Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Serbia vazhdon arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së me akuza të rreme për “krime lufte”

The Geopost February 6, 2026 4 min read
Share the news

Një tjetër ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është arrestuar nga autoritetet serbe, duke rikonfirmuar vazhdimësinë e praktikës së Serbisë për ndjekje penale të ish-luftëtarëve të UÇK-së me pretendime për kinse krime lufte të kryera gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) dhe avokati kosovar Arianti Koci kanë bërë të ditur se mëngjesin e 5 shkurtit, shtetasi i Kosovës Mit’hat Lozhani është arrestuar nga autoritetet serbe. Arrestimi ka ndodhur në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, gjatë një kontrolli rutinë, ku – sipas OVL UÇK-së – Lozhanit i është gjetur në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të UÇK-së.

Nënkryetari i OVL UÇK-së, Gazmend Syla, ka deklaruar se Lozhani nuk ka qenë pjesë e vijave të frontit në Kosovë, por ka marrë pjesë vetëm në disa stërvitje në Shqipëri. Sipas Sylës, nuk ekzistojnë prova apo fakte që do ta lidhin atë me veprime luftarake apo krime kundër popullatës civile, siç pretendojnë autoritetet serbe.

Megjithatë, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka konfirmuar arrestimin, duke deklaruar se Mit’hat Lozhani, me origjinë nga Peja, dyshohet për “krime kundër popullatës civile”. Sipas Daçiqit, i arrestuari është dërguar në ndalim 48-orësh dhe pritet të dalë para Zyrës së Prokurorisë për Krime Lufte në Beograd, ku – sipas autoriteteve serbe – do t’i ngrihet aktakuzë.

Në njoftimet zyrtare të Serbisë thuhet se Lozhani dyshohet se ka marrë trajnim si pjesëtar i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit gjatë viteve 1998 dhe 1999, “pas së cilës ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe ushtrisë jugosllave”. Autoritetet serbe shkojnë edhe më tej, duke pretenduar se ai, “si pjesëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj”, ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve serbë – pretendime që janë përsëritur edhe në raste të tjera ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe që nga pala kosovare konsiderohen politike dhe të pabazuara.

Avokati Arianti Koci ka bërë të ditur se arrestimi ka ndodhur rreth orës 11:00 të 5 shkurtit dhe ka theksuar se rasti i Lozhanit nuk është i izoluar. Sipas tij, Serbia ka intensifikuar arrestimet e shtetasve të Kosovës, veçanërisht të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, sa herë që ata kalojnë nëpër territorin serb ose në pikat kufitare me vendet e tjera.

Koci ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet e Kosovës, duke mos përjashtuar as masa politike. “Nëse arrestimet vazhdojnë, duhet të merren masa serioze, përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit”, ka deklaruar ai. Sipas avokatit, mbrojtja juridike individuale nuk mjafton përballë një politike shtetërore të Serbisë që, sipas tij, synon kriminalizimin e luftës çlirimtare të Kosovës.

“Nga ana ime, në cilësinë e avokatit, po bëhet maksimumi i mundshëm. Megjithatë, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual. Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, ka shkruar Koci.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ende nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me arrestimin e Mit’hat Lozhanit, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për veprim diplomatik ndaj rasteve të tilla.

Arrestimi i Lozhanit është pjesë e një serie ndalimesh të shtetasve të Kosovës nga Serbia, nën akuza për krime lufte, të cilat – sipas autoriteteve dhe organizatave kosovare – janë të motivuara politikisht dhe bazohen në narrativa të vjetra të Beogradit. Serbia, gjatë viteve ’90, e kishte cilësuar UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën dhe shumicën e botës perëndimore, UÇK-ja përfaqëson forcën që mbrojti popullsinë shqiptare nga represioni i forcave jugosllave.

Vetëm gjatë vitit 2025 dhe fillimit të vitit 2026 janë regjistruar disa raste arrestimesh të shtetasve të Kosovës në Serbi.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ndër rastet e evidentuara janë: Arbnor Spahiu, i arrestuar në qershor nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë dhe i liruar më 21 nëntor; Lulzim Halili, i arrestuar në korrik dhe ende në paraburgim nën akuza për “krime lufte”; Sasha Gjorgjeviq, i arrestuar në korrik nën dyshimet për “bashkëpunim me SHISH-in dhe AKI-në”, i cili po ashtu mbetet në paraburgim; Behar Preniqi, i arrestuar në gusht si “pjesëtar i dyshuar i UÇK-së”; Hazir Haziri, i arrestuar në shtator dhe i liruar në janar 2026; Avni Qenaj, i arrestuar në nëntor dhe i cili u dënua me një muaj paraburgim nga gjykata në Beograd; si dhe rasti i Millan Vukashinoviqit, për të cilin dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq.

Po ashtu, më 14 gusht, autoritetet serbe njoftuan se ndaluan edhe dy shtetas me inicialet X.E. dhe B.E. në pikën kufitare Horgosh, mes Serbisë dhe Hungarisë, nën dyshimet për “krime lufte” si ish-pjesëtarë të UÇK-së, por ata u liruan vetëm pesë ditë më pas.

Këto raste, sipas njohësve të zhvillimeve politike dhe juridike, dëshmojnë se Serbia po vazhdon ta përdorë drejtësinë si instrument politik, duke synuar delegjitimimin e luftës çlirimtare të Kosovës dhe mbajtjen gjallë të narrativave të vjetra për konfliktin e viteve 1998-1999.

The Geo Post

Tags: Kosova Serbia UÇK

Continue Reading

Previous: Besa Luci në The Geotalks: Si ndodh manipulimi përmes emocioneve, propaganda, AI dhe ndikimi në Kosovë
Next: Senati i Nju-Jorkut miraton Rezolutë të posaçme për 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Milanoviq: Pretendimet e Vuçiqit se Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do ta sulmojnë Serbinë janë budallallëk 2 min read
  • Ballkan

Milanoviq: Pretendimet e Vuçiqit se Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do ta sulmojnë Serbinë janë budallallëk

The Geopost March 16, 2026
Pas një viti pa përgjigje, autoritetet serbe, me ndihmën e inteligjencës ruse, pretendojnë se ‘topi sonik nuk ndodhi’ 8 min read
  • Ballkan

Pas një viti pa përgjigje, autoritetet serbe, me ndihmën e inteligjencës ruse, pretendojnë se ‘topi sonik nuk ndodhi’

The Geopost March 15, 2026
Blerja e raketave nga Kina, BE-ja paralajmëron Serbinë 3 min read
  • Ballkan

Blerja e raketave nga Kina, BE-ja paralajmëron Serbinë

The Geopost March 14, 2026
Fantazmat e masakrës në “Panda” mbi Aleksandar Vuçiqin 2 min read
  • Ballkan

Fantazmat e masakrës në “Panda” mbi Aleksandar Vuçiqin

The Geopost March 13, 2026
Serbia blen raketa kineze, Kroacia paralajmëron diskutim në NATO 3 min read
  • Ballkan

Serbia blen raketa kineze, Kroacia paralajmëron diskutim në NATO

The Geopost March 13, 2026
Parlamenti Evropian kërkon nga Serbia ta ndjekë penalisht Milan Radoiçiqin për sulmin në Banjskë 3 min read
  • Ballkan

Parlamenti Evropian kërkon nga Serbia ta ndjekë penalisht Milan Radoiçiqin për sulmin në Banjskë

The Geopost March 12, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.