në këtë klimë, Partia Popullore Evropiane (PPE) ka nisur një proces që mund të ketë pasoja për Partinë Progresive Serbe (SNS), subjektin politik të drejtuar nga Vuçiçi.

Andrej Kovachev, kreu i delegacionit bullgar në PPE, ka deklaruar se brenda familjes politike evropiane janë shtuar zërat për masa ndaj SNS-së.

“Ne kemi filluar procesin kundër Partisë Progresive Serbe. Zërat në PPE për këtë tani janë shumë të fortë. Mjaft më. Kemi pritur shumë gjatë”, ka thënë Kovachev.

SNS-ja ka qenë në pushtet në Serbi për gati një dekadë e gjysmë, ndërsa gjatë kësaj periudhe Beogradi ka tentuar të ruajë marrëdhënie njëkohësisht me Bashkimin Evropian, Rusinë dhe Kinën.

Por kritikat nga Brukseli janë shtuar për çështje që lidhen me sundimin e ligjit, demokracinë, politikën e jashtme dhe marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë.

Funerali i Mlladiqit si pikë kthese?

Profesori i sociologjisë politike dhe kulturore në University College London, Eric Gordy, e lidh përkeqësimin e klimës politike me mënyrën se si autoritetet serbe trajtuan funeralin e Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpskas, i dënuar për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Sipas Gordy, mënyra se si u zhvillua ceremonia dhe prania politike rreth saj krijuan një distancë të re ndërmjet Serbisë dhe partnerëve të saj evropianë.

“Nuk duhet të spekulojmë shumë rreth motiveve të njerëzve nga Bashkimi Evropian – kjo është mjaft e qartë. Ajo që është interesante është se Vuçiqi dhe partia e tij duket se nuk janë të vetëdijshëm se kanë kaluar një vijë qytetërimi me këtë funeral. Kjo e ka distancuar Serbinë, si nga fqinjët e saj në rajon ashtu edhe nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Gordy.

Sipas tij, qeveria serbe e përdori funeralin edhe si një mundësi për mobilizim politik, duke e paraqitur atë në praktikë si një ngjarje me karakter elektoral.

Vuçiqi ashpërson retorikën ndaj Brukselit

Në të njëjtën kohë, Vuçiqi ka shtuar kritikat ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian, duke thënë në mënyrë të përsëritur se Serbia nuk do të pranohet lehtësisht në BE.

Pas anulimit të vizitës së Komisioneres Evropiane për Zgjerim në Serbi, presidenti serb reagoi ashpër ndaj deklaratave të saj.

“Më shqetësojnë komentet e saj. Kjo më shqetëson mua. Epo, nuk do të të lejoj të poshtërosh vendin tonë. Dhe mos gënje. Mos gënje!”, ka deklaruar Vuçiqi.

Sipas Gordy, një retorikë e tillë mund t’i shërbejë politikisht pushtetit në prag të zgjedhjeve, por njëkohësisht mund të thellojë problemet e SNS-së në marrëdhëniet me partnerët evropianë.

“Mendoj se kemi vërtet një tregues se të gjitha këto gjëra – provokimet dhe shfaqjet e vetëbesimit nga regjimi – janë në fakt tregues të dobësisë dhe pasigurisë së tyre. Dhe nëse kthehemi te BE-ja, ata pjesërisht po reagojnë ndaj kësaj – ata nuk shohin më një partner të qëndrueshëm te Vuçiqi ose partia e tij”, ka thënë profesori nga University College London.

Çfarë ka ndryshuar në Evropë?

Gordy e lidh ndryshimin e klimës politike edhe me zhvillimet në Hungari dhe rolin e kryeministrit Viktor Orban në politikën evropiane.

Sipas tij, ndryshimet politike në Budapest kanë ndikuar në mënyrën se si Brukseli i qaset Beogradit dhe aktorëve të tjerë politikë në rajon.

“Tani, Bashkimi Evropian nuk ka më pse të shqetësohet për të kënaqur Orbanin dhe satelitët e tij. Orbani është histori, ashtu si i gjithë rrjeti i tij i lëvizjeve të ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën, dhe kjo nuk është më një faktor”, ka deklaruar ai.

Gordy ka përmendur edhe projektin Jadar, duke argumentuar se nuk është më e sigurt se sa ndikim mund të ketë ky projekt në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Brukselit.

“Të gjitha gjërat që ai kishte, që i mbanin në anën e tij, nuk po funksionojnë më”, ka thënë ai.

Sipas profesorit britanik, politika të ngjashme me ato që po ndjek sot Beogradi e kanë çuar Serbinë në të kaluarën drejt izolimit ndërkombëtar dhe sanksioneve.

Megjithatë, ai vlerëson se ekziston një ndryshim i rëndësishëm në qëndrimin e një pjese të elektoratit serb krahasuar me vitet 1990.

Sipas tij, brezi aktual nuk duket i gatshëm të paguajë të njëjtin çmim politik dhe ekonomik si në të kaluarën, veçanërisht për shkak se sot ekziston një alternativë e qartë në raport me orientimin evropian të vendit.

Në këtë kontekst, mungesa e von der Leyen në Beograd, pavarësisht arsyetimit formal që lidhet me periudhën zgjedhore, po interpretohet si një tjetër sinjal i tensioneve në rritje ndërmjet institucioneve të Bashkimit Evropian dhe pushtetit të Aleksandar Vuçiqit.

The GeoPost

Tags: Aleksandar Vuçiq BE Serbia Ursula von der Leyen

Continue Reading

Previous: Në Kosovë ka Srebrenica të panumërta, të kryera nga serbët
Next: Frika e Vuçiqit nga humbja e pushtetit, Rusia i del në mbrojtje para zgjedhjeve

Frika e Vuçiqit nga humbja e pushtetit, Rusia i del në mbrojtje para zgjedhjeve 5 min read
  • Ballkan
  • News

Frika e Vuçiqit nga humbja e pushtetit, Rusia i del në mbrojtje para zgjedhjeve

The Geopost September 21, 2026
Në Kosovë ka Srebrenica të panumërta, të kryera nga serbët 3 min read
  • Ballkan
  • News

Në Kosovë ka Srebrenica të panumërta, të kryera nga serbët

The Geopost September 20, 2026
“Shtyhet” procesi i integrimit të Malit të Zi në BE, pesë shtete kërkojnë pauzë 2 min read
  • Ballkan
  • News

“Shtyhet” procesi i integrimit të Malit të Zi në BE, pesë shtete kërkojnë pauzë

The Geopost September 20, 2026
PPE nis procedurat kundër SNS-së: Vuçiqi ka luajtur mjaft në të dyja anët 2 min read
  • Ballkan
  • News

PPE nis procedurat kundër SNS-së: Vuçiqi ka luajtur mjaft në të dyja anët

The Geopost September 19, 2026
FSK njofton për ushtrime të përbashkëta me ushtrinë nga Amerika, Kroacia dhe Shqipëria 1 min read
  • Ballkan
  • News

FSK njofton për ushtrime të përbashkëta me ushtrinë nga Amerika, Kroacia dhe Shqipëria

The Geopost September 19, 2026
Varreza masive në Zubin Potok, konfirmohet identiteti i tri viktimave – i përkasin “Grupit të Intelektualëve” 3 min read
  • Ballkan
  • News

Varreza masive në Zubin Potok, konfirmohet identiteti i tri viktimave – i përkasin “Grupit të Intelektualëve”

The Geopost September 19, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.