Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Krimineli i luftës Ratko Mladiq dhe rruga e tij drejt rrethimit të Sarajevës dhe gjenocidit në Srebrenicë

The Geopost August 27, 2026 7 min read
Share the news

Nga një oficer i Ushtrisë Popullore Jugosllave te komandanti i forcave serbe të Bosnjës dhe një nga kriminelët më të njohur të luftës në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore – rrugëtimi i Ratko Mladiqit u shënua nga rrethimi i Sarajevës, spastrimi etnik dhe gjenocidi në Srebrenicë.

Krimineli i dënuar i luftës, Ratko Mladiq, ka ndërruar jetë. Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë ishte një nga figurat qendrore të luftës së viteve 1992–1995 dhe më vonë u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Më poshtë është kronologjia e jetës dhe krimeve të tij.

1943 – Lindja

Ratko Mladiq lindi më 12 mars 1943 në fshatin Božanovići, pranë Kalinovikut, në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës së sotme.

Ai u rrit në Jugosllavinë e pasluftës dhe më vonë zgjodhi karrierën ushtarake, duke u ngjitur gradualisht në hierarkinë e Ushtrisë Popullore Jugosllave.

1965–1991 – Ngjitja në karrierën ushtarake

Në vitin 1965, Mladiqi u caktua në Distriktin e Tretë të Ushtrisë Jugosllave.

Gjatë dekadave në vijim ai mbajti poste të ndryshme komanduese dhe përparoi në hierarkinë ushtarake. U bë major në vitin 1974 dhe më pas ndoqi Akademinë e Komandës dhe Shtabit.

Ai shërbeu në Kumanovë dhe Shtip, ndërsa në fund të viteve 1980 mbajti poste në strukturat komanduese ushtarake në Shkup.

Në janar 1991, pak para shpërbërjes së Jugosllavisë dhe fillimit të luftërave, ai u emërua në një pozitë komanduese në Korpusin e 52-të në Prishtinë.

Më vonë, gjatë vitit 1991, ai shërbeu në strukturat ushtarake të APJ-së në Knin.

1991–1992 – Luftërat jugosllave dhe ngritja në gradë

Në tetor 1991, Presidenca e Jugosllavisë e gradoi Mladiqin në gradën e gjeneral-majorit.

Në fund të prillit 1992, ai u gradua gjeneral-lejtnant.

Në këtë periudhë, lufta në Bosnje dhe Hercegovinë po shndërrohej në një konflikt të përgjakshëm. Mladiqi u vendos në Sarajevë dhe mori poste të rëndësishme komanduese në strukturat e Ushtrisë Popullore Jugosllave.

Maj 1992 – Komandant i forcave serbe të Bosnjës

Pas shpërthimit të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, Mladiqi u bë figura kryesore ushtarake e forcave serbe të Bosnjës.

Ai u emërua komandant i Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republikës Serbe, një pozitë që e mbajti deri në fund të vitit 1996.

Në këtë rol, ai kishte nën komandë një aparat të madh ushtarak që zhvilloi operacione në pjesë të ndryshme të Bosnjës dhe Hercegovinës.

1992–1995 – Rrethimi i Sarajevës

Një nga kapitujt më të rëndë të luftës ishte rrethimi i Sarajevës.

Kryeqyteti i Bosnjës dhe Hercegovinës u mbajt nën rrethim për 1,425 ditë, duke u përballur me granatime dhe sulme të vazhdueshme.

Më shumë se 11 mijë njerëz u vranë gjatë rrethimit, ndërsa qyteti u godit vazhdimisht nga artileria dhe snajperët.

Në proceset gjyqësore në Hagë, u paraqitën prova, përfshirë komunikime dhe urdhra ushtarakë, që lidhnin strukturat nën komandën e Mladiqit me fushatën e terrorit kundër popullsisë civile.

Për terrorizimin e civilëve të Sarajevës, Mladiqi më vonë u shpall fajtor dhe u dënua nga gjykata ndërkombëtare.

1992–1995 – Spastrimi etnik dhe krimet në komunat e Bosnjës

Gjatë luftës, forcat serbe të Bosnjës kryen krime të rënda kundër popullsisë boshnjake dhe kroate në një numër komunash.

Në zonat si Prijedor, Foçë, Kotor-Varoš, Sanski Most dhe Vllasenicë, mijëra njerëz u vranë, u dëbuan, u burgosën ose iu nënshtruan trajtimeve mizore.

Shumë civilë u mbajtën në kushte çnjerëzore në qendra paraburgimi dhe kampe. Gjykimi ndaj Mladiqit dokumentoi vrasje, persekutim, ndalim të paligjshëm, tortura dhe dhunë seksuale.

Edhe pse ai nuk u shpall fajtor për akuzën e veçantë të gjenocidit në komunat e tjera përveç Srebrenicës, gjykata e shpalli fajtor për një varg krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte të kryera në kuadër të fushatës së përndjekjes dhe largimit të popullsisë joserbe.

1993 – Srebrenica shpallet “zonë e sigurt”

Në vitin 1993, Kombet e Bashkuara e shpallën Srebrenicën zonë të sigurt.

Megjithatë, enklava mbeti e izoluar dhe e pambrojtur në mënyrë efektive.

Mijëra boshnjakë të zhvendosur nga zonat përreth kishin kërkuar strehim në qytet, duke e bërë Srebrenicën një nga zonat më të mbipopulluara dhe më të cenueshme të luftës.

Korrik 1995 – Fillon ofensiva ndaj Srebrenicës

Në fillim të korrikut 1995, forcat serbe të Bosnjës nisën ofensivën për marrjen e Srebrenicës.

Operacioni, i njohur si “Krivaja 95”, çoi në pushtimin e enklavës.

Si komandant i Ushtrisë së Republikës Serbe, Mladiqi kishte një rol qendror në operacionet ushtarake.

11 korrik 1995 – Rënia e Srebrenicës

Forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë.

Mladiqi u shfaq publikisht në qytet, ndërsa mijëra civilë boshnjakë u detyruan të largoheshin dhe të kërkonin strehim në bazën e OKB-së në Potoçari.

Në të njëjtën kohë, mijëra burra dhe djem u nisën nëpër pyje në përpjekje për të depërtuar drejt territorit të kontrolluar nga forcat e Bosnjës në zonën e Tuzlës.

12 korrik 1995 – Ndarja e burrave nga familjet

Një ditë pas pushtimit të Srebrenicës, filloi deportimi masiv i grave, fëmijëve dhe të moshuarve.

Burrat dhe djemtë boshnjakë u ndanë sistematikisht nga familjet e tyre.

Mijëra prej tyre u arrestuan, u transportuan në objekte të ndryshme dhe u mbajtën të burgosur.

Ajo që fillimisht paraqitej si një operacion evakuimi u shndërrua në një operacion të organizuar për kapjen dhe eliminimin e popullsisë mashkullore boshnjake.

12 korrik 1995 – Ndarja e burrave nga familjet

Në ditët që pasuan filluan ekzekutimet masive.

Të burgosurit u transportuan në vende të ndryshme në rajonet e Bratunacit dhe Zvornikut.

Vrasje masive u kryen në Kravicë, Orahovac, Petkovci, Kozluk dhe fermën e Branjevës.

Mijëra burra dhe djem u ekzekutuan në depo, shkolla, fusha dhe vende të tjera të improvizuara.

Sipas vendimeve gjyqësore ndërkombëtare, më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë u vranë gjatë gjenocidit në Srebrenicë.

Viktimat më vonë u varrosën në varreza masive, ndërsa një pjesë e trupave u zhvarrosën dhe u transportuan në varreza dytësore në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.

Roli qendror i Mladiqit

Prokuroria në Hagë e paraqiti Mladiqin si një nga njerëzit kyç në strukturën komanduese që organizoi dhe zbatoi operacionet në Srebrenicë.

Provat e paraqitura gjatë procesit përfshinin dokumente ushtarake, komunikime, dëshmi dhe materiale audiovizuale.

Gjykata konstatoi përgjegjësinë e tij për gjenocidin në Srebrenicë, si dhe për një ndërmarrje të përbashkët kriminale që synonte largimin e përhershëm të boshnjakëve dhe kroatëve nga territore të mëdha të Bosnjës dhe Hercegovinës.

1995 – Aktakuza nga Haga

Në korrik 1995, ndërsa lufta ende vazhdonte, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ngriti aktakuzë kundër Ratko Mladiqit.

Ai u bë një nga njerëzit më të kërkuar për krime lufte në Evropë.

Pas përfundimit të luftës, Mladiqi nuk u arrestua menjëherë.

1996–2011 – Më shumë se 15 vjet në arrati

Për më shumë se një dekadë e gjysmë, Mladiqi mbeti në arrati.

Për një kohë të gjatë besohej se ai kishte mbështetje nga rrjete të ndryshme në Serbi dhe nga ish-struktura ushtarake.

Kërkimi i tij u bë një nga çështjet kryesore në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Maj 2011 – Arrestimi

Ratko Mladiqi u arrestua më 26 maj 2011 në Serbi.

Pas arrestimit, ai u ekstradua në Hagë për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare.

Arrestimi i tij shënoi fundin e një prej kërkimeve më të gjata për një të dyshuar për krime lufte në Evropë.

2012–2016 – Gjykimi në Hagë

Gjykimi ndaj Mladiqit filloi në vitin 2012.

Procesi zgjati disa vjet dhe përfshiu dëshmitarë të shumtë, ekspertë, viktima, ish-ushtarakë dhe prova të një numri të madh dokumentesh dhe materialesh të tjera.

Rasti përfshinte akuzat për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës.

Nëntor 2017 – Burgim i përjetshëm

Më 22 nëntor 2017, Dhoma Gjyqësore e Tribunalit të Hagës e shpalli Ratko Mladiqin fajtor për shumicën e akuzave dhe e dënoi me burgim të përjetshëm.

Ai u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, për persekutim, shfarosje, vrasje, deportim dhe transferim të detyruar, për terrorizimin e popullsisë civile të Sarajevës dhe për marrjen peng të personelit të OKB-së.

Vendimi e përshkroi Mladiqin si një nga figurat kryesore të aparatit ushtarak përgjegjës për disa prej krimeve më të rënda të kryera në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Në qershor 2021, mekanizmi pasues i Tribunalit të Hagës hodhi poshtë ankesat kryesore dhe konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm.

Vendimi përfundimtar e vulosi përgjegjësinë penale të Mladiqit për gjenocidin e Srebrenicës dhe për krimet e tjera të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Fundi i një epoke të përgjakshme

Vdekja e Ratko Mladiqit mbyll biologjikisht një kapitull, por jo kujtesën për krimet për të cilat ai u dënua.

Nga planet strategjike dhe urdhrat ushtarakë te vrasjet sistematike, deportimet dhe terrori kundër civilëve, Mladiqi mbetet një nga figurat më të errëta të luftërave jugosllave.

Trashëgimia e tij është e lidhur përgjithmonë me rrethimin e Sarajevës dhe me Srebrenicën – vendin ku më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë u vranë në atë që drejtësia ndërkombëtare e ka cilësuar si gjenocid.

Ai nuk ishte thjesht një gjeneral që humbi një luftë. Ratko Mladiqi vdiq si një kriminel lufte i dënuar përjetë për disa nga krimet më të rënda të kryera në Evropën moderne.

The GeoPost

Tags: Bosnje dhe Hercegovina Gjenocidi serb Ratko Mladiq Serbia

Continue Reading

Previous: Vdiq krimineli i luftës, Ratko Mladiq – i dënuar për gjenocid në Srebrenicë

Vdiq krimineli i luftës, Ratko Mladiq – i dënuar për gjenocid në Srebrenicë 5 min read
  • Ballkan
  • News

Vdiq krimineli i luftës, Ratko Mladiq – i dënuar për gjenocid në Srebrenicë

The Geopost August 27, 2026
Margetiq për Vuçiqin: Para 34 vitesh dogji Sarajevën, sot vështron Serbinë në flakë 2 min read
  • Ballkan

Margetiq për Vuçiqin: Para 34 vitesh dogji Sarajevën, sot vështron Serbinë në flakë

The Geopost August 27, 2026
Anatomia e një operacioni të BIA-s: Si u tentua diskreditimi i Albin Kurtit përmes “Masave Aktive” të stilit sovjetik, duke përdorur një vend të tretë 4 min read
  • Ballkan
  • News

Anatomia e një operacioni të BIA-s: Si u tentua diskreditimi i Albin Kurtit përmes “Masave Aktive” të stilit sovjetik, duke përdorur një vend të tretë

The Geopost August 26, 2026
“Topi i zjarrtë nga Kosova” dhe teoritë e tjera: Si u përhap dezinformimi për zjarret në Serbi 8 min read
  • Ballkan

“Topi i zjarrtë nga Kosova” dhe teoritë e tjera: Si u përhap dezinformimi për zjarret në Serbi

The Geopost August 26, 2026
Thirrja që SHBA-ja ta njohë pavarësinë e Republikës Serbe, reagon Murphy: Çmenduria më e madhe e shkruar për Bosnjën 2 min read
  • Ballkan

Thirrja që SHBA-ja ta njohë pavarësinë e Republikës Serbe, reagon Murphy: Çmenduria më e madhe e shkruar për Bosnjën

The Geopost August 26, 2026
Wikoff: KFOR-i s’ka mandat për të përcaktuar nëse ura mbi Ibër hapet, vendimi u takon BE-së dhe Kosovës 4 min read
  • Ballkan

Wikoff: KFOR-i s’ka mandat për të përcaktuar nëse ura mbi Ibër hapet, vendimi u takon BE-së dhe Kosovës

The Geopost August 26, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.