Ish-komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.
Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur Radio Televizioni i Republikës Sërpska, ndërsa ende pritet një konfirmim zyrtar nga institucionet përgjegjëse në Hagë.
Mlladiq ishte një nga figurat më famëkeqe të luftërave në ish-Jugosllavi. I njohur nga shumë prej viktimave të luftës si “Kasapi i Bosnjës”, ai u shpall fajtor nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë për një akuzë për gjenocid, pesë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte.
Në vitin 2017, Tribunali në Hagë e dënoi atë me burgim të përjetshëm, ndërsa në qershor të vitit 2021, Gjykata e OKB-së në Hagë refuzoi apelin e tij dhe e konfirmoi dënimin.
Gjenocidi në Srebrenicë
Krimi më i rëndë për të cilin Mlladiq u shpall fajtor ishte gjenocidi në Srebrenicë në korrik të vitit 1995.
Gjykata konstatoi se, pas pushtimit të enklavës së Srebrenicës nga forcat serbe të Bosnjës, Mlladiq kishte rol qendror në operacionin e organizuar për ndarjen, ndalimin dhe ekzekutimin e burrave dhe djemve boshnjakë.
Më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë u vranë në atë që konsiderohet masakra më e rëndë në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Srebrenica në atë kohë ishte shpallur nga Kombet e Bashkuara zonë e sigurt për refugjatët që po iknin nga luftimet në pjesë të tjera të Bosnjë e Hercegovinës.
Gjykata gjeti gjithashtu se forcat serbe të Bosnjës kishin tentuar të fshihnin dëshmitë e krimit duke zhvarrosur trupat dhe duke i rivarrosur në varre të tjera masive në zona të izoluara përreth Srebrenicës.
“Mlladiq vuri në lëvizje, nën kontrollin e vartësve të tij oficerë, operacionin në shkallë të gjerë, të mirëorganizuar që la të vrarë më shumë se 7.000 burra dhe djem brenda pak ditësh”, kishte deklaruar gjatë procesit prokurori i Tribunalit, Dermot Groome.
Rrethimi i Sarajevës
Mlladiq u shpall përgjegjës edhe për rrethimin dhe bombardimin e Sarajevës, kryeqytetit të Bosnjë e Hercegovinës.
Rrethimi nisi në prill të vitit 1992 dhe zgjati deri në shkurt të vitit 1996, duke u konsideruar si një nga rrethimet më të gjata të një kryeqyteti në historinë moderne.
Sipas konstatimeve të Tribunalit, mijëra civilë dhe ushtarë humbën jetën gjatë fushatës së granatimeve dhe sulmeve me snajperë, ndërsa dhjetëra mijëra persona të tjerë u plagosën.
“Krimet e kryera renditen ndër më të tmerrshmet në historinë e njerëzimit dhe përfshijnë gjenocid dhe shfarosje si krim kundër njerëzimit”, kishte deklaruar gjyqtari kryesor Alphons Orie gjatë shpalljes së vendimit në nëntor të vitit 2017.
Zinxhiri i komandës me Karaxhiqin
Tribunali kishte konstatuar se Mlladiq, së bashku me udhëheqësin politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, kishte qenë pjesë e një strukture që synonte largimin e dhunshëm të popullsisë joserbe nga zona të mëdha të Bosnjë e Hercegovinës.
Karaxhiq u dënua për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Fillimisht u dënua me 40 vjet burg, ndërsa pas apelit dënimi iu rrit në burgim të përjetshëm.
Sipas vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, politikat e udhëheqjes politike serbe të Bosnjës u zbatuan në terren nga struktura ushtarake nën komandën e Mlladiqit, përmes vrasjeve, dëbimeve të detyruara, terrorit, torturës dhe ndalimeve në kampe.
Gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, nga viti 1992 deri më 1995, u vranë më shumë se 100.000 persona.
16 vjet në arrati
Pas luftës, Mlladiq iu shmang arrestimit për 16 vjet.
Ai u arrestua në maj të vitit 2011 në fshatin Llazarevë, pranë Zrenjaninit në veri të Serbisë, dhe më pas u ekstradua në Hagë për t’u përballur me akuzat për krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Bosnjë.
Gjykimi ndaj tij nisi në maj të vitit 2012. Mlladiq u deklarua i pafajshëm dhe gjatë procesit shpesh shkaktoi incidente në sallën e gjyqit.
Në një rast, ai u largua nga gjykatorja pak para shpalljes së vendimit, pasi kishte bërtitur se akuzat ndaj tij ishin “gënjeshtra”.
Vendimi për burgim të përjetshëm u mirëprit nga familjarët e viktimave, megjithëse shumë prej tyre thanë se asnjë dënim nuk mund të kompensonte humbjet e pësuara.
“Edhe nëse do të jetonte 1.000 herë dhe do të dënohej 1.000 herë me burgim të përjetshëm, drejtësia prapë nuk do të ishte vendosur”, kishte deklaruar Ajsa Umiroviq, e cila humbi 42 të afërm në gjenocidin e Srebrenicës.
Vitet e fundit në Hagë
Në vitet e fundit të jetës, Mlladiq vuante nga probleme serioze shëndetësore dhe kishte kërkuar lirimin e përkohshëm ose transferimin në Serbi për trajtim.
Tribunali për krime të luftës i OKB-së kishte refuzuar kërkesat e tij, duke vlerësuar se, megjithëse gjendja e tij shëndetësore ishte e rënduar dhe e pasigurt, ai po merrte trajtim në kushte të pranueshme.
Ratko Mlladiq kishte lindur më 12 mars 1942 në Kallinovik. Karrierën ushtarake e kishte nisur në Ushtrinë Popullore Jugosllave në vitin 1965, ndërsa më vonë u bë komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë.
Për shumë serbë nacionalistë ai vazhdoi të konsiderohej hero, ndërsa për viktimat dhe familjet e mijëra të vrarëve, emri i tij mbetet simbol i gjenocidit, rrethimit të qyteteve dhe një prej kapitujve më të errët të historisë së Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.
The GeoPost

Hungaria e shpallë Rusinë “kërcënim për Evropën”, kthesë e fortë pas largimit të Orbanit
Margetiq për Vuçiqin: Para 34 vitesh dogji Sarajevën, sot vështron Serbinë në flakë
Shefi i CIA-s zbarkon në Moskë mes luftës në Ukrainë dhe tensioneve me Iranin
Anatomia e një operacioni të BIA-s: Si u tentua diskreditimi i Albin Kurtit përmes “Masave Aktive” të stilit sovjetik, duke përdorur një vend të tretë
“Topi i zjarrtë nga Kosova” dhe teoritë e tjera: Si u përhap dezinformimi për zjarret në Serbi
Thirrja që SHBA-ja ta njohë pavarësinë e Republikës Serbe, reagon Murphy: Çmenduria më e madhe e shkruar për Bosnjën