Seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” mbahet sot, 9 korrik 2026, në Gjykata Themelore në Prishtinë.
Në këtë seancë pritet që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe mbrojtja të paraqesin fjalët hyrëse lidhur me aktakuzën ndaj Jovan Viqentijeviqit, Dragisha Viqentijeviqit dhe Igor Dimoviqit.
Sipas aktakuzës, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues përmes shkatërrimit të instalimeve publike në lidhje me kryerjen e një akti terrorist, si dhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkaq, Igor Dimoviq akuzohet për armëmbajtje pa leje.
Prokuroria pretendon se Jovan Viqentijeviq ka qenë personi që aktivizoi eksplozivin në sulmin e 29 nëntorit 2024 në fshatin Varagë të Zubin Potok, duke shfrytëzuar njohuritë që kishte për sistemin e ujësjellësit, pasi më parë kishte punuar në sistemin rajonal të furnizimit me ujë në Ujman.
Tre të akuzuarit, në seancën fillestare të mbajtur më 16 shkurt 2026, janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha veprat penale që u vihen në barrë.
Sipas aktakuzës, në sulm janë përdorur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në kanalin e “Ibër-Lepencit”, i cili konsiderohet infrastrukturë kritike për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës. Prokuroria vlerëson se shpërthimi rrezikoi furnizimin me ujë të termocentraleve të Korporata Energjetike e Kosovës, me pasoja të mundshme edhe për prodhimin e energjisë elektrike.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim me FBI, kanë siguruar prova materiale që, sipas organit të akuzës, lidhin vëllezërit Viqentijeviq me vendin e shpërthimit. Njëra nga provat kryesore është analiza e mostrave të dheut, ku ekspertiza ka konstatuar përputhje mes dheut të gjetur në çizmet e të akuzuarve dhe mostrave të marra në vendin e ngjarjes.
Përveç akuzave për sulmin terrorist, Jovan Viqentijeviq përballet edhe me akuzën për spiunazh. Prokuroria pretendon se ai ka qenë pjesë e shërbimit informativ ushtarak të Serbisë, duke mbledhur dhe transmetuar informacione të klasifikuara, përfshirë dokumente që lidhen me aktivitetet e KFOR dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Sulmi ndaj kanalit të “Ibër-Lepencit”, i ndodhur më 29 nëntor 2024, u cilësua nga institucionet e Kosovës si akt terrorist dhe u dënua nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
The GeoPost

Demokratët Evropianë kundërshtojnë propozimin e Vuçiqit: Ballkani s’mund të anëtarësohet në BE si një bllok i vetëm
Komisioni Evropian: Mali i Zi po bën përparim, Serbia ende përballet me sfida serioze
Shtohet presioni gjerman pas deklaratës skandaloze për Kosovën të ministres serbe
Deputeti serb kërkon shkarkimin e Paunoviqit: Nëse kryeministri nuk ka forcë ta largojë, le të japë dorëheqje
Ministrja serbe përballet me padi në Kosovë dhe kërkesë për shkarkim në Serbi
Paunoviq vazhdon ofensivën me dezinformata, thotë se Kurti po “ndjek” serbët që nuk shesin pronat