Historiani britanik dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, James Pettifer, ka thënë se Kosova duhet ta rishikojë marrëdhënien me disa prej misioneve ndërkombëtare në vend, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Pettifer, ligjërues i Historisë së Ballkanit në St Cross College të Universitetit të Oksfordit, ka vënë në pikëpyetje vazhdimin e mandatit të misioneve si EULEX-i dhe OSBE-ja, ndërsa ka thënë se NATO-ja duhet të mbetet jashtë kësaj çështjeje.
Sipas tij, Kosova nuk është dashur ta refuzojë themelimin e Dhomave të Specializuara, por, në vend të kësaj, është dashur të negociojë në mënyrë më profesionale kushtet mbi të cilat ato do të funksiononin.
“Çështja ishte nëse ajo ishte krijuar mbi baza të drejta dhe profesionale”, ka thënë Pettifer, duke argumentuar se problemi kryesor qëndronte në mungesën e kontrollit të institucioneve të Kosovës mbi procesin.
Pettifer ka thënë se marrëdhëniet politike dhe diplomatike të Kosovës me Evropën duhet të rishikohen pas zhvillimeve të fundit.
“Situata me Evropën është krejt ndryshe”, ka deklaruar ai, duke përmendur në veçanti EULEX-in dhe OSBE-në.
Sipas historianit britanik, EULEX-i nuk duhet të vazhdojë mandatin në Kosovë, ndërsa ka pretenduar se ky mision është shndërruar në një instrument që u shërben interesave të Serbisë.
“Veçanërisht sa i përket EULEX-it, nuk shoh arsye përse duhet të vazhdojë”, ka thënë Pettifer.
Ai ka theksuar se NATO-ja duhet të trajtohet ndryshe, duke argumentuar se Aleanca nuk ka qenë e përfshirë në procesin e Dhomave të Specializuara.
Pettifer ka thënë se Kosova, si shtet sovran, duhet të shqyrtojë nëse misionet ndërkombëtare që veprojnë në vend vazhdojnë të jenë të nevojshme.
“Qeveria duhet ta trajtojë çështjen e legjitimitetit të organizatave si EULEX-i dhe nëse ato vazhdojnë të jenë të nevojshme në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Ai ka vënë në pikëpyetje edhe rolin aktual të OSBE-së, duke thënë se nuk është i sigurt nëse kjo organizatë ka ende një rol të dobishëm në Kosovë.
“Për këtë do të nevojitet një qëndrim i qartë dhe i bashkuar”, ka thënë Pettifer, duke bërë thirrje që institucionet dhe elita politike e Kosovës të punojnë së bashku për hartimin e politikave ndaj këtyre organizatave.
Duke folur për themelimin e Dhomave të Specializuara, Pettifer ka thënë se Kosova nuk duhej të kishte thënë “jo” ndaj krijimit të një mekanizmi për trajtimin e krimeve të luftës.
Sipas tij, problemi ishte mënyra se si u negociuan kushtet e funksionimit të gjykatës.
“Unë isha në favor të përfshirjes së një tribunali për krimet e luftës, sepse të gjitha vendet e tjera të rajonit e kishin një të tillë dhe nuk do të ishte e përshtatshme që Kosova të mos e kishte”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhej të kishin negociuar për kushte që do t’u jepnin më shumë kontroll mbi procesin.
Pettifer ka argumentuar se Dhomat e Specializuara u krijuan në një mënyrë që, sipas tij, la Kosovën pa kontroll mbi procesin.
“Kosova nuk kishte kontroll mbi procesin, dhe ky problem daton që nga fillimi”, ka thënë ai.
Historiani britanik ka deklaruar gjithashtu se aktgjykimi ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit mund ta vështirësojë më tej procesin e pajtimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara dënuan Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim për krime lufte.
Sipas Pettiferit, vendimi mund të ndikojë negativisht edhe në proceset politike dhe diplomatike.
“Verdikti tashmë është marrë dhe, siç besoj se e keni parë, në Kosovë ka protesta të mëdha kundër tij”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se aktgjykimi mund ta bëjë më të vështirë arritjen e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështje të caktuara.
Sipas tij, një prej arsyeve është perceptimi në Kosovë se bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë neutrale.
Pettifer ka kritikuar edhe disa pjesë të aktgjykimit, duke thënë se, sipas vlerësimit të tij, disa prej tyre kanë cilësi të dobët juridike.
Ai ka shtuar se, përpara se të nxirren përfundime historike mbi UÇK-në dhe luftën në Kosovë, duhet të bëhet publike e gjithë përmbajtja e procesit gjyqësor, përfshirë materialet që lidhen me seancat e mbyllura.
Pettifer ka thënë se aktgjykimi duhet të shihet si pjesë e historisë, por nuk duhet të përcaktojë mënyrën se si kuptohet lufta në Kosovë.
Ai ka vlerësuar se Kosova ka bërë përparim në dokumentimin e historisë së luftës dhe zhvillimeve që lidhen me UÇK-në.
Sipas tij, literatura dhe dokumentimi mbi këtë periudhë janë zgjeruar ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit.
Pettifer, i cili ka shkruar gjerësisht për UÇK-në dhe historinë e konfliktit në Kosovë, ka thënë se qëndrimi i tij themelor nuk ka ndryshuar.
Ai ka argumentuar se, në rrethanat e asaj kohe, një lëvizje e armatosur e rezistencës ishte, sipas tij, pjesë e zhvillimeve që prodhuan krizën në ish-Jugosllavi.
Në fund të intervistës, Pettifer ka bërë thirrje që reagimi ndaj aktgjykimit të jetë politik dhe institucional dhe që protestat të mos shoqërohen me dhunë.
“Duhet shmangur dhuna, sepse dhuna në rrugë do t’i dobësonte shumë argumentet morale kundër këtij procesi gjyqësor”, ka thënë ai.
Pettifer ka kritikuar edhe reagimin e Qeverisë së Kosovës ndaj aktgjykimit, duke e cilësuar si “disi të dobët”, ndërsa ka thënë se vëmendja tani duhet të përqendrohet te hapat konkretë që do të ndërmerren nga institucionet.
Ai ka bërë thirrje për një qëndrim të përbashkët të institucioneve dhe elitës politike të Kosovës ndaj misioneve ndërkombëtare.
“Është e rëndësishme që elita e Kosovës të punojë së bashku dhe të zhvillojë politika të forta dhe të përbashkëta ndaj këtyre organizatave”, ka përfunduar Pettifer.

Avokati i Hashim Thaçit: Tre gjykatësit e Speciales e njollosën UÇK-në dhe NATO-n
Miketiq: Po përgatitet vjedhja e zgjedhjeve në Serbi përmes votuesve të regjistruar në Kosovë
“Kosova si kartë elektorale”: Si RTS po e ndërton narrativën e Vuçiqit para zgjedhjeve
Frika e Vuçiqit nga humbja e pushtetit, Rusia i del në mbrojtje para zgjedhjeve
Sinjal i fortë nga Brukseli për Vuçiqin, von der Leyen anashkalon Serbinë
Në Kosovë ka Srebrenica të panumërta, të kryera nga serbët