Një kompani serbe nga qyteti i Kikindës, në veri të Serbisë, ka vazhduar eksportimin e makinerive për përpunimin e metaleve në Rusi edhe pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, duke përdorur kompani ndërmjetëse, disa prej të cilave janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Sipas një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë (RFE/RL), kompania “Grindex” ka furnizuar tregun rus me makineri në vlerë prej rreth 27.5 milionë eurosh në periudhën mars 2022 – mars 2025. Një pjesë e këtyre pajisjeve, përmes kompanive ruse ndërmjetëse, kanë përfunduar në ndërmarrje të industrisë ushtarake ruse, përfshirë kompani që prodhojnë pjesë për avionë dhe sisteme raketore.
Të dhënat e siguruara nga Shërbimi i Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës (HUR), të cilat i ka analizuar RFE/RL, tregojnë se “Grindex”, prodhues i makinerive për përpunimin e metaleve, ka vazhduar tregtinë me Rusinë përmes disa subjekteve që janë sanksionuar nga Perëndimi për mbështetjen e kompleksit ushtarako-industrial rus.
Një prej ndërmjetësve kryesorë ishte kompania ruse “Alfa Machinery Group” (AMG), e cila është vendosur në listën e sanksioneve amerikane në vitin 2023 dhe atë të Bashkimit Evropian në dhjetor 2024.
Sipas dokumenteve të inteligjencës ukrainase, në dhjetor të vitit 2022, “Grindex” lidhi kontratë me AMG-në për furnizimin e një makine bluarëse CNC, me vlerë rreth 778 mijë euro. Pajisja përfundoi më pas në Shoqatën e Prodhimit të Makinerive “I. Rumyantsev”, e cila prodhon pjesë për avionë dhe është pjesë e gjigantit shtetëror rus të industrisë së mbrojtjes, “Rostec”.
Një kontratë tjetër mes dy kompanive u regjistrua në vitin 2023, për furnizimin e një makinerie me vlerë mbi 342 mijë euro. Pajisja u importua në Rusi në shkurt të vitit 2025 dhe, dy muaj më vonë, AMG ia dorëzoi kompanisë “Hydraulika”, e cila gjithashtu është pjesë e “Rostec”-ut dhe prodhon pjesë për aviacionin.
Sipas HUR-it, makineria përdoret për prodhimin e pjesëve të tipit piston, elemente të rëndësishme për sistemet hidraulike dhe të karburantit me precizion të lartë.
“Rostec” është një nga shtyllat kryesore të industrisë ruse të mbrojtjes dhe është nën sanksionet amerikane dhe evropiane.
Përveç AMG-së, makineritë e prodhuara nga “Grindex” janë importuar në Rusi edhe nga kompani të tjera të sanksionuara. Njëra prej tyre është “Finval Energo”, e cila ka importuar pajisje në vlerë prej rreth 12 milionë eurosh nga viti 2022 deri në vitin 2025, sipas të dhënave të shërbimit ukrainas.
“Finval Energo” është nën sanksionet amerikane që nga viti 2024 për aktivitetet e saj në sektorin rus të prodhimit industrial dhe bashkëpunimin me prodhuesit rusë të armëve.
Një tjetër kompani është “Unimatik MSK”, e cila ka importuar makineri “Grindex” në vlerë prej rreth 980 mijë eurosh ndërmjet viteve 2022 dhe 2024. Ajo është sanksionuar nga SHBA-ja në vitin 2024, ndërsa kompania mëmë “Unimatic” është vendosur në listën e sanksioneve të BE-së në vitin 2026.
Hulumtimi i RFE/RL zbulon gjithashtu se makineritë serbe kanë arritur në ndërmarrje të industrisë ruse të mbrojtjes edhe përmes kompanive që nuk janë nën sanksione.
Një rast i tillë është kompania ruse “Krona Equipment”, e cila në vitin 2024 i dorëzoi një makinë bluarëse të prodhuar nga “Grindex” kompanisë “Byroja e Projektimit të Inxhinierisë Mekanike”, pjesë e “Rostec”-ut. Kjo ndërmarrje prodhon sisteme raketore, përfshirë raketat balistike me rreze të shkurtër veprimi “Iskander-M”.
Sipas një hetimi të publikuar nga mediumi rus “The Insider” në dhjetor 2023, “Krona” kishte blerë makineri nga kompania serbe dhe i kishte përfshirë ato në katalogun e produkteve të saj.
Një tjetër rrugë e furnizimit ishte përmes një sipërmarrësi individual nga Moska, Denis Sergeyevich Babichev. Sipas të dhënave të HUR-it, ai importoi një makinë bluarëse “Grindex”, e cila në vitin 2025 iu dha me qira një kompanie ruse që prodhon sisteme navigimi, kontrolli dhe stabilizimi për avionë ushtarakë.
Kjo kompani është nën sanksionet amerikane që nga viti 2016, ndërsa është sanksionuar sërish në vitin 2024 për prodhimin e sistemeve që përdoren në avionët ushtarakë rusë, përfshirë MiG-29 dhe Sukhoi-27.
Serbia nuk kishte lëshuar leje eksporti për kompaninë
Pavarësisht këtyre të dhënave, Ministria serbe e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme i ka thënë RFE/RL-së se nuk i kishte lëshuar kompanisë “Grindex” leje për eksportimin e mallrave me përdorim të dyfishtë.
Ministria deklaroi se nuk ishte e njohur me programin e prodhimit dhe karakteristikat e produkteve të kompanisë dhe se nuk kishte të dhëna për të përcaktuar nëse makineritë e saj i nënshtroheshin kontrollit të eksportit.
Ndërkaq, Administrata Doganore serbe konfirmoi se nuk kishte kryer kontrolle të mëvonshme mbi eksportet e kompanisë.
“Grindex”, e cila nuk është vetë nën sanksionet amerikane apo evropiane, nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me eksportet në Rusi dhe bashkëpunimin me kompanitë ndërmjetëse.
E themeluar në vitin 2003 në Kikindë, kompania ka rreth 250 punonjës dhe prodhon makineri për përpunimin e metaleve, kryesisht makina bluarëse të kontrolluara nga kompjuteri.
Sipas raporteve financiare, pothuajse të gjitha të ardhurat e saj vijnë nga eksporti. Në vitin 2025, shitjet në tregun vendor përbënin vetëm një pjesë shumë të vogël krahasuar me shitjet jashtë vendit.
Një raport i Radio Televizionit të Serbisë, i transmetuar në vitin 2015, kishte theksuar se i gjithë prodhimi i kompanisë eksportohej në Federatën Ruse.
Serbia dhe anashkalimi i sanksioneve ndaj Rusisë
Serbia është ndër vendet e pakta kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nuk iu është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Kjo situatë krijon mundësi më të lehta për vazhdimin e marrëdhënieve tregtare me kompanitë ruse, megjithëse Beogradi ka legjislacion që rregullon eksportin e mallrave me përdorim të dyfishtë, të cilat mund të përdoren për qëllime civile dhe ushtarake.
Në vitin 2025, Serbia miratoi një ligj të ri për eksportin dhe importin e këtyre produkteve, duke vendosur kontrolle më të rrepta dhe duke e harmonizuar legjislacionin me rregullat e Bashkimit Evropian.
Megjithatë, ekspertët e cituar nga RFE/RL vlerësojnë se problemi kryesor mbetet zbatimi i ligjit dhe mbikëqyrja e eksporteve.
Ella Skajbenko, studiuese e lartë për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në Qendrën Ndërkombëtare për Biznes dhe të Drejtat e Njeriut, thekson se fakti që Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve nuk nënkupton se të gjitha eksportet drejt Rusisë janë të lejuara.
Ndërkaq, Tihomira Kostova nga Qendra Bullgare për Studimin e Demokracisë thekson se kompanitë e vendeve të treta që furnizojnë kompleksin ushtarako-industrial rus rrezikojnë të përballen me sanksione dytësore amerikane.
Sipas një hulumtimi të mëparshëm të RFE/RL, që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, përmes kompanive serbe janë dërguar në Rusi mallra me përdorim të dyfishtë në vlerë prej të paktën 71.1 milionë dollarësh, apo rreth 63.5 milionë eurosh.
Ndërkaq, të dhënat e Qendrës Bullgare për Studimin e Demokracisë tregojnë se eksportet serbe të këtyre mallrave drejt Rusisë u rritën për 220 për qind në vitin 2022, krahasuar me periudhën para luftës.
Pavarësisht deklaratave të autoriteteve serbe se vendi nuk do të shërbejë si platformë për anashkalimin e sanksioneve, rasti i “Grindex” ngre pikëpyetje për efektivitetin e kontrolleve shtetërore dhe për përfshirjen e kompanive serbe në zinxhirët e furnizimit të industrisë ushtarake ruse.

Serbia nis hetimet ndaj zyrtarëve të ish-pushtetit, por a do të hapen edhe dosjet e Banjskës dhe të Radoiçiqit?
Serbia hap sirtarët e drejtësisë pas humbjes së Vuçiqit
Hulumtimi zbulon lidhjet e pronarit të Euronews me Orbanin dhe Vuçiqin, ish-gazetarët flasin për presion politik
Lista Studentore vizitojnë manastiret në Kosovë, nuk dallojnë në deklarime me regjimin e Vuçiqit
Plani amerikan për sigurinë e Evropës: Çfarë mund të ndryshojë për Kosovën?
“Lista e Studentëve” kërkon hetim ndaj Vuçiqit për lidhjet me rrjetet kriminale në Serbi